Franci Aleksi i Studentit dhe Frenc Bërdaku i Teutës, thyen Rekorde Kombëtare

724
Nga Agron KAJA
NOT-TURNEU “MIMOZA CUP”/ Në turneun e Malit të Zi, morën pjesë 8 ekipe nga Shqipëria, tek të rriturit spikatën dy rekordmenë 
Në datat 17-18 shkurt 2018, në pishinën 25 m me 8 korsi, të Hotelit Igalo Spa, në Hercegnov të Malit të Zi, u zhvillua kompeticioni i 23-të përvitshëm ndërkombëtar i notit “Mimosa Cup”, nën drejtimin e prof. Ivan Zuber. Në këtë event morën pjesë ekipet e notit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Serbia dhe Sllovenia. Nga Shqipëria morën pjesë: Tirana, Partizani, Studenti, Te Stela, Teuta, Tirana Delfin Sport, Tradita dhe Ventus. Notarët meshkuj kanë garuar të ndarë në dy kategori. Kategoria A, ku bënin pjesë notarët e datëlindjes 2002 e më të mëdhenj, si dhe Kategoria B, ata të datëlindjes 2003 e më të rinj. Ndërsa edhe notaret femra garuan të ndara edhe ato në dy kategori. Kategoria A, e datëlindjes 2004 e më të rritura, dhe Kategoria B, datëlindja 2005 e më të reja. Nga ekipet shqiptare, Studenti me trajnerë Eduart Cane dhe Andi Mara, për meshkuj në Kategorinë A u shpall kampion, duke fituar edhe kupën. Ndërkohë, nga ky ekip spikati notari Franci Aleksi, i cili garoi në 7 gara, 50, 100, 200, 400 m free, në 50, 100 m fly, si dhe në 200 m Medley. Ai grumbulloi 1277 pikë FINA, ku në garën e 400 m stil i lirë theu rekordin Kombëtar me kohën 4:03,07, dhe u vlerësua me 665 pikë FINA, duke u shpallur notari më i mirë i Kategorisë A. Në këtë veprimtari, paraqitje të mirë kanë bërë edhe notarët e ekipeve të tjera shqiptare, duke veçuar tek të rriturit notarin durrsak Frenc Bërdaku, i cili theu rekordin kombëtar në garën e 400 m stil krol. Kjo ishte veprimtaria e parë ndërkombëtare për vitin kalendarik 2018, në të cilën morën pjesë 8 ekipet e notit nga Shqipëria.
Rekordmeni Franci Aleksi: Rekordet Kombëtare do t’i thyej në çdo garë
Ishit përgatitur për këtë rekord kombëtar në Turneun “Mimoza Cup”, që u zhvillua në Malin e Zi?
Të them të drejtën, po. Unë të gjitha veprimtaritë ku marr pjesë i vlerësoj në maksimum, dhe e gjithë përgatitja ime nën drejtimin e trajnerëve Eduard Cane e Andi Mara, orientohet për kohë më të mira, në të gjitha garat ku unë marr pjesë.

U ndjetë i shpërblyer me rekordin e ri kombëtar që vendosët në garën 400 m stil i lirë?
Rekordet të sjellin ndjesi shumë pozitive, dhe bëhesh më krenar kur i thyen në turne të tillë, ndërkombëtarë. Por, asnjëherë unë nuk e kam menduar rekordin që thyej si një ndalesë për rekorde të tjerë. 

Duket se keni qenë i motivuar për këtë rekord kombëtar në 400 m stil i lirë?
Unë isha përgatitur fizikisht e moralisht që si në 400 m, ashtu edhe në 200 m stil i lirë të thyeja rekordin. Ja arrita vetëm në 400 m, ku me pak kujdes mund të kisha arritur një kohë edhe më të mirë.

Ndoshta pritshmëritë tuaja kanë qenë për më shumë në këto dy gara?
Në fakt, 400 m stil i lirë nuk është gara ime më e mirë, sepse në 1500 ndjehem më i plotësuar për rekord. Në këtë garë, kohën 16.11 mendoj ta ul disa sekonda si kohë.

Pas “Mimoza Cup”, në cilat veprimtari kombëtare e ndërkombëtare do të garoni së shpejti?
Në fundin e muajit mars 2018 unë do të marr pjesë në një turne ndërkombëtar të notit në Greqi, në pishinë 50 m. Aty do të garoj në 400 m e 1500 m, ose në 800 m e 1500 m. Ndërsa në muajin prill, do të zhvillohen garat e Kampionatit Kombëtar për të Rritur në pishinë 25 m.
7 shtete
Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali Zi, Sllovenia dhe Serbia morën pjesë me notarët e tyre në Turneun “Mimoza Cup”
8 ekipe
Këto ishin ekipet shqiptare që morën pjesë në Turneun “Mimoza Cup”: Tirana, Partizani, Studenti, Te Stela, Teuta, TDS, Tradita, Ventus
2 rekorde
Nga notarët e rritur shqiptarë që morën pjesë në Turneun e notit “Mimoza Cup”, Franci Aleksi në 400 m stil i lirë dhe Frenc Bërdaku 400 m krol, thyen Rekordet Kombëtare
Rekordi i Franci Aleksit
Në garën e 400 m stil i lirë, me kohën 4:03.07.
Rekordi i Frenc Bërdakut
Në garën 400 m stil krol, me kohën 
Franc Aleksi, notar i ekipit Studenti, me trajnerë Eduart Cane dhe Andi Mara, u shpall notari më i mirë i aktivitetit për kategorinë A meshkuj, me 1277 pikë FINA, duke fituar edhe Kupën e Kampionit në aktivitetin ndërkombëtar “Mimoza CUP”
Sigal