Serbia mbajti tre dite zi për disfatën e rëndë në Bërdicë

1442
Përparim REXHEPAJ
Pas tre muajsh luftime të përgjakshme (9 tetor- fillimi i Dhjetorit 1912), ushtria e Malit të Zi, që pat trumbetuar se do ta pushtonte Shkodrën për 10 ditë, nuk kishte marrë as edhe një rajon të mbrojtjes së saj, si Taraboshi, Shtoji, Bardhaj i Madh dhe Bërdica. Ndërkohë, më 3 dhjetor 1912, u bë armëpushimi i Çatallnxhasë (qytet ne Turqi) për ndërprerjen e veprimeve luftarake ndërmjet ushtrisë otomane dhe aleatëve ballkanikë( Serbi, Greqi, Bullgari, Mali i Zi). Mbret Nikolla i Malit të Zi i kërkoi komandantit të Garnizonit të Shkodrës, Hasan Rizasë që ta zbatonte armëpushimin, por sipas një historiani italian, me akses të plotë në arkivat serbe dhe malazeze (Gianni Baj Macario “Balcani 1912-1913”, Milano, 1937) ai iu përgjigj se ”Tashmë, Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhra nga një komandë turke dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet kundër malazezëve”. Hasan Rizaja hyri në bisedime me krerët e malësorëve katolikë të Mbishkodrës, që po luftonin përkrah ushtrisë malazeze për një marrëveshje bashkëpunimi kundër trupave të Malit të Zi dhe të Serbisë, që kishin rrethuar Shkodrën. U ra dakord për sulmin e përbashkët, pasi malësorët e kuptuan se malazezët po i shfrytëzonin për qëllimet e tyre aneksioniste të trojeve shqiptare. Por më 31 janar 1913, pasi piu kafe tek shtëpia e Esad Toptanit, Hasan Rizaja u vra pabesisht nga Osman Bali, truproja kryesore e Esadit, i cili mori komandën e Garnizonit të Shkodrës. Menjëherë, Esadi u dërgoi një letër krerëve të ushtrisë malazeze dhe të asaj serbe (që ishte dislokuar në rajonin Bushat-Lezhë), duke kërkuar armëpushim dhe bisedime. Nga pala serbe dhe ajo malazeze erdhi përgjigje negative, pasi sipas tyre, kjo kërkesë ishte bërë më parë prej tyre, por ishte hedhur poshtë nga Hasan Rizai. Franca dhe Rusia e kishin këshilluar mbret Nikollën që sa më shpejt ta bënte “fakt të kryer” pushtimin e Shkodrës, pasi vazhdonte punimet Konferenca e Londrës, që po vendoste kufijtë e shtetit të ri shqiptar. në mënyrë që ata të kishin një argument të fortë në dorë se Shkodra duhet t’i jepej Malit të Zi. Por humbjet e mëdha që kishte pësuar ushtria malazeze nuk jepnin garanci se Mali i Zi i vetëm mund ta merrte Shkodrën. Mbret Nikolla u detyrua të kërkojë ndihmën e Serbisë, duke pranuar kushtin e saj që Mali i Zi të hiqte dorë nga Peja dhe Gjakova, të pushtuara nga ushtria malazeze. Siç do të shpjegojmë më pas, kjo ndihmë serbe do t i kushtonte shumë rëndë Malit të Zi. Trupat malazeze dhe serbe, pasi kishin përfunduar përgatitjet e fundit për një mësymje të përbashkët kundër Shkodrës, ishin të sigurt që do ta pushtonin qytetin, pasi kishin dislokuar 7 divizione( 4-Mali i ZI dhe 3-Serbia). Sipas kujtimeve të Edit Durham, e cila shoqëroi trupat malazeze nga Podgorica deri në afërsi të Shkodrës, kaq e sigurt ishte se Shkodra do të pushtohej, sa që qindra gra malazeze, të pajisura me sëpata e litarë, pasi kishin grabitur më parë fshatrat shqiptare të pushtuara, nganjëherë edhe telat e telefonit të ushtrisë malazeze, prisnin përreth Shkodrës për të nisur grabitjen e qytetit. Më 7 shkurt 1913., ushtria malazeze sulmoi e para në Tarabosh, Shtoj dhe Bardhaj të Madh, kurse trupat e tri divizioneve serbe (Drini 1, Drini 2 dhe Shumadija) qëndronin në gatishmëri, por nuk filluan veprimet luftarake. Përleshje shumë të ashpra e të përgjakshme vazhduan, deri në datën 8 shkurt. Malazezët mundën të pushtojnë vijën e parë të mbrojtjes në Bardhaj të Madh, Shirokën dhe dy transhe në Tarabosh, kurse në Shtoj nuk bënë dot asnjë hap përpara. Humbjet ishin tepër të mëdha. Në Tarabosh u vranë 1500 luftëtarë malazezë, në Bardhaj grupimi i Zetës humbi 40 për qind të efektivit, kurse në Shtoj, rreth 2 mijë vetë. Në Tarabosh, për të kursyer jetën e luftëtarëve të rinj, u krijua një grup prej rreth 400 pleqsh malazezë, të cilët sulmuan me bomba dore gardhin e telave me gjemba, por pothuajse të gjithë u vranë. Komanda e Garnizonit të Shkodrës hodhi rezervat në kundërsulm për rimarrjen e vijës së parë të mbrojtjes në Bardhaj të Madh. Trupat e grupimit të Zetës, sipas një autori malazez, “me shpirt në dhëmbë” mezi po qëndronin. Në këto kushte, Komanda e Lartë e ushtrisë malazeze i kërkoi me këmbëngulje komandës serbe që të sulmonte në Bërdicë, me shpresën se do të lehtësohej presioni i ashpër i trupave shqiptaro-turke. Në datën 8 shkurt në darkë, komandanti i forcave operacionale serbe, koloneli Popoviç vendosi të sulmonte të nesërmen, herët në mëngjes Bërdilën me dy kolona. Nga krahu i majtë-një regjiment i përforcuar , nga krahu i djathtë-dy regjimente, gjithsej 11 batalione. Kolonat serbe e kaluan natën në formacion luftimi. Trupat e kolonës së krahut të majtë, duke ecur në një terren tepër moçalor në Trush e Shirq, me baltën e ujin deri në brez, nuk rezistuan dot më dhe u ndalën. Komandanti i kolonës së majtë, në kushtet e errësirës dhe terrenit të vështirë moçalor, humbi ndërlidhjen me Popoviçin dhe vendosi që të ndalonte. Në orën 03.30 të datës 9 shkurt 1913, këmbësoria serbe e kolonës së krahut të djathtë u hodh në sulm kundër rajonit të fortifikuar të Bërdicës, në krahun e majtë të rrugës aktuale Bushat-Shkodër. Për të ruajtur fshehtësinë e veprimeve serbët nuk bënë përgatitje me artileri. Vetëm pak minuta përpara sulmit një bateri malore nga Melgusha shtiu disa herë kundër pikëmbështetjeve të para në Bërdicë ( ishin katër të tilla, me disa transhe dhe 8 radhë me tela me gjemba). Këmbësoria serbe kishte një detyrë tepër të vështirë. Ajo duhet të përparonte në një errësirë të thellë dhe terren tepër moçalor, që shtrihej para vijës së parë të mbrojtjes në Bërdicë. Toka pranë telave me gjemba, në shumë raste, ishte me gropa të thella të mbushura me ujë dhe llucë. Disa gropa ishin aq të thella, sa luftëtarët duhet ti mbushnin me trupat e tyre që të kalonin të tjerët. Kur iu afruan gardhit me tela me gjemba para transhesë së parë, ushtarët serbë ndezën disa llamba dore dhe filluan të bërtisnin “Zhivio Petër”( Rroftë mbreti Petër). Ata u munduan të shkatërronin telat me gjemba me bajoneta, qyta pushkësh, sakica, etj. Me gjithë errësirën e madhe të natës, sa që ushtarët nuk mund të dallonin njeri tjetrin, qindra prej tyre mundën të depërtonin brenda telave me gjemba, kurse pjesa tjetër vinte rrotull nëpër ujë e baltë që të gjente një shteg për t’u futur. Ndërkohë, nga trupat e rajonit të Bërdicës mbahej një heshtje e thellë, asnjë zhurmë dhe asnjë e shtënë.

“Kuku majko, za mene!”.
Kur komanda e rajonit të Bërdicës u sigurua se brenda telave me gjemba ishte futur një numër i madh i ushtarëve serbë, dha urdhër të ndizej një prozhektor i madh me diametër 900 mm, i vendosur në lartësinë 168 metra. Drita e e fortë e prozhektorit ndriçoi krejt terrenin dhe i verboi ushtarët serbë. Menjëherë, kundër tyre filloi një zjarr i fuqishëm, i kombinuar i pushkëve, mitrolozave dhe topave me qitje të shpejtë. Sipas gazetarit serb Jasha Tomiq, i cili ka qenë dëshmitar okular, ushtarët serbë, të tmerruar dhe të zënë në befasi, ja filluan në kor një ulurime kobzezë “Kuku majko za mene”°. Redifët/rezervistët shqiptarë (dibranë, devolli dhe elbasanli,) vullnetarët shkodranë, si dhe nizamët turq, u hodhën në kundërsulm, duke i goditur nga krahët dhe nga prapa ushtarë serbë, të mbërthyer nga paniku. Shumica e tyre u vranë në distancë të afërt dhe me bajonetë. Kur zbardhi dita, trupat e qindra ushtarëve serbë vareshin në gardhet e telave me gjemba. Vetëm rreth 600 vetë mbeten gjallë nga efektivi i skalionit të parë, që u fut brenda transheve të Bërdicës. Skalion i dytë, i tmerruar u tërhoq në panik drejt Melgushës. Sipas mareshalit turk Fevzi Çakmak dhe Nazif e Kirametin ( oficerë të Shtabit të Garnizonit të Shkodrës), nga efektivi i rajonit të Bërdicës u vranë 45 vetë, kurse nga raporti që dha misioni i shëndetësisë turke, serbët patën më shumë se 1550 të vrarë, mes tyre 39 oficerë dhe dy tre fish të plagosur. U zunë rob 8 oficerë, një kapiten, tre togerë, si dhe 450 nënoficerë e ushtarë, nga këta 100 ishin të plagosur, që u dërguan në spitalet në Shkodër. Shtypi serb i kohës e quajti këtë përleshje “Kasaphana e Bërdicës” dhe një nga humbjet më të mëdha, gjatë gjithë Luftës së Parë Ballkanike. Serbia mbajti tre ditë zi për oficerët dhe ushtarët e saj, që lanë kockat në Bërdicë. Edhe në këngët popullore shkodrane është ruajtur kujtimi për disfatën e rëndë të ushtrisë serbe në Bërdicë. “Taraboshi e Bërdica, po bajnë shkinat kukavica. Kukavica, kukumene, nga kanë ngelë serbt ndër tela”.
Serbët dhe malazezët nuk guxuan më të sulmojnë Shkodrën
Grushti i rëndë që morën malazezët dhe serbët në luftimet tre ditore i konsumoi pothuajse plotësisht kapacitetet e tyre mësymëse. Këtë e tregojnë faktet se ushtria malazeze, nga data 9 shkurt e deri sa Esad Toptani e dorëzoi Shkodrën ( 22-23 Prill 1913) nuk ndërmori asnjë veprim mësymës, me përjashtim të një sulmi të kufizuar në Tarabosh, më 31 mars edhe ky pa sukses. E vetmja “luftë” e ushtrisë malazeze dhe serbe ishte bombardimi pa pushim, ditën e natën, pa dallim të lagjeve myslimane dhe ato katolike të Shkodrës për të ndikuar në thyerjen e moralit të popullit dhe luftëtarëve të saj. Pasi Mbret Nikolla pranoi kushtin poshtërues, që e gjitha ushtria malazeze të vihej nën komandën serbe, në fillim të Marsit 1913, mbërriti në portin e Shëngjinit e ashtuquajtura “Trupa bregdetare serbe”, me rreth 30 mijë forca, të imbarkuar me anije greke nga Selaniku. Megjithatë, serbët, pas mësimit të hidhur që morën në Bërdicë, nuk guxuan më të sulmonin Shkodrën. Ata manovronin forcat nga njeri drejtim në tjetrin, deri sa më 15 prill, qeveria serbe, e detyruar nga presioni i Fuqive të Mëdha, urdhëroi tërheqjen e ushtrisë serbe nga rrethimi i Shkodrës, pasi më 23 Mars 1913, qyteti ishte caktuar nga Konferenca e Londrës, brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar. Largimi i serbeve shuajti përfundimisht shpresat e Malit të Zi për ta pushtuar ushtarakisht Shkodrën. Luftimet mbi gjashtëmujore treguan se Mali i Zi nuk mund ta pushtonte i vetëm Shkodrën. Sipas historianit italian, Gianni Baj Macario “Është e qartë se pushtimi i Shkodrës ishte jashtë mundësive të ushtrisë malazeze”. Edhe historiani malazez Momir M. Markoviç e konsideron luftën e ushtrisë malazeze në Shkodër si “Aventura ose kasaphana shkodrane” që i kushtoi Malit të Zi, 10 mijë të vrarë dhe mbi 12 mijë të plagosur. Pas vendosjes kërcënuese së anijeve Luftarake të Fuqive të mëdha në ujërat dhe portet detare të Malit të Zi dhe paralajmërimit të Austro-Hungarisë se do ndërhynte ushtarakisht, nëse Mbret Nikolla nuk zbatonte vendimin e Fuqive të Mëdha për Shkodrën, Mali i Zi ndodhej në një pozitë të pashpresë… 

Qëndrimi i pabesë i Serbisë ndaj Malit të Zi
Në Luftën e Dytë Ballkanike, Mali i Zi për të shpërblyer Serbinë për ndihmën e dhënë në rrethimin e Shkodrës, vuri në dispozicion të saj (Serbisë) “si mish për top” (shprehje e historianëve malazezë) rreth 15 mijë luftëtarë në betejat e ushtrisë serbe kundër asaj bullgare për ndarjen e territoreve të Maqedonisë. Në këto luftime kjo njësi malazeze pati rreth 1 mijë të vrarë e të plagosur. Edhe në përballjen e përbashkët( Mali i Zi+Serbi) me ushtrinë austro-hungareze, në vitin 1915-1916, ushtria malazeze mbajti barrën më të rëndë të luftës, derisa u pushtua nga Austro-Hungaria. Por më e keqja ndodhi më vonë. Pas tërheqjes së ushtrisë austro-hungareze nga Mali i Zi, vendin e saj e zuri ushtria serbe. Mbret Nikolla u rrëzua nga froni, parlamenti u shpërnda dhe Mali i Zi u kthye me dhunë në një krahinë të Serbisë. Pushtimi “vëllazëror” i Malit të Zi nga Serbia u shoqërua me vrasjen dhe plagosjen e mbi 6 mijë banorëve. Sipas historianëve malazezë “ushtria serbe bëri krime të tilla mbi popullsinë civile, që nuk i kishte bërë asnjë pushtues, as përpara e as më prapa në historinë e Malit të Zi, si vrasjen e pleqve, përdhunimin e grave, therjen e nënave, bashkë me fëmijët, djegien e shtëpive etj”. Serbia gjithmonë e ka konsideruar Malin e Zi si një krahinë të saj dhe nuk mund të pranojë realisht që ai të jetë një vend i pavarur dhe të ndjekë një politikë sovrane. Këtë e tregoi edhe aktet terroriste që synonin të kryenin në Mal të Zi një grup shtetasish serbë dhe rusë, në shenjë hakmarrjeje për vullnetin politik të Malit të Zi për të qenë anëtar i NATO-s. Ujku qimen ndërron, por zakonin s’e harron.
Sigal