Jovan Bizhyti: Inxh. Farudin Nuri, emër i shquar i hidroteknikës. Letra e të atit për Presidentin e SHBA-ve Uillson

1118
Sigal

Babai i Besim Nurit i ka shkruar një letër dhe Presidentit të Amerikës në vitet 20 të shekullit të kaluar, Zotit Uillson

 

 INXH. FAREDIN NURI, EMËR I SHQUAR I HIDROTEKNIKËS

                                      BONIFIKUESE NË SHQIPËRI.

-Në vitin 1934, mori  bursë për studime të larta në Universitetin e Sorbonës në Paris të Francës, në degën e inxhinierisë civile

-Veprat kryesore projekti dhe zbatimi i kanalit Peqin-Kavajë, kanali Berat-Ura e Kuçit, ai Vjosë-Levan-Fier, kanali i Myzeqesë

Ka shumë personalitete të shquara, që pavarësisht se koha dhe vitet pa kthim i lënë pas në hije, vepra dhe kontributi historik e shoqëror i tyre mbesin të pavdekshme. Njeri prej tyre është dhe inxhi. Faredin Nuri, një emër i shquar i shkencës së hidroteknikës bonifikuese në sektorin e bujqësi, si një nga degët kryesore të ekonomisë shqiptare.

          Në ato kohë të vështira të pas luftës, ai ishte një ndër inxhinierët e pakt i studiuar dhe i diplomuar në Universitetin e Parisit në Francë, në degën e inxhinierisë civile, të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1940.

 

          Po kush ishte inxhi. Faredin Nuri dhe prejardhja e tij familjare?

Pinjoll i një familjeje të shquar atdhetare në Lushnje të Myzeqesë, djali i patriotit të dëgjuar, Besim Nuri, një atdhetar anti-osman, që u shqua në shumë revolta popullore kundër qeverisë osmane në Berat e në Lushnje në vitet para Pavarësisë së 1912-s.

Periudha pas Pavarësisë nën qeverinë e Ismail Qemal bej Vlorës, e gjeti Besim Nurin Kryetar të Katundarisë (Bashkisë) në qytetin e Lushnjes për dy legjislatura. Në vitin 1919, kur fatet e Shqipërisë ishin në rrezik për coptimin e kufijve nga fqinjët tanë shovinistë grek e serb, ai me disa patriotë të tjerë si, Eshref Frashëri, Ferit Vokopola, Jakov e Llazar Bozo, Sheh Ibrahim Karbunara, Taulla Sinani e të tjerë, ndërmorën nismën e ngritjes së një Komisioni Iniciator për thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes në Janar 1920, ku i drejtuan një thirrje gjithë patriotëve në mbarë trevat shqiptare, për t’u mbledhur në Lushnje dhe së bashku realizuan mbarëvajtjen e punimeve të atij Kongresi, që i tha ndal copëtimit të Shqipërisë dhe zgjodhi qeverinë legjitime të Sulejman Delvinës, për t’i dal zot vendit në ato situata kritike për fatet e saj.

Jo vetëm kaq, por patrioti Besim Nuri ka qenë ndër atdhetarët e veçantë, që ka ngritur zërin deri në Kancelaritë më të larta botërore, duke i shkruar një letër dhe ish Presidentit të Amerikës në vitet 20 të shekullit të kaluar, Zotit Uillson. Midis të tjerave në këtë letër spikat fryma patriotike, atdhedashuria për t’iu gjendur vatanit në ditët më të vështira të copëtimit nga lakmitë e shovinistëve fqinjë. Gjithashtu, kryebashkiaku Besim Nuri paraqitet si një burrë inteligjent, i kulturuar, njohës i situatës botërore, duke zgjedhur një mik të tillë me peshë si Presidenti Amerikan, duke i kërkuar ndihmën shpëtimtare të vendit tonë.

Besim Nuri në kërkesën e tij shfaq besimin, shpresën dhe lutjen që i drejton Presidentit të një vendi autoritar e me peshë në opinionin botëror, siç ishte Presidenti Amerikan Uillson, ku midis të tjerave e sinjalizon se, nëse fqinjët lakmitarë do tentojnë të fusin duart në kufijtë tonë, populli do ti mbrojë ato duke derdhur edhe gjakun. Ja teksti origjinal i letrës:

“Shkëlqesisë së tij, Uillson,

Kryetar t’Amerikës i Shteteve të Bashkueme Uashington!

 

Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Shkëlqesisë S’Uaj, sot iu luten të pranoni falënderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshirmadh që jeni tue kryer për shpëtimin e Atdheut të tyne. I nalti Kryetar, shpëtoni një popull që asht m’i vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdh gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet të 1913-tës. Ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufijtë natyral etnografik të Shkëlqesisë S’Uaj që nuk mund me kjen të ndara nga Mëma e tyne Shqipni. Ju lutemi në emën të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike”.

Kryetari i Katundarisë së Lushnjes

Besim Sadush Nuri

Lushnje më 17.03.1920

(Dokumente në Arkivën e Muzeut Historik të Lushnjes)

Ky ishte patrioti Besim Nuri, që vite më pas u burgos e u torturua nga qeveria fashiste italiane dhe më tej nga ajo e Ahmet Zogut, deri sa vdiq në Lushnje në 17 mars 1935. U varros sipas amanetit të tij në kodrinën në dalje të Lushnjes kur shkon për në Berat, që mban emrin,”Kodra e Kalifasë” dhe varri i tij për gjithë ato vite lufte e më pas, u harrua i braktisur si dhe i shumë patriotëve të tjerë. Me iniciativën e drejtuesve të muzeut historik të Lushnjes në 27 shkurt 2014, u zbulua varri i tij dhe një pllakë e shkruar me germa të skalitura nga osmanishtja e vjetër, ku në shqipërim thuhej: “Qëndro o ti që pas kësaj fle Besim Nuri”! Bashkia e Lushnjes, pas shumë dekadash i harruar, vitet e fundit e ka nderuar atë me titullin, “Qytetar nderi i Lushnjes”, pas vdekjes.

          Ai la pas dy djem dhe katër vajza

Djali i madh Faredini dhe djali tjetër Qenan Nuri, të dy të shkolluar dhe shkencëtar të dëgjuar, njeri në fushën e hidroteknikës bonifikuese dhe tjetri në atë të veterinarisë. Faredin Nuri, e çoi më përpara emrin e babait të tij dhe të familjes Nuri, tashmë jo si patriot luftëtar, por si shkencëtar e projektues i shumë veprave hidroteknike bonifikuese (kulluese e vaditëse) anë e mbanë Shqipërisë.

Inxh. Faredin Nuri lindi në Lushnje në vitin 1914. Shkollën fillore dhe atë qytetëse i kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në Liceun Francës të Korçës në vitin 1934, ku pasi doli me rezultate shumë të mira, mundi të siguroj një bursë për studime të larta në Universitetin e Sorbonës në Paris të Francës, në degën e inxhinierisë civile, ku u diplomua inxhinier hidroteknik.

Kur u kthye në Shqipëri në 1940, vendi ishte nën pushtimin fashist italian. Vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, ishin vite të vështira të jetës, ndaj ai pas vdekjes së të atit, u vendos familjarisht në Tiranë. U martua me një vajzë po nga familje e dëgjuar patriote në Lushnje, nga familja Nepravishta, me origjinë të hershme nga Nepravishta e Gjirokastrës. Ajo ishte vajza e vetme e Kabuli Nepravishtës, vëllait të patriotit Xhevdet Nepravishta, tregtar të dëgjuar në Lushnje, por të lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Xhevdet Nepravishta në vitin 1942 u zgjodh nën/kryetar i Këshillit të Frontit Nacionalçlirimtar. të qytetit të Lushnjes dhe më pas i gjithë nën/prefekturës së bashku me major Spiro Moisiun, që u zgjodh kryetar i këshillit. Xhevdeti ishte njëkohësisht nga  partizanët e parë që u përfshi në formacionet partizane të Myzeqesë, ku në luftimet e Operacionit të Dimrit 1943-44 përballoi mjaft beteja luftimi në malësitë e Tomorricës dhe të Gorë-Oparit, por në kthim, pas fitoreve në atë operacion të egër e të vështirë, ra dëshmor në malësitë e Sulovës në përpjekje me një grup gjermano-ballist. Një nga lagjet kryesore të Lushnjes, mbanë emrin e tij, “Lagja Xhevdet Nepravishta”.

Pra, inxh. Faredini dhe bashkëshortja e tij, vinin nga familje patriote me kontribute atdhetare. Pas çlirimit, ai iu përkushtua me shumë zell ndërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta dhe shumë i prapambetur nga regjimi feudal i monarkisë. Ai nisi punën me projektimin dhe ndërtimin e veprave të para hidroteknike bonifikuese. Ato kohë vendi kishte shumë nevojë dhe për specialistë të mesëm në këtë fushë, ndaj Faredini u përkushtua organizimit dhe drejtimit të kurseve për përgatitjen e gjeometrave e teknikëve të ndërtimit, si dhe topografëve që do vinin në zbatim projektet e hartuara.

Siç shkruan në kujtimet e tij një ish student dhe më pas koleg me të, inxh. Kristo Goga, në veprat e para të inxh. Faredinit ishte kanali kullues i Jubë-Sukthit në rrethin e Durrësit në vitin 1945. Pastaj inxh. Faredini nisi punën për projektimin e veprave të mëdha e të vogla në hidroteknikën bonifikuese shqiptare, për tharjen e kënetave e tokave moçalore, mbrojtjen e tokave nga vërshimet e gërryerjet e lumenjve e përrenjve, digat, kanalet vaditës e kullues, kriporet e tjera.

Ndër veprat e tij të njohura që kanë lënë emër janë: Projekti dhe zbatimi i kanalit Peqin-Kavajë, kanali Berat-Ura e Kuçit, ai Vjosë-Levan-Fier, kanali i Myzeqesë me rezervuarin e Thanës, diga e Vlashukut e të tjera. Megjithëse këto vepra kapitale janë efektive e funksionale edhe sot, është për të ardhur keq që rrjeti i kanalizimeve vaditëse e kulluese, sidomos i nivelit të dytë, veçanërisht pas viteve 90, është dëmtuar seriozisht si pasojë e lakmisë së pronës private dhe papërgjegjshmërisë së fshatarësisë në zonat përkatëse.

Projektet e inxh. Nurit kanë qenë madhështore dhe për tharjen e kënetave e tokave moçalore në bregdetin e Shqipërisë, që nga bonifikimi i fushës së Zadrimës në nën Shkodër e në Lezhë, këneta e Durrësit dhe fusha bregdetare e Kavajës, këneta e Tërbufit në Myzeqenë e Lushnjes, ajo e Hoxharës në bregdetin e Fierit, pjesërisht këneta e Nartës, ku u përfitua rreth 1500 ha tokë bujqësore dhe kriporja e Skrofotinës në Vlorë, bonifikimi i fushës së Vurgut të Delvinës e tjera, që mbajnë autorësinë e inxh. Faredin Nurit, kolosit të hidroteknikës sonë bonifikuese në bujqësi në vitet 50-60 të shekullit XX-të.

Këto kanë qenë vepra të mëdha dhe me leverdi të madhe ekonomike, për të cilat ishte mendja dhe dora e inxh. Faredinit së bashku dhe me koleg të tjerë, ishte angazhimi i tij sublim ditën e natën, në dimër e në verë, me javë e muaj larg familjes, deri në realizimin total të tyre. Inxh. Faredini ka dhënë një kontribut të çmuar dhe për ngritjen e digave të shumë liqeneve e rezervuarve të vendit si: diga e rezervuarit të Kurjanit në rrethin e Fierit në vitin 1954, diga e Liqenit të Tiranës, ndërtuar në vitin 1957-58, një nga veprat që dhe sot pas mbi 60 vjet ajo është nga të rrallat e madhështore në Parkun e Liqenit artificial të Tiranës, një vepër historike që mbanë autorësinë e inxh. Faredin Nurit. Nuk është çështje kostoje vendosja e një pllake historike përkujtimore me emrin e projektuesit Inxh. Faredin Nuri, por mund të themi se është neglizhencë, që brezat e rinj të dinë kur është ndërtuar dhe kush është autori i saj.

Para disa vitesh kur ky liqen u përmbush me ujë tej nivelit të përcaktuar, lindi shqetësimi i ndonjë katastrofe përmbytjeje nga çarja e mundshme e digës, pasi portat e shkarkimit të papunuara ndër vite, ishin të bllokuara dhe kanali shkarkues po ashtu ishte i bllokuar nga ndërtimet pa leje mbi të. Bashkia e Tiranës nuk dispononte projektin, bile nuk dinte as autorin e këtij projekti. Inxh. Kristo Goga, bashkëkohës e bashkëpunëtor me inxh. Faredin Nurin, mundi të gjejë projektin në arkivat e Institutit të Projektimeve Hidroteknike dhe e dorëzoi në Bashki. Mbi bazën e projektit, u morën masat për normalizimin e gjendjes. Ajo digë dhe ai liqen për qytetin e Tiranës, janë një vepër e madhe me funksion ekologjik, historik e turistik, që shpërndan veç bukuri e mjedis argëtues edhe freski e frymëmarrje për Kryeqytetin.

Inxh. Faredin Nuri për meritat e punës së tij, kaloi në disa shkallë detyrash e përgjegjësish shtetërore. Fillimisht u ngarkua me detyrën e kryeinxhinierit në Drejtorinë e Ujërave në Mistrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve, si dhe drejtor i Drejtorisë së Projektimeve të veprave ujitëse lokale. Pas vitit 1963, punoi si kryeinxhinier i Drejtorisë së Bonifikimeve në Ministrinë e Ndërtimit dhe pas saj, kryeinxhinier i Institutit Shtetëror të Projektimit të Bonifikimeve deri sa doli në pension.

Janë mbi 120 vepra të ndryshme hidroteknike që ka projektuar dora dhe mendja e këtij inxhinieri, ku 27 prej tyre i përkasin ujësjellësve e kanalizimeve si, ujësjellësi i qytetit të Elbasanit në vitin 1950, i Fierit, Beratit, Ersekës, Delvinës, Fushë-Krujës, si dhe ujësjellësi i Kombinatit të Tekstileve Tiranë, që funksionon edhe sot dhe shumë e shumë të tjerë me autor inxhi. Faredinin dhe me bashkautorë të tjerë. Ndërsa projektet e tjera kanë qenë në shërbim të bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi.

 

Vlerësimi

 

Kontributi i inxhi. Faredin Nurit është vlerësuar herë pas here si nga dikasteret ku ka punuar dhe nga institucionet shkencore e shtetërore të kohës. Në vitet 1951-55, ai është vlerësuar me “Urdhra Pune” e “Medalje” dhe në vitin 1965 është laureuar me “Çmimin e Republikës” për projektet e tij madhore hidroteknike në sektorin e buj      qësisë.Po në vitin 1965, ka fituar gradën “Doktor i Shkencave Hidroteknike” dhe në vitin 1972, “Bashkëpunëtor i vjetër Shkencor”. Emri i inxhi. Faredin Nurit bënë pjesë dhe në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” botim i vitit 1985, si personalitet i shquar në fushën e hidroteknikës.

Këto figura mendjendritura e duarartë, i ka karakterizuar shpesh herë thjeshtësia e modestia në shoqëri. Inxhi. Faredin Nuri ishte njeri ndër ta, i thjeshtë, punëtor, i dashur me shokët e kolegët dhe siç tregojnë bashkëkohësit, ishte njeri modest, kokë ulur e mendjendritur. Në vitin 1984, u nda nga jeta ende pa mbushur 70 vjet. Nekrologjia e tij u botua në revistën e kohës “Bujqësia Socialiste”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, viti 1984. Në të vlerësohet kontributi i tij në shkencën e hidroteknikës bonifikuese në fushën e bujqësisë, veprat e të cilit e mbajnë të pashlyer emrin e nderuar të tij. Ai la pas tre trashëgimtarë, dy vajza dhe një djalë.

Në bllokun e pallateve tona në Tiranë, jeton një grua, mjeke biologe në pension, Mira Nuri quhet.

-Jam me origjinë nga Lushnja,- më tha një ditë.

-E pyeta, nga ç’familje jeni?

-Jam vajza e Faredin Nurit,- më tha dhe mbesë nga familja Nepravishta. Nuk foli më gjatë, se nuk donte të mburrej për prejardhjen dhe kontributin e të parëve të saj.

Insistova për ta pyetur më gjatë, por e pash se nuk kishte dëshirë të fliste më tej, mesa duket trashëgonte virtytet e thjeshtësinë e prindërve dhe të parëve të saj.

-Gjyshërit, si nga babai dhe nga nëna nuk i kam njohur,- më tha,- se kanë ikur shpejt nga jeta, por për prindërit ruaj kujtime të bukura. Gjatë viteve, shokë e bashkëpunëtorë të babait, më kanë treguar shpesh kujtime e vlerësime për punën e tij dhe kjo më bënë krenare. Kam një arkiv të vogël të jetës së gjyshit, Besimit dhe të babait, Faredin Nurit. Ai s’më la gjë të shkruar nga jeta e tij, por unë kam mbledhur artikuj shtypi të kohës, kujtime të shokëve, si dhe dekoratat e vlerësimet e punës së tij, të cilat i ruaj me shumë mall e dashuri,- më tha gjithë emocion. Iu luta të mi dorëzonte për të bërë një shkrim dhe me shumë modesti mi dha.

-Të lutem, mbaro punë dhe mi kthe,- më tha,- se këto janë i vetmi kujtim që ruaj nga prindërit e mi.

Këto janë familjet e shquara patriote, që i janë gjendur Atdheut në momente sublime, por dhe me punë e kontribute të shquara ndaj popullit si gjatë luftës dhe pas çlirimit për mëkëmbjen e ekonomisë së vendit, duke lënë pas vepra madhore, shpërblyer vetëm me një rrogë mujore modeste dhe si trashëgimi në pasardhësit e tyre, një modesti fisnike e thjeshtësi njerëzore.

Ja, për këta njerëz dhe për këto modele ka nevojë sot shoqëria e jonë në këto momente të trazuara.