Besim Shyti/ Në nderim të ushtarakëve angleze

787
Duke qenë vetë pjesë e asaj lufte, por duke qenë dhe historian, ndjeva detyrimin moral të shkruaj pak rreshta në nderim të ushtarakëve anglezë që erdhën, luftuan dhe ranë për çlirimin e vendit tonë. Populli ynë di t’i nderojë të rënët për të,prandaj dhe ju ka dhënë vend për përmendoren në vendin më të bukur të kryeqytetit,në Parkun e Madh tek Liqeni. Me rastin e 70 vjetorit të mbarimit të Luftës së Madhe Patriotike do dëshiroja që jo vetëm të bëhej një organizim përkujtimor dinjitoz, por të vlerësoheshin në mënyrë të veçantë ata ushtarakë të shumtë që erdhën e luftuan tek ne e sidomos ata që ranë për çlirimin e atdheut tonë. Jam një historian i heshtur i dëgjoj debatet historike në mediat. Të gjithë historianët që dalin në media dhe diskutojnë për historinë i respektoj. Disa prej tyre nuk i kuptoj kanë apo nuk kanë bagazh historik mbasi paraqesin një qëndrim të theksuar politik në çështjen më delikate të historisë sonë,periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për historianin e vërteta duhet të jetë e shenjtë, por jo të gjithë e çmojnë të vërtetën si të tillë. Ata historianë që duan të bëjnë vërtet histori, duhet t’u referohen burimeve më të besueshme dhe sidomos dëshmitarëve okularë dhe dokumenteve të kohës kur ngjarjet janë zhvilluar. Në shumë shkrime historike dhe diskutime mediatike shikoj tendencën e paragjykimit të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të errësimit të saj dhe për më tepër denigrimin, me qëllim që t’u hapet rruga për t’i rënë gjoksit ata që e humbën luftën duke u bashkuar me pushtuesit. Do të doja që historianët të niseshin nga gëzimi i fitores, nga kontributet e popullit tonë në atë luftë, nga njohja e luftës sonë nga Aleatët, nga respekti i gjakut të derdhur, e jo në gjykime dhe preferenca politike. Se kush e fitoj atë luftë dhe kush e humbi tashmë dihet nga e gjithë bota, ajo i takojnë së kaluarës. Ne na mbetet të respektojmë sakrificat, gjakun e derdhur. Kur them të respektohet gjaku i derdhur kam parasysh këtu 28 mijë dëshmorët e atdheut tonë, por dhe ata bij të popullit anglez që erdhën luftuan dhe ranë për çlirimin e atdheut tonë. Më bën përshtypje mbasi sa herë diskutohet për historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk zihen në gojë fare qindra ushtarakë anglezë që morën pjesë në luftën tonë dhanë ndihmesën e tyre në nxitjen e rezistencës dhe furnizimin e saj, injorohet krejtësisht kontributi i tyre dhe përmenden dy jugosllavë një serb e një malazes sikur ata ishin perëndia e luftës sonë. Këtë e bëjnë disa “historianë” që jo vetëm e mohojnë vlerën kolosale të asaj lufte,por dhe e sulmojnë atë si diçka e keqe që ka ndodhur tek ne .E duke mohuar vlerat e asaj lufte natyrisht që mohohet dhe gjaku i derdhur. ”Historianë” të tillë, ku veçoj Butkën dhe Gurakuqin,por dhe një farë Kastriot Dervishi që mundohet të ndriçojë në faqet e zeza të 55-ës,krerët e veriut bashkëpunëtorë të pushtuesve, kriminelët dhe cubat e malësisë, të cilët së bashku përbëjnë një triumvirat denigrues dhe përbaltës të historisë, duke paraqitur jo vlerat po antivlerat në shkrimet dhe në diskutimet e tyre,gërmojnë në disa gropa të zeza të asaj periudhe, por dhe ato nuk i venë në kohën e tyre dhe nuk i shpjegojnë me ligjet e kohës, me ligjet e luftës. Duke hedhur baltë mbi vlerat e luftës ata kanë hedhur baltë mbi gjakun e derdhur në atë luftë. Do t’u rekomandoja këtyre “historianëve” të lexonin librin “Viti 93” të Viktor Hygoit, për t’u njohur me ngjarjen dhe personazhet Goven, Lantenak, Simurden dhe të njohin veprimin e ligjeve të luftës dhe gjerat t’i vlerësojnë me atë kohë dhe me ato ligje. Këta “historianë të nderuar” ia dedikojnë çdo gjë që është arritur në Luftën tonë Nacionalçlirimtare udhëheqjes jugosllave mbështetur në një serb dhe një malazez që ishin pranë shtabit tonë, me arsyen e vetme se ishin komunistë, dhe urrejtja kundër komunizmit i ka bërë të mos shikojnë qindra ushtarakë anglezë që nga ushtari dhe deri tek gjenerali atashuar pranë shtabeve tona të të gjitha niveleve dhe të të gjitha forcave politike (Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe deri tek krerët e veriut), me qëllimin e vetëm për t’i hedhur të gjitha forcat në luftë kundër pushtuesve nazifashistë. Ishin këta ushtarakë anglezë që bënë dhe furnizimin me armë e veshmbathje të luftëtarëve tanë, që ndihmuan në organizimin dhe pajisjen e brigadave partizane. Kjo është e vërteta dy jugosllavë me qindra anglezë. Kjo është e vërteta. Kush ka më shumë peshë e kupton kushdo. Vetëm historianët e lart përmendur nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë. Pseja dihet. Ata veprojnë mbi bazën e porosive ose të bindjeve politike. Këta ushtarakë anglezë i ftuan të gjitha forcat politike të luftojnë kundër pushtuesve, bile bënë dhe furnizimin me armë e veshmbathje të forcave tona të të gjitha krahëve padallim. U përpoqën t’i hedhin në luftë dhe ato forca që gjoja ishin krijuar për të luftuar por që nuk e zbrazën asnjë herë. Nuk e di nëse këta “historianë” e dinë apo s’e dinë se tek kodrat e Liqenit prehen eshtrat e rreth tridhjetë ushtarakëve anglezë që ranë për çlirimin e atdheut tonë. Butka dhe Gurakuqi me sa kam parë e dëgjuar,inatin e kanë me dy civilët jugosllave, Dushan Mugoshën dhe Miladin Popoviçin, të cilët i shajnë, i urrejnë, por nuk kam dëgjuar të thonë të paktën një fjalë të mirë për këta djem që dhanë jetën për Shqipërinë. Se kush veproi drejt në atë luftë e përcaktoi aleanca botërore me pranimin brenda saj të Lëvizjes Nacionalçlirimtare si forcën e vetme që luftoi kundër pushtuesve. Autopsinë asaj lufte ia kanë bërë Aleatët. Kurse forcave politike ua kanë bërë ata oficerë anglezë që kanë qenë pjesë e luftës sonë. Unë do t’u rekomandoja këtyre “historianëve” të lexonin librin: ”Fitorja e Hidhur” të Rexhinald Hibbertit i atashuar jo pranë shtabeve partizane, por pranë krerëve të Veriut; Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Litajve Kaloshajve e të tjerë. Pikërisht ky oficer anglez e ka përcaktuar shumë mirë “Ballin Kombëtar”, Legalitetin” dhe forcat e tjera politike të kohës. Le t’i lexojnë. “Në bisedat e gjata me Muharremin, shkruan Hibberti, ne bëmë një farë përparimi për t’i zdruguar pak ambiciet e tij dhe për ta bërë që të mendojë se çfarë mund të ndërmerrte për t’u nxjerrë telashe gjermanëve në Kukës, si qyteti më i afërt, por ai u bënte bisht gjërave të tilla praktike sa herë e kishte në dorë fillin e bisedës”.(Fitorja e Hidhur” f,157). “Partia e Ballit Kombëtar. Nuk duhet menduar se kjo është një parti e organizuar në po atë mënyrë, si edhe LNC. Ai është një grumbullim i padisiplinuar i njerëzve të veçantë, që i bashkon vetëm urrejtja kundër komunizmit,anarkizmit,terrorizmit dhe frika se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë, nëse partizanët do t’ia dalin mbanë të imponojnë doktrinën e tyre mbi këtë vend”. (“Fitorja e Hidhuir” f.212). Më 17 dhjetor (1943), gjenerali Dejvis i dërgoi një telegram Kajros, i cili tregon se në të menduarit e tij gjatë tri ose katër javëve të mëparshme, kishte ndodhur një evoluim i shpejtë dhe radikal. Telegrami thotë: ”1-Tani rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, është imperative tani të denoncohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe emër për emër. Po ashtu Ballkomi dhe Zogistet.
2-Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët po i shfrytëzojnë ata duke u dhënë armë në sasi të mëdha, duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, të bëjnë punën e policëve në qytet e të drejtojnë patrullat, duke i çliruar trupat gjermane nga këto barrë. 3-Në të gjitha aksionet e kryer, kohët e fundit,nga LNC,janë ndeshur me trupa të përziera gjermane e balliste, të armatosura mirë, të stërvitura nga gjermanët…”
4-Ballkomi dhe Abaz kupi më kanë premtuar se do t’i luftonin aktivisht gjermanët por nuk kanë bërë asnjë aksion këta muajt e fundit ndonëse kanë pasur shumë raste.
5-Ballkomi dhe Zogistët botojnë gazeta të kushtueshme dhe ambicioze që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët. 6-Do të parapëlqeja të jepja shpjegime personale mbasi të kthehesha që këtej. 7-Mendoj se qëndrimi i Aleatëve duhet të bëhet publik menjëherë, duke treguar se kuilingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë kundër gjermanëve do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët. Shqiptarët e kanë luajtur këtë lojë kuislingësh në vazhdimësi me Turqit, Italianet dhe tani me Gjermanët. Ata besojnë se do të bëjnë të njëjtën gjë me Aleatët. Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të LNÇ (Fitorja e Hidhur f.124-125). Më poshtë Rexhinald Hibberti,vazhdon: ”Ne nuk kishim vërtet besim se krerët e ndryshëm nacionalistë, duke përfshirë edhe Bajraktarin, po ashtu mund të llogariteshin seriozisht. Por ne ishim të detyruar që të bënim çmos për të siguruar një lëvizje kundër gjermanëve. Ne dështuam me të gjithë krerët nacionalistë”, (Fitorja e Hidhur f.159). Rixhinald Hibberti sjell në libër dhe raportin informativ të Bill Tilmanit të datës 10 maj (1944), i cili shkruan: ”Kur u largova unë isha po aq i bindur, sa kisha qenë për disa muaj më parë, se politika jonë për të mbështetur LNC,ishte e ndershme dhe e përshtatëshme,me që ata ishin e vetmja palë në Shqipëri që kishte po ato qëllime luftarake si edhe tonat, të gatshëm për të bërë sakrifica për to. Për më tepër, ata nuk janë një grumbull krerësh fisnorë ose feudalë me pasues personalë, por një palë e organizuar, që përfaqëson të dy besimet fetare, të dy ndarjet krahinore, dhe të paktën 75% të popullsisë në Shqipërinë e jugut e të mesme. Dhe ndonëse Partia Komuniste e Shqipërisë është e përfshirë në LNC, ata mirëpresin këdo që do të luftonte kundër nazizmit ose fashizmit dhe e kanë deklaruar herë pas here se ata po luftojnë për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike”.(Fitorja e Hidhuir f.214). “Mospjesëmarrja e vazhduar në Veri deri kur u bë mësymja e UNCSH, çoi atje ku çoi. Gjatë qershorit unë veprova shumicën e kohës si komandant i fushimit, ndërsa Riçard Ridelli lëviste nëpër zonë, duke u përpjekur t’i nxiste krerët që të arrinin në çastin e vendimit. Problemi imediat që duhej të përballonin britanikët ishte lufta civile. A mund të përshkruhej situata si luftë civile? Nëse po, kujt i binte përgjegjësia për këtë Dhe a mund të bënte Britania diçka që të kishte efekt real? Autoritetet britanike ishin në një ankth për një farë periudhe rreth këtyre çështjeve dhe pastaj e panë se ata i fshiu tej rryma e ngjarjeve. Gjermanët i përcaktuan partizanët si armikun e tyre, partizanët i angazhuan në luftime gjermanët dhe krerët nacionalistë njëkohësisht, ndërsa njerëzit e zakonshëm, për një periudhë të shkurtër, por më kulmore, i braktisën udhëheqësit e tyre tradicionalë dhe u bashkuan me partizanët fitimtarë. Britaninë e tërhoqi me vete vala partizane”. (Shif “Fitorja e Hidhur” f.233-241). Pas këtyre citimeve të oficerëve anglezë, që për mua ia kanë bërë autopsinë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ”historianëve” të lart pìërmëndur do t’u thosha t’i kthenin sytë nga ata bij anglezë që erdhën me qindra në Shqipëri, që sakrifikuan për çlirimin e atdheut tonë dhe të respektojnë gjakun e atyre djemve anglezë që prehen te Parku i Madh. Të mos merren me dy jugosllavët, se turpi i baballarëve të tyre gjatë luftës nuk lahet duke sharë komunizmin dhe duke ua dhuruar fitoren e luftës dy jugosllavëve. Respekti për ata trima britanikë që vunë jetën në trojet e atdheut tonë është detyrim moral për ne si popull, aq më tepër për ata që e quajnë veten historianë.
Sigal