Bashkim Koçi: Prof. Ismet Elezi ,veterani që shndrit shekullin

Kam mbetur i mahnitur kur kam mësuar disa tregues të fshatit Fterë të Sarandës! Jo për pasuritë e bukuritë e Fterës, të cilat ia ka falur natyra, por për një pasuri e bukuri tjetër, për atë që banorët e Fterës, njerëzit e lindur dhe rritur në ata troje, të kenë dhënë aq shumë urtësi e mençuri, kontribute që e kanë patur dhe e kanë burimin në thesarët e mendjes. Nuk gjen asnjë degë të shkencës e të dijes ku fteriotët të mos kenë dhënë shpirtin dhe dijet e tyre të vyera, e madje edhe me tepri. Gjej rastin të sjell faktin se Ftera numëron 11 personalitete që mbajnë titujt Profesor, Doktorë Shkencash, si dhe një numër jo i vogël mësimdhënësish të cilët kanë meritur titujt “Mësues i Popullit” e “Të Merituar” etj. Eshtë ky fshat “pjellor” personalitetesh i cili na ka dhuruar edhe një figurë të lartë të jurisprudencës shqiptare, Prof. Ismet Elezin.

Profesor Ismet Elezi ka lindur plot 105 vjet më parë, më 5 Prill të vitit 1920. Lindi në kohë luftërash, në atë mot kur dyndën pushtuesit italianë drejt qytetit të Vlorës për ta përçarë e pushtuar. Ismeti do të vinte në jetë nga një familje qëndrestare që e donte vendlindjen dhe kishte qenë e mbetej sy zgjuar për fatet e Shqipërisë. Babai i tij, Tahsin Elezi, paskësh qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën e Vlorës, në Organizatën “Bashkimi“ dhe pjesëmarrës i lëvizjes fanoliste të Qershorit 1924, shkak për të cilin u internua nga regjimi monarkist i Zogut.

NOA

Ndodh me njeriun siç ndodh me pemën: sa më shumë ajo mësyn drejt dritës, aq më fort rrënjët e saj kapen me tokën. Kjo dukuri u shfaq edhe tek djaloshi fteriot Ismet Elezi.  Madje qysh në rininë e tij. Sapo mbaroi mësimet fillestare në vendlindje, në vitin 1942, ai do të “kapte qiejt” në këtë rrugëtim për t’u arsimuar, mbasi mbaroi suksesshëm edhe Liceun e Tiranës. Ishte po ky vit që trokiti me një dhuratë edhe më të çmuar sepse fitoi konkursin për të shkuar në qytetin e Firences, në Itali, ku do të studionte në Fakultetin e Letërsi-Filozofisë.

Ka në botë të tillë shpirtra që zmbrapsen “në punët e tyre”, në rehatin e tyre, në vend që të bëjnë përpara, të bëhen pjesë e të mirës, të angazhohen në çështje që kanë të bëjnë me fatet e kombit edhe pse mund të të kërkohen vuajtje e mundim. I riu Ismet Elezi ndoqi këshillën e të parëve të tij, të qëndrestarit, e madje pa e kthyer kokën pas. Ishte kjo arsyeja që ai të merrte vendimin e madh, të kthehej nga Italia në Shqipëri me besimin e patundur se po ndiqte rrugën e duhur. Ishte muaji korrik i vitit 1943 kur ai vendosi të bëhej pjesë e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, pjesë e rinisë antifashiste. Ky angazhim që kishte mbërthyer zemrën dhe shpirtin e djaloshit nga Ftera vazhdoi deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Më pas, pra pas çlirimit të vendit, ky i ri ëndërrimtar për të ardhmen e tij, mbeti të ishte ai që ish, njeri me zell e vullnet të shenjtë për të bindur vetveten se i kish të gjitha mundësitë për të bërë e realizuar gjëra të mëdha. Këtë përshtypje ai e kishte krijuar edhe tek bashkëpunëtorët e tij të porsa dalë nga lufta çlirimtare. Duke qënë një i ri me plot dinjitet dhe me aftësi për t’u përballur me punë, qofshin edhe të vështira, në prill të vitit 1945 mori mbi vete detyrën për të punuar në sektorin e propagandës të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Fjala dhe entuziazmi i tij rinor ngjiti kudo ku i shkeli mendja, por sidomos në krahinën Kurveleshit. Në këtë pozicion ai qëndroi deri në shtator 1946.

Detyra e çdo njeriu është të ndriçojë njohuritë e tij në një fushë të caktuar në mënyrë që drita e dijes të rrezatojë edhe tek të tjerët. Te Ismet Elezi mesa duket kishte gjetur vend dëshira për të studiuar për drejtësi, për atë çka kishte dëgjuar se drejtësia ishte virtyt i shpirtrave të mëdhenj. Dhe ja ku mbriti fati, fat që qo do të mbetej nga më të çmuarit gjatë gjithë jetës. Në vitin 1946 ai do të fillonte studimet për drejtësi në Leningrad, në një nga universitetet më me zë të kohës, për t’i mbaruar në vitin 1951 me rezultate të shkëlqyera. Sepse në ato vite shkollimi ai u udhëhoq nga parimi: Sot një student, nesër një drejtues i zoti.

Dhe ky shkëlqim domosdo që la gjumë të arta, ndaj ishte Ismet Elezi ai që do të përzgjidhej për të vazhduar studimet pasuniversitare (1957-1961) ku edhe iu akordua grada shkencore.

Misioni i Prof. Ismet Elezit, si njeri i fushës së drejtësisë, e konsideronte atë më shumë se detyrë hyjnore, besimi i tij më i madh, duke e “detyruar”  veten si të lidhurin e përjetshëm pas qëllimit që i kish vënë vetes. Në këtë këndvështrim ai e kishte bindje se kushdo që është një drejtues i shkëlqyer i punëve të veta, do të jetë një drejtues i shkëlqyer edhe i punëve të shtetit.

Në pozicionet që mbajti gjatë viteve si Prokuror Kasacioni pranë Gjykatës së Lartë, Sekretar Shkencor i lnstitutit të Shkencave, Sekretar Shkencor i Universitetit të Tiranës, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave (1966-1985), drejtues i Katedrës Penale në Fakultetin e Drejtësisë (1957-1990) etj. duhet thënë me zë të lartë e gojën plot se ky intelektual mbetet shembull i përsosmërisë e që meriton t’i thuhet se kjo figurë e lartë mbetet krenari për kombin. Gjëja më e vështirë për juristin Ismet Elezi, tek i cili kishte triumfuar inteligjenca e njeriut të ditur, ishte të kuptonte se ku fillonte detyra dhe ç’përpjekje duhet të bënte për ta mbajtur kokën lart jo në një çast, por gjatë gjithë jetës. Dhe ky përkushtim i madh, i kishte rrëmbyer shpirt e zemër Profesorit tonë, për t’u udhëhequr nga motoja: Le të mbretërojë kudo drejtësia! Vetëm kështu ai do të tregohej konsekuent për t’u kujdesur për vazhdimësinë në karriere, njësoj si për fillimin, si atëherë kur ishte betuar për të qenë besnik i së vërtetës. Për Prof. Ismet Elezin suksesi ishte dhe mbeti deri në fund një proces i vazhdueshëm, jo një status që arrihet e nuk ka shkallë për t’u ngjitur më lart.

Për rreth 50 vjet ai do të punonte si pedagog pranë UT, në Fakultetin e Drejtësisë, ku në këtë udhëtim të suksesshëm mori edhe titullin “Profesor”. Ishte viti 1972. Eshtë rasti dhe vendi të sjellim faktin se titulli Profesor nuk do të ndryshonte asgjë tek karakteri apo tek puna e tij sistematike për të ndjekur hap pas hapi zhvillimet dhe proceset që kishin të bënin me përsosmërinë, qoftë të formimin profesional të studentëve, qoftë në zhvillimet progresiste të sistemit të drejtësisë. Profesor Ismet Elezin nuk e bëri për vete asgjë që të mund të largohej nga udha e së vërtetës; as interesi, as karriera e as frika se mos bëhej shkak për të lënduar njeri, duke përdhosur ligjin, duke u larguar nga udha e së vërtetës.

Profesori ka krijimtari të gjerë shkencore me mbi 8000 faqe të botuara, të sistemuara dhe të gatshme për të mbetur një bibliotekë e vogël për brezat që do të studiojnë për shkencën e bukur, por të vështirë të drejtësisë. Vepra shkencore: “E drejta zakonore penale e shqiptarëve” ka marrë Çmimin e Republikës. Vepër tjetër me vlerë të veçantë është dhe “E drejta zakonore e Laberisë”. Është autor i 14 teksteve universitare, 27 vepra shkencore si dhe 16 libra si bashkautor i teksteve të tjerë me të cilët për shumë studiues kanë qenë e do të mbeten “lëndë e parë” për zgjerimin dhe konsolidimin e formimit në jurispudencë. Po ta shikojmë veprimtarinë e tij ca më gjere bje në sy fakti që Prof. Ismet Elezi ka qenë aktiv, intelektual me kërkesa të larta. Ai mbetet një ndër personalitetet më në zë që ka marrë pjesë në mjaft konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Njeriu nuk vjen në jetë që të punojë e çalltisë për të qenë vet i lumtur, por edhe për të bërë detyrën e tij aty ku i ka rënë për pjesë të kontribuoje. Prof. Ismet Elezi i është përgjigjur kësaj kërkese në mënyrë konstante, gjë që ka lënë gjurëmë në formimin e këtij personaliteti të lartë, personalitetin që ka sot në sy të shoqërisë ku punoi e kontribuoi. Janë këto virtyte që në vitin 1998, Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombetar” në shkencë. Ai së fundmi është ndëruar edhe nga Bashkia e Tiranës në kuadrin e vlerësimit të veteranëve  shekullorë bashkë me konstitucinalistët Prof. Njazi Jaho e Prof. Luan Omari.

Presidenti Bajram Begaj, Prof. Ismet Elezi dhe Prof Njazi Jaho

Profesori ynë tashmë e ka kapërcyr shekullin, madje festoi edhe 105 vjetorin e lindjes, gjë për të cilën presidenti i Republikës zoti Bajram Begaj organizoi një ceremoni të veçantë. Por, siç e dimë të gjithë, nuk janë vitet që largohen prej nesh, por çfarë ato lënë pas.

Ky veteran dhe Profesor i nderuar i duhet të ndjehet i lumturuar sepse i ka bërë të gjitha detyrat, ashtu si do ta kishim zili të gjithë.

 

Në ceremoninë e 105 vjetorit të lindjes  të Prof. Ismet Elezit, organizuar në mjediset e Presidencës nga Presidenti Bajram Begaj.