Brigada VI Sulmuese, brigada partizane lavdimadhe

1624
Sigal

Zabit Ahmetaj

Formimi dhe përbërja e Brigadës. Betejat e zhvilluara brenda dhe jashtë vendit. Çlirimi i Shkodrës. Roli në punimet e Kongresit të Përmetit

(me rastin e 75-vjetorit të krijimit të saj më 26 janar 1944)

Formimi i Brigadës VI Sulmuese, 26 janar 1944

Dimri i viteve 1943-1944 na kujton atë dimër të ashpër, me shi, me borë e me breshër, të ftohtë e me acar. Këtij dimri iu shtua edhe një dimër më i ashpër: Operacioni armik i Dimrit. Sipas planit të komandës gjermane ishte parashikuar t’i jepej goditja vendimtare për asgjesimin e forcave të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare në qarqet Gjirokastër dhe Vlorë. Për këtë qëllim ajo rigrupoi 6000 forca gjermane e 2000 forca balliste. Shtabi i përgjitshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që ishte krijuar, më 10 korrik 1943 në Labinot të Elbasanit me komandant Spiro Moisiun e komisar Enver Hoxhën, që kishin marrë në dorë fatet e Luftës, duke organizuar masat e qytetit dhe të fshatit, pa dallim feje, krahine dhe ideje, me një punë në vazhdimësi, bindëse, sqaruese, organizuese dhe drejtuese për çlirimin e vendit nga bishat nazisto-fashiste dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë, iu përgjigjën këtij operacioni gjatë muajit janar 1944 me krijimin e dy brigadave, atë V Sulmuese, më 20 janar 1944, në Barmyshye të Tërbaçit dhe brigada VI Sulmuese, që do të krijohej, më 26 janar 1944, në Përmet. Kujtojmë ata djem në moshë të re nga qyteti dhe nga fshati, ata që lanë bankat e shkollës, gjimnazistë dhe normalistë, por edhe ata djem e vajza të universiteteve të Romës, të Milanos, të Parisit, të Stambollit, që iu bashkuan luftës për liri, por edhe ato vajza që thyen zakonet konservatore, që hodhën tej ferexhenë e perçen, jo vetëm të shtresave të varfra, por edhe të shtresave të mesme, deri tek ato të kamurat. Ata djem bujq e çobanë, shërbëtorë e hyzemqarë, ca jetimë, pa nënë e pa babë, iu bashkuan luftës kundër fshito-nazistëve dhe bashkëpuntorëve të tyre, ballisto-zogistë që kishin krijuar çetat e para partizane në rrethin e Gjirokastrës. e më gjerë në qarkun e saj, që nga fundi i vitit 1942 e në vazhimësi, si çeta “Avni Rustemi”, “Hajredin Tremishti”, “Toto Bolena”, “Çerçiz Topulli”, “Koto Hoxhi”, “Musa Fratari”, “Isamil Kaso”, çeta e Rrëzës (Përmet), çeta e rinisë, “Prokop Meksi”, “Mihal Duri”, “Lato Braho”, “Sabaudin Gabrani”. Këto çeta në luftimet që kryen kundër fashistëve italianë u bënë gur i themelit për kirjimin e batalioneve, siç ishte batalioni “Asim Zeneli” i krijuar më 7 gusht 1943 në rrepet e Kardhiqit, “Naim Frashëri” në Garzema të Përmetit më 21 shtator 1943, batalioni “Baba Abaz” në Kalivaç të Tepelenës më 10 gusht 1943, batalioni “Abaz Shehu”, i krijuar më 26 dhjetor 1943 n ë Fushbardhë. Këto batalione, që kishin marrë pjesë në luftimet e zhvilluara kundër forcave fashisto-naziste si në Cepo, në Urë të Kardhiqit, në Libohovë, në Shkallë të Zezë, në Tepelenë, në Mezhgoran, në Kiçok, në Rrëzomë, në Kurvelesh, në Mesaplik e në vende të tjera, do të inkuadroheshin në brigadën VI Sulmuese, përveç batalionit “Misto Mame”, i cili u inkuadrua më vonë në brigadën VIII Sulmuese. Këto batalione kishin përshkuar një rrugë të vështirë e të lavdishme luftarake. Ato i kishin shkaktuar armikut qindra të vrarë, të plagosur e  robër. Kishin kapur shumë materiale luftarake, si armë automatike, pushkë, topa, murtaja e municione të shumta. Formimi i brigadës VI Sulmuese gëzonte jo vetëm partizanët, por edhe popullin e qarkut të Gjirokastrës. Në thirrjen e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Qarkut thuhej: “Edhe në Gjirokastrën tonë të çeçove të vejtër e të rinj, do të formohet brigada VI Sulmuese. Ata që përbëjnë këtë brigadë janë djemtë e krahinës dhe të qarkut tonë, që me gjakun e tyre kanë çliruar zona të tëra e do të vazhdojnë për ta shkatërruar armikun plotësisht.”

Përbërja e Brigadës

Për aleatët anglo-amerikanë, zgjerimi dhe zhvillimi i LANÇ-it ishte goditje për planet e tyre. Ndaj vendit dhe ndaj popullit tonë, misionari anglez Tilman pohon: “Shtabi i parë (i zonës operative Vlorë-Gjirokastër) na bëri presion dhe i detyruar, i kërkova me fonogram shtabit të Mesdheut të aleatëve që për brigadën VI që do të formohej ato ditë, të hidheshin në bazën e Sheperit të Zagorisë furnizime. Mora këtë përgjigje:”Brigadat partizane kërkojnë shumë shpenzime për t’u mbajtur. Ato ushtarakisht janë të padobishme, kurse politikisht të papëlqyeshme!” Më 26 janar 1944, ditën e formimit u rreshtuan në Përmet batalioni “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Naim Frashëri”, “Baba Abaz” e më vonë, kësaj brigade iu shtua edhe batalioni V “Zaho Koka” me djem e vajza nga bregdeti. Në ditët e formimit, brigada kishte 912 partizanë, 120 shoqe, 60 pionerë. Në kohën e krijimit të brigadës ishin këta kuadro: komandant brigade-Tahir Kadareja, nënkomandant-Jaho Gjoliku, komisar-Mustafa Mato-hiti, zëvendëskomisar-Haki Toska. Në seksionin politik shokët Adil Çarçani, Zihni Sako, Sami Gjebero, Siri Çarçani, Vangjelo Sotiriadhi, itedentë të brigadës-Hetem Pogaçe e ndihmës Braho Toto, për shëndetësinë-Nedin Kalanxhi, (ndihmësmjek), për ndërlidhjen-Muhedin Bakiri, komandant batalionesh- Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili, Feti Bubsi e më vonë, komandant i batalioni V- Maksut Myrtaj, si dhe nënkomandantë batalionesh-Astrit Nishani, Musa Daci, Mustafa Asllani, Meleq Gostinishti, zëvendëskomisar batalionesh-Ago Çeli, Veledin Zeneli, Abdul Hakiu, Mitro Xhani, Asaf Dragoti, Petrit Radovicka etj. Luftëtarët e brigadës ishin të armatosur me armë të ndryshme trofè, që ia kishin rrëmbyer armikut. Efektivi kishte 595 pushkë italiane, 80 pushkë gjermane, 41 pushkë greke si dhe disa pushkë angleze, automatikë italianë e gjermanë, mitralozë të lehtë e të rëndë, 16 murtaja të lehta 45 mm, dy topa 45 mm dhe dy topa 75/13. Gjithashtu, në brigadë ishte dhe bateria e artilerisë. Ditën e formimit në brigadë militonin 147 komunistë, prej të cilëve, 26 anëtarë partie ishin në shtabin e Brigadës, ndërsa pjesa tjetër, në batalione dhe kompani.

Betejat e zhvilluara

Brigada VI përurimin e saj e bëri në zjarrin e luftës, sepse nga data 26 janar forcat gjermane, të ardhura nga dy drejtime: Këlcyrë-Përmet dhe Tri Urat-Përmet, bëri që për 8 ditë të zhvilloheshin luftime të ashpra në Kuqarr, në Varibop, në Kosinë, në Zelush, në Petran, te Guri i Bardhë, në Badilonjë etj., e që bëri të dështonte plotësisht operacioni armik në luginën e Përmetit. Më tej, brigada ndoqi zinxhir njëra pas tjetrës luftimet në Lunxhëri, në Libohovë, në Rrëzomë, në bregdet, në Mesaplik, në Marngëllëç të Patosit, në Dukaj të Tepelenës. Gjatë kësaj periudhe ajo bashkërendoi veprimet e saj luftarake edhe me brigadën V dhe brigadën I Sulmuese, si dhe me batalionet territoriale të zonave, edhe me partizanët e zonës I operative, me komandat e vendit, me Këshillat Antifashiste Nacional-Çlirimtare të fshatrave. Në luftimet e zhvilluara spikati gjithmonë guximi, trimëria e kaudrove të saj, si komandantët, komisarët, komunistët e partizanët në tërësi. Këtu mund të përmendim disa kuadro që ranë në luftimet e zhvilluara me armikun, siç janë Sadik Buzo, Jashar Luçi, Ali Gjoliku, Mustafa Matohiti, Lefter Talo, Meleq Gostinishti, Dino Kalenja, Mitro Xhani e shumë e shumë të tjerë. Brigada VI është brigada që përballoi me sukses dy operacionet armike: atë të dimrit e të qershorit dhe doli gjithmonë fitimtare. Ndaj populli i këndon: “Dil nëno të shikosh jashtë/si lufton brigadë e gjashtë”.

Kongresi i Përmetit

Një ngjarje me rëndësi për brigadën VI është ajo e zhvillimit të punimeve të Kongresit të Përmetit, ku kësaj brigade iu ngarkua detyra për të thyer të gjitha përpjekjet e mundshme të armikut, për të mos lejuar depërtimin e tij, duke u nisur nga Vlora drejt Tepelenës e Përmetit. Një rëndësi të veçantë shtabi i brigadës i kushtoi edhe vënies në gatishmëri të forcave territoriale, siç ishin batalioni i Kardhiqit, i Kurveleshit të Sipërm e të Poshtëm, i Mesaplikut etj. Nga kjo brigadë shkuan tre delegatë nga radhët e saj për në Kongresin e Përmetit, i cili zhvilloi punimet më 24 maj 1944, midis tyre, luftëtari i sprovuar Jaho Gjoliku, babai i dy djemve, i dy komisarëve, Mit’hatit dhe Aliut, që kishin falur jetën në luftë. Sapo u nis xha Jahua, dy partizanët e moshuar, Hazbi Këndella e Hito Kongoci i dolën përpara, i zunë frerin e mushkës ku kishte hipur xha Jahua dhe e porositën: “Kujdes! Duam qeveri pa  mbret!” dhe xha Jahua, i zgjuar dhe i urtë, vuri buzën në gaz dhe ua ktheu: “Nuk luftuam të vëmë mbi kokë Zogun. Do të mbajmë këtë që kemi, yllin e kuq partizan!” Më 9 gusht 1944, brigada ndodhej në zonën e Tomoricës, në Kulmak, me një efektiv prej 1254 partizanesh e partizanësh. Këtu u bë për herë të parë betimi ushtarak. Ndryshime u bënë edhe në Shtabin e Brigdaës: komandant-Jaho Gjoliku, nënkomandant-Riza Veipi, komisar-Haki Toska, zëvendëskomisar-Sami Gjebero dhe shumë kuadro partizanë u ngritën në përgjegjësi, në batalione e kompani. Gjithashtu, u zgjodhën delegatët e rinisë për në kongresin e saj që do të zhvillohej në Helmës të Skraparit. Në luftimet e ashpra të zhvilluara në Labinot kundër forcave gjermane, komisari Haki Toska, në kujtimet e tij, dhënë për muzeun e Mashkullorës, midis të tjerave, thotë: “Në luftimet e zhvilluara në Labinot, ku priteshin kolonat gjermane, buzë xhadesë, ishin rreshtuar edhe djemtë e Mashkullorës trime. Them ‘trime’ se kështu e kishim quajtur përherë. E këta s’ishin pak, por 24 djem të rreshtuar në batalionin “Asim Zeneli” e “Abaz Shehu”. Këtu u vranë komandantët Balil Peçi, Lufto Çani, partizanët Riza Çani, Xhezo Proda, Sulo Barka, Halil Aliaj, Neki Hasani, Bajram Lalaj, Tefik Selaj, Medan Kalemi, gjithsej 11 vetë, të cilët u varrosën me ceremoni në fshatin Labinot të Sipërm, ku morën pjesë edhe populli i fshatit. E paharruar është përshëndetja që fshati Labinot i dërgon shtabit të brigdaës për sjelljet shembullore, për kujtimet  e mira e të paharruara që lanë në fshatin e tyre partizanët e kësaj brigade dhe u premtonin se do t’i ruanin si gjënë më të shtrenjtë trupat e 11 komandantëve dhe partizanëve të brigadës që u varrosën në fshatin Labinot më 12.09.1944. Ky Labinot, çerdhe e LANÇ-it, ku u zhvillua për herë konferenca e parë  PKSh-së (mars 1943), ku u krijua shtabi i përgjitshëm i ushtrisë nacional-çlirimtare.

Luftimet në veri dhe Kosovë

Të ashpra ishin luftimet që u zhvilluan në rrethinat e Tiranës, në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut, në Shën Pal të Mirditës, në Dukagjin, ku ishin mbledhur krerët e reaksionit, si Gjon Markagjoni, mercenarët e legalitetit, me Abaz Kupin në krye, krerët e Ballit Kombëtar, të ardhur nga jugu, ku kishin vendosur të mos lejohej futja e partizanëve në Mirditë dhe në trojet e saj, prandaj brigada përdori një taktikë e strategji, duke eleminuar armikun pjesë-pjesë, duke e goditur në krahë e në shpinë. Nga kjo Mirditë u zgjodhën shoqet delegate për në Kongresin e Gruas që do të zhvillohej në Berat, si Parashqevi Llukani, Bukurie Bazo, Hatixhe Kuka, Liri Duka, Katerina Andoni, Hazbo Luçi dhe si dëgjuese, Bibo Gjoliku. Ato u përcollën me shumë dashuri nga shoqet e tjera të brigadës. Brigada vazhdoi luftimet e saj në Pukë, në Malësi të Madhe, ku ra heroikisht mes të tjerave edhe partizani 15-vjeçar Çelo Sinani (Hero i Popullit). Në mëngjesin e datës 29 Nëntor, brigada mori pjesë në çlirimin e Shkodrës, që është edhe dita e çlirimit të atdheut tonë të dashur, ku u zunë rob 3000 reaksionarë e gjermanë, si dhe shumë armë e municione. Brigada kaloi edhe përtej kufijve për çlirimin e popullit të Jugosllavisë e të Kosovës, deri në Vishegrad. Ajo kthehet me urdhër të komandantit të përgjithshëm, Enver Hoxhës, duke kaluar në Kosovë, Maqedoni, Ohër.

Brigada VI Sulmuese përshkoi një rrugë luftarake prej 3700 km, çliroi 8 qytete e 32 krahina, ranë në fushën e nderit 203 dëshmorë, shokë e shoqe, midis të cilës 10 “Heronj të Popullit”. Mbi 540 partizanë morën plagë lufte, nga një deri në disa herë. Ajo i shkaktoi armikut mbi 3500 të vrarë, 1947 robër, shumë të plagosur, i dogji e i shkatërroi armikut mbi 100 makina e autoblinda. Kapi 40 mitralozë të rëndë e 170 të lehtë, 48 automjete, mijëra pushkë e automatikë, si dhe 22 murtaja e topa. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar aktivitetin e madh politiko-luftarak të brigadës VI, duke i akorduar asaj yllin partisan të klasit I, si dhe dekoratën më të lartë “Hero I Popullit”. Pas çlirimit, përvjetorët e kësaj brigade janë festuar me madhështi. Kolonat e autobusave që viheshin fa-las për partizanët, për pjestëarët e familjeve të dëshmorëve, për pjesëtarët e familjeve të partizanëve, që nuk jetonin më, i drejtoheshin çdo 26 janar Përmetit heroik, që s’ishin pak, por 40-50 autobusë, që udhëhiqej nga Inspektoriati Rrugor i Policisë. Autobusët të veshur me banderola e flamuj, ku dallohej çdo qytet në qendër të Për-metit, më 25 janar, do të priteshin nga populli i këtij qyteti, si dikur partizanët. Do të kalohej një natë mikpritjeje në familjet përmetare dhe të nesërmen, më 26 janar, do të vendoseshin kurora pranë lapidarit që përjetëson kri-jimin e brigadës VI. Do të ktheheshin në qendër të qytetit, para monumentit të partizanit, ku do të dëgjoheshin përshëndetjet e përfaqësuesve të pushtetit vendor, të pëerfaqësuesve të brigadës VI dhe të deleguarve të Komitetit Qëndror. Do të shtrohej dreka e bollshme në njërën nga gazermat e Përmetit, ku do të këndonin grupet folk-lorike të rrethit, do të dëgjohej klarineta e Laver Bariut dhe këngët e kënduara nga Mentor Xhemali (Artist i Popullit), si: “Një zë po del nga gryka e Mezhgoranit” ose “Për ty atdhe”. Pas drekës, partizanët do të përshëndete-shin me njëri-tjetrën, duke uruar: “Mirutakofshim në përvjetore të tjera!”. Do të përcilleshin nga populli i Përmetit, me respect e dashuri të veçantë. Kështu organizohej festa përkujtimore e brigadës VI “Hero i Popullit” në çdo 26 janar të çdo viti. Lavdi përherë brigadës VI Sulmuese për atë çka bëri për çlirimin e atdheut!