Doc. Odise Çaçi: Kryengritja himariote korrik 1492 -korrik 2021, kundër Perandorisë Osmane

638
Sigal

Osmanët, mijëra vetë i masakruan në tehun e shpatës, dhe 8 mijë të tjerë të zënë robër, i shitën si skllevër

 

 

-Në kujtim të atyre trimave Himariotë e Lebër  që u masakruan në mënyrë barbare nga ushtria e Perandorisë Osmane që kishte ardhur si “administrator”. (sipas historianëve turq)

 

Ka qenë korriku i vitit 1492, këtu e 529 vjet më parë, kur trimat e Himarës dhe gjithë Labërisë luftonin me Perandorinë Osmane, me sulltanët më gjakpirës si sulltan Bajaziti, luftonin e fitonin. Lumenj gjaku. Le të kthehemi prapa në kohë dhe të kujtojmë masakrën nga më të mëdhatë osmane në trevën e Himarës, ku mijëra vetë i masakruan në tehun e shpatës, dhe 8 mijë të tjerë të zënë robër, i shitën si skllevër. Kjo ishte pasojë e tradhtisë.

Si duhet ta interpretojmë  ne sot, sipas “politikanëve  të rinj turq”

Megjithëse kryengritja u shtyp, turqit ndeshën, gjatë regjistrimit të tokave, në rezistencën e armatosur të malsorëve shqiptarë. Në disa nga këto krahina, rezistenca mori përpjestime të mëdha. Njëra nga këto, ishte krahina e Himarës. Krahina e Himarës, përfshinte në shek. XV, viset jug-perëndimore të Shqipërisë, krahinat e sotme të Himarës, Kurveleshit dhe Tepelenës, një zonë prej afërsisht 70 fshatrash, në pjesën më të madhe, fshatra malore. Pasi nuk mundën ta thyenin rezistencën e himarioteve, sundimtarët turq u munduan t’i nënshtronin ata me anën e bujarëve shqiptarë renegatë. Një nga këta renegatë, Komjan Arianiti, ndodhej në oborrin e Sulltanit dhe pretendonte të vendoste sundimin e vet në viset e dikurshme të Arianitëve, nën hijen e sulltanit.  Sulltani e dërgoi këtë renegat në Himarë me titullin sanxhakbej, por himariotët nuk e pranuan dhe, në fillim të vitit 1486, pasi e kapën të gjallë, e vranë dhe filluan kështu kryengritjen e armatosur.

Për të shtypur kryengritjen sulltani nisi atë vit për në Shqipëri, ushtri të reja turke, nën komandën e dhëndrrit të tij, Sinan Pashës, por ky nuk mundi ta shuante lëvizjen. Më 1488 kryengritja u përhap edhe në Shqipërinë e mesme. Këtë vit, në luftime me turqit, shqiptarët korrën disa fitore të rëndësishme dhe çliruan një pjesë të madhe të vendit. Për t’i grumbulluar krahinat e çliruara në një principatë, kryengritësit shqiptare dërguan përsëri një delegacion në Itali, për të thirrur Gjon Kastriotin. Për ardhjen e tij në Shqipëri këtë radhë, burimet historike nuk janë të sigurta. Kryengritja vazhdoi deri më 1492. Gjatë këtyre viteve, kontrolli i turqve u kufizua vetëm rreth kështjellave, ku ndodheshin garnizonet ushtarake.

Në verën e vitit 1492, ushtritë turke të kryesuara nga vetë sulltan Bajaziti i II, u nisën nga Sofja në drejtim të Shqipërisë dhe duke kaluar përmes Manastirit dhe luginës se Shkumbinit, u vendosën në krahinën e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Njëkohësisht,  flota turke arriti në brigjet e Himarës. Synimi i turqve ishte t’i merrnin Venedikut ishullin e Korfuzit dhe pastaj të zbarkonin përsëri në Itali, si më 1480, në tokat e Mbretërisë së Napolit. Por Venediku dhe Napoli morën masa të shpejta dhe sulltan Bajaziti, u detyrua të hiqte dorë nga synimet e tij, dhe të përsëriste paqen e mëparëshme me ta.

Me ardhjen e ushtrive turke, himariotët filluan sulmet kundër tyre, sidomos kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë turke. Sulltan Bajaziti vendosi që para se të kthehej në Stamboll,  të nënshtronte me anën e një operacioni ushtarak popullsinë e kësaj krahine që vazhdonte të mos e përfillte autoritetin turk.

Sulmi i turqve filloi në korrik të vitit 1492. Pasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës dhe Sopotit, pashallarët e sulltanit, kërkuan të hynin në viset e brendëshme duke shfarosur himariotët. Por himariotët, sikurse vepronin gjithnjë në raste të tilla, i lanë vendet e pambrojtura dhe bashkë me pleqtë, gratë dhe fëmijët u grumbulluan në malet e Labërisë. Që nga lart ata lëshonin mbi ushtarët turq, shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin shtizat në trajtën e gjuhës së gjarpërit, të cilat i hidhnin me dorë, dhe harqet të punuara në dru, me të cilat lëshonin shigjeta me majë të hekurta, të mprehta e të helmatisura.

Pas sulmesh të vazhdueshme, turqit i detyruan himariotët të përqëndroheshin në dy maja mali. Njëri grup me gjithë rezistencën heroike u shtërngua të dorëzohej. Turqit pranuan marrëveshjen për t’i lënë himariotët të lirë të iknin. Por marrëveshjen e shkelën dhe mbi himariotët e dorëzuar bënë kërdinë, burrave ua prenë këmbët e duart dhe pastaj i hodhen tatëpjetë malit. Gratë e fëmijët që gjetën në atë mal, afro 8.000 vetë, i nisën si skllevër për në Vlorë.

Turqit u përpoqën të asgjësonin edhe rezistencën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit,  pa asnjë rezultat për turqit. Afrimi i vjeshtës dhe shpenzimet e mëdha që kryente perandoria për të mbajtur një ushtri të madhe në këmbë, kundër një pakice shqiptarësh, e shtërnguan Sulltan Bajazitin e II, të kërkonte një marrëveshje me himariotët. Në fillim himariotët pranuan, pasi ky u premtoi atyre një sërë privilegjesh të njohura nga tradita me emrin “venome”. Në bazë të marrëveshjes, sulltani do ta linte autonome këtë krahinë dhe nuk do të dërgonte qeveritarë turq, himariotët fitonin të drejtën të qeverisnin vendin e tyre, si edhe më parë, në bazë të kanuneve tradicionale, të krijonin gjyqet e tyre dhe të mbanin lirisht armët. Si shpërblim, himariotët zotoheshin të mos ngrinin krye dhe të paguanin vetëm haraçin, si shenjë bindjeje.

Marrëveshja e lidhur me Sulltanin ishte në favor të himariotëve. Me venomet që morën, ata larguan rrezikun e vendosjes së qeveritarëve turq dhe të sistemit të timareve e ziameteve në krahinën e tyre.

Venomet që u njohu himariotëve, sulltani nuk i respektoi gjithnjë. Por sa herë që turqit i cënonin ato, himariotët rrëmbenin armët dhe hidheshin në kryengritje, turqit detyroheshin përsëri t’u akordonin privilegje, të cilat kishin gjithnjë si bazë, kushtet e caktuara në marrëveshjen e vitit 1492. Nga ana e tyre, edhe himariotët, pagesën e haraçit, megjithëse e premtuan, shpesh herë nuk e paguan ose kur e paguan, ua dhanë turqve në sheshin e jataganit, që do të thoshte se ata nuk ishin raja, por të nënshtruar, duke ruajtur të drejtën t’i mbanin armët në krahë. Këto venome himariotët i ruajtën për shekuj me radhë.

Pas marrëveshjes me himariotët, sulltani me një pjesë të ushtrisë së tij u largua nga Shqipëria, pjesa tjetër zhvilloi luftime në krahinat e ndryshme të vendit dhe arriti më në fund të rivendoste sundimin turk. Por rivendosja e këtij sundimi qe përsëri e përkohëshme.

 

Himara

Emri Himarë e ka origjinën nga fjala e vjetër shqipe e përdorur në këto anë “Hi(j) Marë” – “Eja Marë”, qe ka të bëje me ftesën që i bëhet një vajze apo fqinje të marrë pjesë në një gëzim familjar, apo t’i bashkohet nje grupi që këndon një kënge shumë-zërëshe. I ndërtuar në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteti i Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e jugut, por edhe Labërinë e Kuveleshin. Ajo përmendet që në kohët e lashta ku parardhësit ishin fisi Ilir i Kaonëve, por historia moderne duket se fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i Venedikasve. Fqinjët tanë veriorë nuk mundën ta mbanin për shumë kohë dhe në shekullin e XIII-të, zona e Himarës u përfshi nga Karli i Anzhuve, në atë që ai e quajti Mbretëria e Arbërisë. Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që sot njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar që nga shekulli i XV-të, edhe me të ardhur nga zonat e Mirditës dhe Krujës. Më 1431, Himara u përfshi nga Perandoria Turke si një krahinë e Sanxhakut të Shqipërisë. Duke filluar që nga shekulli i XVI-të, si pasojë e disa kryengritjeve, Himara, ashtu si edhe Mirdita, siguroi një sërë privilegjesh dhe një lloj autonomie, që e lejoi të ruante fenë dhe flamurin Shqiptar. Fatkeqësisht, mungesa e rrugëve dhe zona malore krijoi vështirësi në komunikimin e saj me zonat e brendshme të vendit. Perveç gjuhës amëtare shqipe, duke shfrytëzuar detin, ata vendosën lidhje tregtare me Greqinë e Venedikun e kryesisht, me Korfuzin dhe si pasojë e këtyre lidhjeve, filloi të përdorej edhe gjuha greke e italiane për qëllime  tregtare. Që më 1912,  Himara kishte ngritur flamurin e pavarësisë dhe kishte dërguar përfaqësinë e saj në Vlorë.