1914-1992
Njazi Boçari lindi në qytetin e Vlorës më 14 maj 1914 dhe ishte fëmija i parë i Eshref Dano Gjon Boçarit, i quajtur “Baba i Fukarasë”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1916, në shtëpinë e Eshref Danos ka ardhur një ushtarak i lartë i ushtrisë Austro-Hungareze. Për shkak të emrit të njohur historik dhe të influencës në Shqipëri, ai i paraqiti Eshrefit kërkesën që Njaziun ta merrnin për ta rritur dhe edukuar në oborrin e familjes Habsburg të Austo-Hungarisë. Sipas traditës zakonore stërgjyshore duhej që fjalën ta thonte e para Nëna, e cila për arsye sentimentale nuk pranoi që fëmija të largohej aq i vogël nga familja. Pavarësisht se ftesa e bërë nga familja e Habsburgëve, në atë kohë ishte vlerësim shumë i lartë, kërkesa nuk u realizua.
Njaziu, bëri 4 klasë të shkollës fillore në Vlorë dhe në vitin 1925, u dërgua në shkollën e mesme ekonomike italiane në ishullin e Korfuzit (sot kolegji Nr.1). Në këtë shkollë ka pasur dhe djem të tjerë nga Shqipëria dhe këtu Njaziu njihet dhe miqësohet me Nako Spirun, nxënës nga Durrësi. Pas luftës së parë botërore, ishulli i Korfuzit i ishte dhënë në administrim Italisë. Pedagogët e këtij kolegji të gjithë kishin pikëpamje socialiste të kohës, që i propagandonte Musolini dhe Arturo Labriola, dhe pedagogët i futën këto ide tek nxënësit 12-17 vjeçarë të shkollës.
Në vitin 1936 deri 1941, Njaziu kreu studimet e larta dhe diplomohet në Fakultetin e Ekonomisë në Torino të Italisë. Në atë kohë, ky ishte Fakulteti Ekonomik më i rëndësishëm i Italisë. Pedagogët e këtij fakulteti realizuan zhvillimin ekonomik, që e shndërruan Italinë në një fuqi ekonomike të rëndësishme botërore.
Laitmotivi i jetës së Njaziut ishte për t’i shërbyer popullit të tij. Njaziu ka pasur miqësi me Giacomo Mancini dhe së bashku me Nako Spirun, kanë pasur ftesa të qëndronin në Itali, ftesa që nuk u pranuan dhe ata u kthyen në Shqipëri, për të luftuar me armë pushtimin nazifashit.
I pajisur me dituri solide në fushën e ekonomisë, Njaziu dhe pak ekonomistë të tjerë, ndërmjet tyre ekonomisti i njohur Xhemil Çela, i diplomuar në Bolonja-Itali , themelues i katedrës së kontabilitetit në Fakultetin Ekonomik. Kanë bashkëpunuar shumë mirë dhe brenda kufizimeve të politikës, ndërtuan ekonominë e rrënuar të pasluftës.
Për fatin e mirë të Shqipërisë, miku i tij i fëmijërisë dhe i universitetit Nako Spiru, që ishte udhëheqës i lartë i kohës, e caktoi Njaziun drejtor të llogaritjes së çmimeve unike për të gjitha mallrat. Ky ishte proçesi më imediat për ekonominë e re, gjë që ëndërronin socialdemokratët e kohës të shkolluar në perëndim. Njazi Boçari hartoi librin e madh të llogarive dhe në një kohë rekord, çmimet nga ato të ekonomisë së tregut u shndërruan në çmime unike në të gjithë Shqipërinë. P.sh çmimi 15 lek për copë i sapunit të Rrogozhinës, që ishte çmimi në kosto u vendos si detyrim i shtetit për të favorizuar masat punonjëse. Mbrojtja dhe argumentimi social e detyroi panelin e eprorëve që t’a jepte pa kundërshtima provimin e çmimit të këtij produkti aq të domosdoshëm për popullsinë. Gjatë kohës që punonte në Komisionin e Planit të Shtetit, Njaziu u bë barrikadë, duke bllokuar ndërhyrjen keqdashëse të këshilltarëve jugosllavë. Njaziu kundërshtoi, hekurudhën Durrës-Peqin dhe Durrës- Tiranë për transportimin e mallrave. Ai argumentoi si antiekonomike, shpejtësinë shumë të vogël 45-50 km/orë duke kritikuar gjithashtu shpenzimet për tunelet e paarsyeshme në terrenin fushor etj. Së bashku me inxhinjerin e hekurudhave Dhimitër Kosta, që pas luftës kishte ardhur nga instituti i hekurudhave i Austrisë, krahas projektit jugusllav, ata paraqitën një projekt ku treni të ecte me shpejtësi mbi 100 km/orë dhe me 2 drejtime vajtje-ardhje. Krahas projektit Tiranë-Elbasan, ata projektuan edhe hekurudhën Durrës-Pogradec me shpejtësi 100 km/orë. Pas vrasjes së Nako Spirut, Njaziun e larguan nga Komisioni i Planit të Shtetit, ndërsa Dhimitrin e futën në burg si antijugosllav që e kishte sjellë kapitalizmi. Pas kësaj për hekurudhën fitoi propozimi jugosllav.
Ministri Nako Spiru e caktoi Njazi Boçarin, si përfaqësues të palës shqiptare për të diskutuar anën ekonomike të planit 2-vjeçar të ndihmës së Jugosllavisë. Ky plan u hodh poshtë nga ana e Njaziut me argumenta ekonomike dhe kjo shpëtoi Shqipërinë nga gllabërimi Jugosllav. Njaziu ka qenë ndër specialistët kryesorë që bënë koregjimin e planit të parë 5-vjeçar 1950-1955.
Meqenëse Koçi Xoxe realizoi vrasjen e Nako Spirut ai mori lëvdatat e Titos dhe Stalinit, sepse u hap rruga për gllabërimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Enver Hoxha duke parë veten të papëlqyer prej tyre i kërkon dok.Ymer Dishnicës ta mbështeste për të luftuar Koçin. Dakort i përgjigjet Ymeri , por unë e Ti vetëm me politikë nuk e drejtojmë dot , na duhet edhe një ekonomist i zoti dhe ne nuk kemi dhe nuk mund të gjejmë më të mirë se Njaziun. Përgjigja e Enverit për Ymerin ishte: “ Në asnjë mënyrë jo! Ai person nuk duhet të lejohet”
Pas largimit nga Komisioni i Planit të Shtetit, Njaziun e caktuan pedagog në kurse e shkolla ekonomike. Njaziu ka punuar në shkollën ekonomike në Tiranë. Me ngritjen e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, emërohet pedagog për lëndën e financës deri sa del në pension në moshën 60 vjeç.
Pas kthimit të delegacionit shqiptar nga mbledhja e 81 partive komuniste, Kryeministri i kohës Mehmet Shehu, i kërkon këshilltarëve të tij ekonomik, që të bënin një plan zhvillimi për Shqipërinë në kushtet e mungesës së ndihmës ekonomike nga vendet komuniste. Këshilltarët e tij nuk ishin në gjëndje ta bënin këtë plan. Mehmet Shehu i detyruar nga gjendja e mungesës së masave ekonomike që duhej të merrte si kryeministër i vendit, i kërkon Njaziut që të hartonte projekt-idenë e zhvillimit të vendit në kushtet kur do të mungonte krejt ndihma nga jashtë (marrëdhëniet me Kinën nuk diheshin akoma). Njaziu e parashikoi zhvillimin e vendit në kushtet e mungesës së ndihmave vetëm në zhvillimin bujqësor dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe eksporti të realizohej me produktet ushqimore të përpunuara. Së bashku më Zv. Drejtorin e Drejtorisë së Statistikave, që kishte mbaruar për matematikë në Greqi, duke llogaritur rritjen e popullsisë dhe aftësinë për të punuar, Njaziu e parashikonte zhvillimin e mundshëm deri në vitin 1984. Megjithë ndihmën e madhe të Kinës, për shkak të keqmenaxhimit ekonomik, kriza ekonomike në Shqipëri i dha shenjat që në vitin 1983.
Me fushatën e luftës kundër burokracisë, që u zhvillua në vitet 1966-1967, ekonomistët që kishin mbaruar dhe ishin formuar në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore, e thjeshtuan librin e madh të shpenzimeve. Mbas këtij veprimi u rritën në mënyrë të ndjeshme defiçitet dhe sufiçitet dhe u rrit proçesi i vjedhjeve.
Kur në kombinatin ushqimor në Tiranë u ndërtua fabrika e përpunimit të qumështit, ekonomistët e dikastereve qendrore dhe ” ekonomistët elitë” nuk ishin në gjendje të caktonin çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij. Njaziu e realizoi këtë detyrë, duke krijuar një metodikë origjinale të llogaritjes së kostos. Kjo metodë e re, u botua në revistën “Ekonomia Popullore” në fillim të viteve 1970 dhe u pëlqye dhe u përkthye në gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Berlinit. Nga kjo Akademi erdhën përshëndetje për këtë metodë origjinale, që u aplikua edhe në Gjermaninë Lindore. Periudha pas vlerësimit nga Akademia e Shkencave të Berlinit, ka qenë ndër më të vështirat për Njaziun, sepse ngjalli smirën.Në 1974 Njazi Boçari, ishte i vetmi pedagog i Universitetit të Tiranës që u nxorr në pension në moshën 60 vjeç. Kjo u realizua, sepse ai në mbledhje ishte shprehur kundër politizimit të Fakultetit Ekonomik.
Udhëheqja e lartë e Partisë që ja njihnin vlerat dhe në takime e quanin profesor , nuk i kërkuan mendim për zgjidhje të krizës ekonomike të krijuar nga vetë udhëheqja e Partisë së Punës pas prishjes së marrëdhënieve ekonomike me Kinën.
Jetoi gjithë kohën si disident i heshtur dhe kritik për rrugën, që ndoqi në rininë e tij dhe këtë e shprehte haptas në takimet me miqtë e tij. Pas daljes në pension, ai gëzoi respektin e të gjithë kolegëve të tij dhe të brezave të studentëve të diplomuar ndër vite. Njazi Boçari, mbetet për brezat e ardhshëm model i ndërgjegjegjes patriotike dhe i korrektesës profesionale.