Denoncimi për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit

513
Sigal

Flet Abaz Hoxha: Shkrimi im në gazetën “Zëri i Popullit”, më 12 nëntor 1972 tronditi Byronë Politike. Si u angazhua me urdhër të kryeministrit qeveria shqiptare, duke zgjidhur situatën brenda 24 orëve. Ja mjeshtrat që lanë një thesar për historinë e kombit

18 vjet përpjekje këmbëngulëse për ndërtimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

  • -Shkrimi tim  në gazetën “Zëri i Popullit” në 12 nëntor 1972 që tronditi Byronë Politike
  • -Të nesërmen zv/kryeministri Xhafer Spahiu thirri në mbledhje urgjente ministrin e Arsimit, zv/Ministrin e Punëve të Brendshme, shefin e përgjithshëm të Policisë
  • – Si raportuan komandanti i zjarfiksave, drejtori i Kinostudios, drejtori i Radiotelevizionit shqiptar dhe drejtori i Institutit të Projektimeve
  • -Letra që i dërgova Adil Çarçanit për arkivin e filmit ku shpreha revoltën për vonesën e zgjidhjes së problemeve
  • Abaz T.Hoxha, historian i kinematografisë

/Kujtime/

Do të na duhet shumë Film-Arkiva

Ky ishte titulli i një shkrimi tim  në gazetën “Zëri i Popullit” në 12 nëntor 1972. Të nesërmen aparati shtetëror shpalli alarmin. Në orën 10 të asaj dite zv/kryeministri Xhafer Spahiu thirri në mbledhje urgjente ministrin e Arsimit, zv/Ministrin e Punëve të Brendshme, shefin e përgjithshëm të Policiëe, komandantin e zjarfiksave, drejtorët e kinostudios dhe tradiotelevizionit shqiptar, drejtorin e Institutit të Projektimeve etj dhe dha udhëzime të prera që të merreshin masa urgjente për ruajtjen e fondit filmic. Të transferohej fondi në një objekt më të përshtatshëm, të sigurohej objekti duke u rrethuar dhe të vendoseshin roje të armatosura si dhe të merreshin menjëherë masat për projektimin e një arkivi të ri në përputhje me kushtet bashkëkohore.

Dy ditë më vonë më thirri edhe mua dhe më përgëzoi për problemin e rëndësishëm që kisha trajtuar në shtyp. Pas një muaji  u hartua rregullorja e brendshmë  duke u emëruar Arkivi Shtetëror i Filmit i RPSh, që provizorisht do të vepronte nën juridiksionin e drejtorisë së kinostudios në rangun e një redaksie me një status të veçantë gjysëm autonom.

Pas kësaj unë u transferova nga  sektori i kinemave që drejtoja deri atëhere në drejtimin e Arkivit të Filmit. Mbasi bëmë rrethimin e objektit ku do vendoseshin provizorisht fondet morëm menjëherë masat për transferimin e fondit duke i vënë gjithë punonjësit e kinostudios në rrjesht dhe dorë më dorë u transferua i gjithë fondi brënda ditës në objektin e ri. Gjatë kësaj kohe u bë edhe inventari fizik i të gjithë fondit shqiptar dhe të huaj dhe u morën disa masa provizore për të krijuar disa kushte të përafërta për temperaturën dhe lagështinë në depot e filmit duke u vendosur disa kondicionerë ajri brenda depove.

Menjëherë filloi ajrosja dhe kontrolli teknik i fondit çelja e kartelave bazë teknike dhe kartelat e depos dhe u bënë disa ndërhyrje të thjeshta si ajrisja dhe restaurimi teknik. U bë ndarja e fondit në 4 grupe 1. Kinoditarë,/Të rejat e ditës/, 2 Filma kronikalë e dokumentarë, 3.Filma artistikë, 4. Xhirime arkivore. Më vonë u shtua edhe grupi i filmave vizatimorë/të animuar/ dhe grupi i filmave ushtarakë që xhironte seksioni përkatës i ushtrisë. E njëjta gjë u bë edhe me fondin e filmave të huaj të trashëguar, por ky fond u nda në dy nëngrupe 1.filmat me bazë të djegëshme ose nitrocelulozë që xhiroheshin deri në fillim të viteve 50-të. 2. Filmat e padjegëshëm ose acetatcelulozë.

Hapi tjetër ishte krijimi i një aparati informativ shkencor me kartelat bazë shkencore dhe krijimi i skedarëve. Për hartimin e kartelave bazë shkencore filloi vizionimi në ekran i të gjithë fondit dhe kartelat përmbanin të gjithë informacionin mbi filmat si koha dhe vendi i xhirimit, autorët dhe interpretuesit e roleve kryesore . Për filmat artistikë, përmbajtja e shkurtuar për çdo akt metrazhi ose minutazhi etj. Ndërsa pjesë e aparatit imformativ shkencor ishte edhe hartimi i skedarëve. Për këtë qëllim u studiuan përvoja e arkivave relativisht të vogla evropiane dhe sistemi universal vjetor i bibliotekave dhe filloi zbërthimi në nëntë grupe skedarësh në fushat kryesore të dijes.

Paralelisht filloi një punë intensive për grumbullimin e materialeve të shkruara dhe në foto si tekstet, listëdialogjet, listëmontazhet, skenarët letrarë dhe tekniko-regjisorialë, provat e aktorëve etj dhe vumë rregull që çdo film që dorëzohesh në arkiv të shoqërohesh me matërialet e shkruara për të cilat gjetëm një rezistence të madhe nga sektorat kryesorë të prodhimit dhe sidomos montazhit. Për të lehtësuar punën kërkimore të kineastëve dhe studiuesve, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare,  filluam edhe mikrofilmimin e të gjithë matërialeve të shkruara. Të gjitha këto së bashku edhe me tërheqjen e posterave dhe çmimeve dhe diplomave që merrnin filmat ose autorët do të ishin bazë për ngritjen e një muzeu të kinemasë dhe bibliotekës shkencore të saj.

Hapi tjetër ishte tërheqja e një sasie filmash nga institucione të ndryshme si Radiotelevizioni shqiptar, Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë, të cilat ata donin t’i asgjësonin se simbas tyre ishin pa vlera. Po kështu filloi bashkëpunimi me Institucionet kinematografike të huaja  për të siguruar filma të xhiruara në Shqipëri ose për Shqipërinë nga shoqëri kinematografike evropiane.

Gjatë kësaj kohe u ngrit një grup xhirimi dhe u bë një plan perspektiv afatgjatë për xhirime arkivore të personaliteteve të kulturës, arteve, veteranë e patriotë, objekte të ndryshme të kulteve, kala e kështjella të Shqipërisë etj, dhe filloi xhirimi i tyre.

Hap i mëtejshëm ishte krijimi i disa katalogjeve tematikë dhe biografikë për qëllime të brendshme sikurse edhe një katalog bibliografik për shkrimet në shtypin e kohës për kinematografinë, filmat dhe kineastët.

Por detyra kryesore e jona që mua më angazhoi gadi 17 vjet përplasje me institucionet e ndryshme shtetërore dhe vetë brënda kinostudios ishte ndërtimi i Arkivit të ri, hartimi i një programi dhe projektues teknologjik sikurse dhe bashkëpunimi me Institutin e Projektimeve për projektin teknik për ndërtimin e objektit të ri të Arkivit Qëndror të Filmave. Ndonëse porosia për ndërtimin e arkivit të ri ishte dhënë nga Këshilli i Ministrave që në vitin 1972 ai vihej në plan dhe hiqej për arsye të ndryshme nga vetë kinostudio dhe ministria e Arsimit. Kinostudio nuk e mbronte duke u interesuar kryesisht për sigurimin e fondeve për nevojat imediate të prodhimit dhe ministria i kalonte fondet për objekte të tjera duke mos e vlerësuar ndërtimin e tij. Më në fund e humba durimin dhe ju drejtova me një letër direkt Kryetarit të Këshillit të Ministrave Adil Çarçani ku shprehja revoltën për vonesën dhe gadi një ultimatum se po të ndodhte ndonjë fatkeqësi për  zhdukjen e fondit filmik arkivor do të përgjigjeshim para historisë. Kjo letër u vlerësua nga Kryeministri dhe u dha urdhër që të fillonte menjëherë ndërtimi i Arkivit vitin e ardhshëm /1986/.

Arkivi i ri u konceptua në katër blloqe kryesore: 1. Blloku i depove të ftohta për të siguruar kushte optimale të temperaturës dhe lagështisë. 2 Blloku i mirëmbajtjes, përpunimit shkencor dhe administrates. 3. Blloku i shfrytëzimit të fondit ku bënte pjesë salla e vizionimit, skedarët dhe dy mjedise të vogla për muzeun e kinemasë dhe bibliotekën shkencore. 4. Salla e makinerive ku vendosen kompresorët, pompat, ftohësit,  kondicionerët etj.

Për sigurimin e kushteve teknologjike të ruajtjes në parametra optimale të temperaturës dhe lagështisë relative si dhe për sigurimin e fondit nga keqbërësit u projektua me dy linja elektrike, që kur ndërpritesh njëra të vihej në funksionim automatikisht furnizimi nga linja tjetër. Po kështu u projektuan tre sisteme sinjalizimi: 1. Sistemi i alarmit kush hynte në depot e ruajtjes. 2. Sistemi i sigurimit nga zjarri. 3. Sistemi i sigurimit të rrethimit natën. Në konsultim me Federatën Ndërkombëtare të Arkivave dhe anëtarëve të saj u importua një aparat i posaçëm për sigurimin e kushteve të parametrave dhe lagështisë sikurse edhe rreth 20.000 qese të posaçme për mbylljen në vakuum të origjinaleve të figurës dhe zërit në mënyrë që të mos dëmtonte ambienti i jashtëm edhe kur mungonte energjia elektrike. Ky aparat ishte instaluar në disa arkiva audiovizuale të Evropës dhe Amerikës dhe kish dhënë rezultate. Por fatkeqësisht ky aparat ende edhe sot është lënë në një qoshe e nuk përdoret. Po kështu u morën masa për evakuimin e shpejtë të fondit në kushtet e emergjencave ( luftë, tërmete dhe katastrofa të tjera natyrore dhe për këtë u porositën arka të posaçme alumini ku u futën kasetat e filmave /siç jepet në depot.

Problem më i vështirë ishte sigurimi i pajisjeve, të cilat kishin një kosto të lartë për kushtet e kohës. Rreth 700.000 dollarë kur atëhere kishte shumë probleme të tjera deri ndërtimi i një fabrike letre që bënte rreth 300.000 dollarë, sikurse ndërtimi i një biblioteke kombëtare që u vu disa herë në plan dhe nuk harriti të ndërtohej.

U lidha me një firmë suedeze të specializuar që ne atëhere kishim marrëdhënie të stabilizuara tregëtare. Pas shumë përplasjesh harritëm të lidhnim një kontratë për sigurimin e të gjitha pajisjeve ku në veçanti ishte edhe sistemi i rafteve të lëvizëshme për vendosjen e filmave që ishte një risi me pajisje që vinin për herë të parë në Shqipëri. Për këtë pata një përplasje të fortë me organet qëndrore të shtetit dhe deri në Byronë Politike. Të them të drejtën bëra një hile duke menduar se kontrata, që u lidh mund të vazhdonte edhe disa vjet për t’u zbatuar për likuidim fondesh. Sipas praktikës të firmës përkatëse duhej t’i paguhej një paradhënie garancie dhe likujdimi i plotë do bëhej pasi të siguroheshin fondet. Por unë e shpejtova procesin duke e bërë fakt të kryer dhe i bëra një telegram firmës që të niste menjëherë pajisjet gjë që presupozonte se do të likuidoheshin fondet menjeherë. Kjo shpalli alarmin në Byronë Politike dhe qeverrinë shqiptare se duhej të hiqeshin fonde nga objekte të tjera dhe duhej bërë likuidimi i pajisjeve të Arkivit. Më thirrën dhe më kërcënuan për këtë që e vuri në pozita të vështira qeverrinë, por unë u përgjigja se arkivi nuk mund të vihesh në funksionim  vetëm me muret dhe derisa pajisjet u kontraktuan ato duhej të likujdoheshin. Më thirrri Kryetari i Komitetit të kulturës dhe arteve Alfred Uçi dhe më hoqi vërrejtjen, por pajisjet erdhën menjëherë dhe filloi  montimi i tyre.

Ndërtimi i Arkivit të ri përfundoi në mesin e vitit 1990 dhe bënte pjesë ndër 6 objektet më të rëndësishme social kulturore që u ndërtuan në Tiranë: 1. Muzeu Historik Kombëtar, 2.Galeria e Arteve, 3 Instituti i Informacionit, 4.Pallati i Kongreseve dhe 5.- Piramida .

Arkivi qëndror shtetëror i filmit

Arkivi qëndror shtetëror i filmit shqiptar (AQSHF – Shqipëri) është institucion nën varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. AQSHF-ja është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF). Ky institucion shkëmben materiale arkivore për zgjerimin e pasurimin e inventarit të tij me homologë shtetërorë e privatë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në kushte reciprociteti. AQSHF-it merret me ruajtjen, përpunimin shkencor, pasurimin me materiale të reja dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore filmike për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore, duke respektuar të drejtat morale dhe ekonomike të autorit. Ky institucion shkëmben materiale arkivore për zgjerimin e pasurimin e inventarit te tij me homologë shtetërore e private brenda dhe jashtë Shqipërisë, në kushte reciprociteti.

Historiku

Ai që sot quhet Arkivi i Filmit ka qenë thjesht një depo, trashëguar nga lufta dhe e vendosur pranë kullës së Sahatit në Tiranë. Funksionet e tij ishin ato të një Kinemateke.

Në 1947, në bazë të vendimit 160 të Këshillit Ministerjal, me dekret Nr. 314 të ligjit Nr. 422 “Mbi shtetëzimin e kinemave”, krijohet Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, fillimisht si një magazinë ruajtjeje për filmat e grumbulluara nga shtetëzimi i kinemave private.

Në prill të vitit 1963, Federata Ndërkombëtare e Arkivave të Filmit (FIAF) me qendër në Paris, propozon anëtarësimin e Filmotekës në këtë Federatë.

Në vitin 1970 Arkivi i Filmit u pranua në FIAF si anëtare me të drejta të plota.

Nga viti 1947 – 1996, Arkivi funksionoi si një nga degët e Kinostudios “Shqipëria e re”.

Në vitin 1989 filloi ndërtimi i ri i godinës së Arkivit, i cili përfundoi në fund të vitit 1990, kur filloi edhe transferimi i fondit.

Në 1 prill të vitit 1997, AQSHF shkëputet nga Alba Filmi, ish Kinostudio “Shqipëria e re”, dhe hyn në radhën e Institucioneve të tjera kulturore me përgjegjësinë që krahas librit, pikturës, muzikës e folklorit, shoqëria shqipare të ruajë dhe të mbrojë edhe veprat e artit të shtatë, si të konstitucionit të saj shpirtëror historik ashtu edhe të huaj.Themelues i tij është z.AbazHoxha.

Në vitin 1998 AQSHF-it kthehet në një institucion të hapur dhe fillon programet e veta të shfaqjeve në fillim në salla të tjera dhe pastaj brenda ambienteve të veta.

Në vitin 1999 hapet salla Kolë Idromeno me 40 vende.

Në vitin 2000 inaugurohet Salla 2000 e shfaqjeve të filmit me 120 vende, ku funksionojnë aparatet optike të projeksionit të dhuruara nga Televizioni Shqiptar.

Në vitit 2001 fillon hedhja e informacionit arkival në sistemin databazë.

Në 2002 krijohet fondi i seleksionuar i hedhur në SVHS me qëllim të organizimit të shfaqjeve publike edhe jashtë Tiranës.

Në vitin 2003 AQSHF pasurohet me negativa të fotove nga historia e kinematografisë shqiptare.

Në 2005 me Ligjin Nr. 9353, dt. 3.3.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8096, dt. 21.3.1996 “Për kinematografinë””, fondi i prodhimit shtetëror të ish Kinostudios “Shqipëria e re”, filma artistikë, dokumentarë dhe kronika të periudhës 1945 – 1990, kalon nën administrimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike.

Në 2005, AQSHF në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përgatit Projekt Statutin dhe Rregulloren e Brendshme të AQSHF.

janar 2006, miratohet statuti i AQSHF.