Veteranët e futbollit të Elbasanit, e kanë bërë si traditë të tyre tashmë, që çdo fundjavë të mblidhen të gjithë bashkë tek lokali Cim Asllanit. Një gjetje e bukur kjo për ata që kanë dhënë vitet e rinisë futbollit të qytetit. Dhe ndodh kështu, sepse pronari i këtij lokali Shkëlqim Asllani ka qënë pjesë e futbollit elbasanas në vitet 1973 -1988. Kështu, në këto “kuvende” të përjavshme futbolldashëse vijnë këtu Luan Deliu, Dhimitër Gjika e Ferdinat Lleshi, specialisti futbollit Artim Kovaçi, por hera-herës “kryeveterani”Mihal Gjika e të tjerë. Kafe, bisede, kujtime, diskutime dhe shumë nostalgji për vitet në sportin e bukur të futbollit. Kështu na ndodhi dhe këto ditë, kur ishim të pranishëm midis tyre. Disa foto të vjetëra të hedhura në tavolinë hapën si pa dashur bisedën tonë.Mihal Gjika prezantonte shokët e skuadrës në foton e marsit 1975 , kur “Labinoti” fitonte Kupën e Shqipërisë, kurse Ferdinant Lleshi një foto të 20 majit 1984 , kur i gjithë qyteti Elbasanit festonte fitimin e titullit të parë kampion.
![]()
”Një mbrëmje bukur e paharrruar kjo për mua “ –kujtoj Ferdin me sytë që i njomen nga nostalgjia që kishte për vitet që ka luajtur futboll, për shokët, për ekipin e tij të dashur. Dhe ata janë aty tek ajo foto , që kapiteni skuadrës kampione Lleshi e mban si gjë të çmuar. Janë ata personazhet e titullit parë kampion me “Labinotin”, duke filluar nga portieri Bujar Gogunja që atë kampionat theu një rekord më vete, ku ruajti portën për 1037 minuta pa pësuar gol. Dhe pas tij me rradhë: Zamir Arapi, Luan Deliu, Shkëlqim Asllani,, Edmond Mustafaraj, Ferdinand Lleshi, Roland Agalliu, Vladimir Tafani, Dashamir Luniku, Ardian Popa, Kostandin Rama, Albert Kaloti, Bashkim Staceni, Zyber Bega, Jovan Shegani, Kastriot Vrapi, Muharrem Dosti, Sokol Branica, Sokol Gjuraj, Stavri Mitrollari.Pranë tyre trajnerët Frederik Jorgaqi dhe Agron Striga. Kaq ka mjaftuar që Ferdinant Lleshi të lëvizi moshën dhe kujtimet nga vendi për të treguar për karrierën e tij si futbollist. Dhe gjithçka nis që në vitet e fëmijërisë , kur Ferdinand Lleshi ka qënë pjesë në klasën sportive.Vetëm 13 vjeç dhe trajneri tij i parë Shefqet Lamçja do ta bëjë pjesë të skuadrës të pionierëve për në Spartakiadën sportive të Durrësit të vitit 1966. Midis shumë fëmijëve specialistët e futbollit veçuan Sulejman Memën, Ferdinant Lleshin dhe Sulejman Starovën. Djaloshi Lleshi me atë trup të bukur, tepër muskulor , si një mesfushor potent, kur ishte vetëm 15 vjeç do kalonte tek ekipi të rinjëve të “Labinotit “, me trajner Fadil Kovacin .

Vetëm një kampionat këtu ,sepse në moshën 16 vjeçare në vitin 1972 do bëhet pjesë e ekipit parë të “Labinotit”. Ndërkohë trajnerët e ekipit kombëtar të rinjve Thanas Jance dhe Refik Resmja, do bënin pjesë të ekipit kombëtar të U-19 vjeçarëve, ku së bashku me Millan Bacin. Sul Memën. Sul Starovën dhe Hil Metanin do përbënin boshtin e skuadrës në turneun me shtatë ndeshje të zhvilluar në Kinë në 1974. Në 19 mars vitin 1975 është pjesë e skuadrës të “Labinotit” në fitimin e Kupës të Republikës pas dy ndeshjeve dramatike të zhvilluara dhe të fituara me rezultatin 0-1 dhe 1-0 ndaj “Lokomotivës”, sot Teuta –Durrës dhe mesfushori me numërin 8 në fanellë kujton:”-Kemi fituar 0-1 në 9 mars në Durrës dhe po 1-0 më 16 mars në Elbasan, ku autor të golave kanë qënë Namik Hysi dhe Stavri Mitrollari”. Të forta, por të paharruara do mbeten nga këto ndeshje, dyluftimet në fushën e lojës midis dy mesfushorëve potent të dy skuadrave, Mond Filjarit dhe Ferdinant Lleshit. Një talent të tillë skuadra elitare e atyre viteve. Partizani nuk do ta linte të shpëtonte nga duart. Urdhëri ka mbëritur në Elbasan në fillim të vitit 1976 :” Futbollisti Ferdinat Lleshi mobilizohet për të kryer shërbimin e detyruar dy vjeçar ushtarak, tek klubi sportiv Partizani “. Tek kjo skuadër kryeqytetase do gjejë Seferin, Berishën, Canin Lamen, Fagun. Muratin, Brecën e të tjerë me të cilët do ta rreshtojnë Partizanin përkrah më të mirëve të vendit. Në tetor të atij viti 1976 , trajneri ekipit kombëtar Loro Boriçi do japi fanellën e titullarit në ndeshjen miqësore ndërkombëtare të zhvilluar në Tiranë kundër Algjerisë. Por dy vite më vonë në 1978 do jetë pjesë e skuadrës që dolëm kampion të Ballkanit me ekipin e Shpresave, ku në finale u ndeshëm me ekipin e Rumanisë, me të cilin humbëm në ndeshjen e parë në Bukuresht 3-1, por fituam në Tiranë me rezultatin 7-1. Në atë kohë ekipi i Shpresave përbëhej nga lojtarë mjaft të mirë, të cilët më pas u bënë furnizuesit e kombëtares si Musta, Kola, Ahmetaj, Rragami, Marko, Sh.Ballgjini, Bajaziti, Minga, Hysi, Gega , Lleshi. H.Ballgjini e të tjerë. Por me përfundimin e shërbimit ushtarak mesfushori energjik do kthehet tek skuadra e qytetit tij .

Së bashku me shokët e ekipit në ato vite si Dhimitër Gjikën , Namik Hysin, Astrit Sejdinin, Kujtim Dalipin e të tjerë do kotribojë fort që skuadra e tyre të bënte pjesë në grupin e më të mirëve të futbollit shqiptar. Dhe në harkun e pak më shumë se një viti, në 3 shtator 1980 deri me 18 nëndor 1981, ai do jetë pjesë e ekipit tonë kombëtar në shtatë ndeshje , dy ndeshje ndaj Filandës , Gjermanisë Perndimore ,Austrisë dhe në një ndaj Bullgarisë. I fortë , potent , gjithmonë në shërbim të skuadrës , me atë gjuatje që i hapte punë cdo portieri, Lleshi do shkelte cdo pëllëmb të fushës lojës .Dhe pas kësaj vjen për të ftesa nga ish trajneri paharruar Agron Sulaj që e bën pjesë Flamurtarit në Kupat Ballkanike ne sezonin 1981-1982, ku vlonjatë kanë në grup A.E.K.te Athinë dhe Mostar –Velezh.Në ndeshjen Flamurtari 2-1 Velezh –Mostar është autorë i një prej golave (golat për vlonjatët Spiro Curri 43` dhe Ferdinat Lleshi 55`). Ndërkohë tek „Labinoti“ atyre viteve po vinte një brez me futbollist të rinjë të talentuar, që pak kush e kishte besuar se në sezonin 1983-1984 do shkruanin , atë që dhe sot në Elbasan me të drejtë e vlersojën si historin e madhe të fitimit të titullit kampion. Dhe është titulli i parë kampion ky i 1984, sepse në sezonin 2005-2006 kur Elbasani është shpallur për herë të dytë kampion , janë të tjerë personazh dhe një brez tjetër me futbollist jo vetëm elbasanas. Atë sezon të kampionatit 1983-1984 , skuadra drejtohej nga trajnerët Ferdinant Jorgaqi dhe Agron Striga. Trajnerët i kishin besuar Lleshit shiritin e kapitenit dhe detyrën e qëndër mbrojtësit në skuadër .Kësisoj kapiteni Lleshi në fushën e lojës ishte personazhi numër 1 i skuadrës vet. I pakalushëm në mbrotje, mesfushor –organizues , shpirti i ekipit vet . Pas 20 javëve kryesim në atë kamponat të paharruar „“Labinoti“ me fitoren e 13, maj 1984 në Tiranë ndaj Partizanit 1-2 me gola të shënuar Asllani në minutën e 36` dhe Bega 72` nënshkruajti bukur fitimin e titullit kampion Por kjo ndeshje e stadiumit „Qemal Stafa „ që kishte mbreda një përballje dramatike solli mbreda saj dy rekorde që pak kush se ata djem të asaj skuadre dinin të formonin dhe lartësonin aq bukur . Së pari është rekodi titullit kampion që pas Skënderbeut dhe Vllaznisë do të ishte „Labinoti“ kapitenit Lleshi „ ai që do t’i jepte „:goditjen“ e fuqishme hegjemonisë të skuadrave të kryeqytetit në historinë e fitimit të titullit kampion. Por ai gol i shënuar në atë ndeshje në minutën e 42` nga Genc Tomorri për Partizanin , jo vetëm do të barazonte përkohësisht rezultatin 1-1 , por pas 1037 minutave , ose 17 orë e 47 minuta lojë ,do thyente portierin Bujar Gogunja që e ka ruajtur këtë rekord të nivelit botëror deri 13 dhjetor 2014 kur portieri Partizanit Alban Hoxha , që pas 1087 minuta do pësonte gol. Gjithsesi, më 20 maj 1984 pas ndeshjes me Lufëtarin , festa në Elbasan në prani të 15 mijë tifozëve , ka shpërthyer me tërë vrullin e saj . Kapiteni Ferdinant Lleshi dhe shokët e tij të skuadrës kanë sjellë titullin e parë kampion. Pas këtij suksesi kolektiv kapiteni luan dhe tre sezone me skuadrën e qytetit tij dhe 1987 , pas 15 vjetëve karrierën sportive dorëzon fanellën e tij të dashur, një tjetër mesfushori, Fred Bilatit. Vitet ka ecur në ritualin e tyre , por kapiteni i titullit parë kampion Ferdinand Lleshi mbetet njeri i respektuar dhe me vlera për qytetarin e Elbasanit .
![]()
SKEDA FERDINAND LLESHI
Lindur :Në Elbasan , më 17.01.1956
Karriera në sport : 1972-1987 „Labinoti“-Elbasan dhe Partizani
Roli në skuadër: Mesfushor dhe qëndërmbrojtës
Numëri i fanellës : 8
Ndeshje ndërkombëtare: 27 ndeshje , ku 8 me ekipin kombëtar, 4 me kombëtaren U-21, 7 me kombëtaren U-19 dhe 6 për Kupat Ballkanike , 2 për Kupën e Kampioneve me „Labinotin“ në 1984 ndaj kampionëve të „Lyngby“-Danimarkë
Trofe të fituara : Kupën e Republikës 1975 dhe Titullin Kampion 1984 me Labinotin , dhe Kampion Ballkani me ekipin kombëtar U –21 në 1978 .
Vlerësime :“Mjeshtër Sporti“ „Mjeshtër i Merituar Sporti“ ,.Legjenda e Futbollit Shqiptar“dhe „Mjeshtër i Madh“.



















