Guri SHYTI/ Familja Çarërri e Tragjasit

1416
Sigal

Shtëpia e tyre në Vlorë ishte e para që u rrafshua me tokën nga fashistët dhe mercenarët e tyre

Tragjasi ka qenë një fshat, i cili i ka dhënë historisë kombëtare kontribute të çmuara, duke filluar që nga qëndresa kundër pushtuesve turq dhe deri në ditët tona. Sa herë Atdheu është ndier në rrezik, fshatarët patriotë tragjasas janë gjendur në radhët e para të luftës për pavarësi dhe për përparimin kulturor, jo vetëm për fshatin por edhe më gjerë. Mjafton të themi se në shkollën e Tragjasit, të krijuar që në fillim të viteve 1900, jo vetëm që mësuesit kanë qenë nga fshati, por kishte edhe mësues e intelektualë të tjerë të shpërndarë nëpër Shqipëri.Siç është e njohur, mungesa e dokumenteve arkivore për shekujt e kaluar nuk na jep të drejtë të kalojmë cakun historishkrues, gjithsesi, këngët popullore, siç thekson me shumë të drejtë shkrimtari ynë I. Kadare, përshkruajnë me shumë vërtetësi “biografinë” e popullit tonë në shekuj. Kështu për pjesëmarrjen e fshatarëve të Tragjasit në kryengritjet kundër turqve ka vetëm ndonjë këngë popullore, e cila tregon se shumë nga fshatarët kanë marrë pjesë në luftëra të zhvilluara, jo vetëm në krahinën e Vlorës, por edhe deri në Berat. Kështu njëra nga këto këngë thotë: “Tek ura në Konisbaltë (fshat pranë Urës Vajgurore, Kuçovë – shën. im)/ Mbenë  tragjastë e dukatë/…Djemt e Tragjasit levendë/ Punojnë mirë dyfeknë”. E kështu gjatë gjithë historisë së mëvonshme. Në Luftën e Vlorës kundër italianëve, tragjasasit morën pjesë në mënyrë masive dhe i dhanë altarit të Atdheut edhe disa dëshmorë. Gjatë Luftës Çlirimtare kundër nazifashizmit, u ngrit i gjithë fshati me në krye djemtë e tij më të mirë si, Sinan Gjoni, Fejzo Gjomemo, Kastriot Muço, Shyqyri Alimerko e shumë e shumë të tjerë. Tragjasi, jo vetëm që u dogj i gjithi gjatë operacioneve ndëshkimore të vazhdueshme që pushtuesit dhe tradhtarët ndërmerrnin kundër tij, por i dha Luftës për çlirim mbi dyzet dëshmorë, ndër të cilët katër Heronj të Popullit dhe dhjetë vajza në lulen e rinisë.Por në radhët e mëposhtme desha të ndalesha më gjatë pikërisht për familjen e Çakërre të Tragjasit, pasi “odiseja” e vuajtjeve të saj është tejet domethënëse dhe tregon se si një familje mund të sakrifikojë gjithçka për një të ardhme më të mirë të Atdheut dhe si shpërblim të marrë përndjekje gati të përjetshme.  Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, në v. 1939, ngjalli urrejtje, në fillim të fshehtë, pastaj edhe të hapur të popullit, por sidomos të rinisë. Kështu veprimtaria e rinisë shkollore vlonjate u bë shqetësuese për pushtuesit, prandaj edhe nuk vonuan përndjekjet e tyre. Kuestura fashiste u vu në kërkim të organizatorëve të protestave dhe revoltave rinore, por, në verën e vitit 1942, arriti të arrestonte vetëm disa, pasi të tjerët mundën të futeshin në ilegalitet. Të rinjtë e Tragjasit shkuan në fshat, ku krijuan bërthamën e parë të njësiteve partizane, bërthamë që, me kalimin e kohës, u rrit dhe, në fund të vitit 1942, çoi në krijimin e çetës së parë luftarake partizane të qarkut të Vlorës, e cila njihet me emrin çeta “Plakë” e Vlorës. Që me krijimin e saj, komisar politik i çetës u zgjodh Qazim Çakërri (me pseudonimin luftarak “Difi”), një burrë trim dhe inteligjent, i cili kishte mbaruar shkollën Tregtare të Vlorës, pastaj kishte bërë edhe dy vjet shkollë ushtarake. Ai e kreu atë detyrë deri në mars të vitit 1943, sepse u caktua me detyra të organizonte çetat në krahina të tjera. Në vend të Qazimit, çeta zgjodhi si komisar, të vëllanë më të vogël, Xhemilin (me pseudonimin “Milo”).Sipas kujtimeve të dëshmitarëve okulare të të gjitha ngjarjeve të asaj periudhe, por edhe të autorit të këtyre radhëve, del se midis Komitetit Qarkor dhe çetës “Plakë” e popullit, veçanërisht të Tragjasit, lindën disa mosmarrëveshje të karakterit organizativ dhe praktik, të cilat duheshin sqaruar. Qazimi mori përsipër që këto probleme t’i shtronte në Komitetin Qarkor dhe shkoi e foli me Mehmet Shehun. Mehmeti i tha se, meqë po përgatitej një operacion i madh nga ushtria fashiste italiane, do t’i linin t’i diskutonin këto gjëra pas operacionit. Siç e përmendëm edhe më sipër, fshatarët e Tragjasit e kanë trashëguar patriotizmin në gjene. Ishte ai shpirt patriotik, ishte dashuria e pa fund dhe pa interes për Atdheun frymëzimi i parë dhe kryesor i tyre. Ishte kjo shtysë e fuqishme që e bëri Shyqyri Alimerkon, një djalë trim e zemërzjarr të Tragjasit, me shokë, që, në gusht të vitit 1941 të digjnin depot fashiste të municioneve, të cilat përgatiteshin të dërgoheshin në frontin e Luftës Italo-Greke. Pra, në kohën që po përpiqemi të përshkruajmë, nuk ishin “idealet komuniste”, pasi ishin të pakët ata që kishin ndonjë njohuri, (ndonëse tejet të shtrembëruar për komunizmin) siç u trumbetua nga politika moniste për mbi gjysmë shekulli rresht, por ndjenjat kombëtare, ato që e hodhën rininë përparimtare në luftë. Kjo dëshirë për të luftuar kundër armiqve, u shfrytëzua me mjeshtëri nga Partia Komuniste, pas krijimit të saj, që luftës, krahas karakterit çlirimtar kombëtar, t’i jepte edhe karakter shoqëror. Premtimet e bujshme, e ndonjëherë absurde që i bëheshin popullit, për një jetë të lumtur, për barazi, “pa bejlerë e agallarë”, ishin të tilla, saqë shumë injorantë mendonin se, pas luftës, populli “do të hante me lugë të florinjta nga bollëku komunist”.

Kjo propagandë, e cila u bë shumë intensive dhe me pathos, joshi jo vetëm masën e pa shkolluar, por edhe rininë që vazhdonte shkollat brenda dhe jashtë vendit, rini që, duhet thënë, gjithsesi, ishte e pa rrahur nga jeta, prandaj edhe i dukej se, “gjithçka që fluturonte hahej”. Në këtë gjeratore u përfshinë edhe vëllezërit Çakërri, duke u vënë edhe në krye të asaj propagande idealizuese utopiste. Në një mbledhje të popullit të Tragjasit, pas Konferencës së Pezës të 16 shtatorit 1942, u shpalosën platformat e të dy rrymave kryesore politike: Frontit Nacionalçlirimtar, që u krijua në atë Konferencë, dhe që e përvetësoi PKSH, të cilën e parashtroi përpara popullit Qazim Çakërri dhe ajo nacionaliste, e parashtruar nga Skëndër Muço nga Tragjasi dhe Isuf Luzi, dy intelektualë të shquar të asaj kohe. Ishte koha kur Balli Kombëtar sapo ishte krijuar si organizatë, dhe një pjesë e mirë e krerëve të saj nuk ishin komprometuar nga bashkëpunimi që bënë më vonë me pushtuesit. Ata quheshin atëherë Nacionalistë, një emër ky që donte të thoshte shumë, sepse shprehte aspiratat kombëtare, por që ende nuk kishin ndonjë program për të luftuar kundër pushtuesit, madje bënin thirrje të pritej sepse “nuk kishte ardhur koha për të luftuar”. Në këto kushte, populli ishte në mëdyshje, madje shumë njerëz mendonin se, të shkoje pas tyre donte të thoshte të sillje në fuqi sërish mbretin dhe agallarët, ose diçka të ngjashme me të, ndërkohë që premtimet e PKSH ishin, siç e përmendëm më sipër, shumë më joshëse.  Familja Çakërri ishte ndër të parat që, duke sakrifikuar gjithçka, u hodh në luftë për çlirim. Vajza e familjes, Sulltana, u arrestua që në verën e v. 1942. Shtëpia e tyre në Vlorë ishte e para që u rrafshua me tokën nga fashistët dhe mercenarët e tyre, të dërguar në fund të dhjetorit të v. 1942, me urdhër të Mustafa Krujës dhe Jakomonit nga Tirana. Pas disa ditësh u dogj edhe shtëpia e tyre në Tragjas. Me gjithë këto sakrifica e përkushtim të familjes Çakërri, nuk vonoi dhe dora gjakatare e ish-shokëve të tyre. Në pranverën e viti 1943 shkuan në Vlorë si të dërguar nga Komiteti Qendror i Partisë Liri Gega dhe serbi Dushan Mugosha. Këta filluan një fushatë përçarje duke caktuar në vende kyçe të rezistencës njerëzit e tyre, pa pyetur organet e partisë në qarkun e Vlorës dhe duke nxitur urrejtjen edhe kundër nacionalistëve të vërtetë që donin të luftonin pushtuesit. Kjo veprimtari përçarëse bëri që një pjesë e udhëheqësve të luftës, ndër të cilët, krahas Sadik Premtes, ndër kryesorët ishin edhe vëllezërit Qazim e Xhemil Çakërri, të ngrinin zërin kundër kësaj praktike të dëmshme për luftën. Këtë përçapje të ndershme, historiografia moniste e ka quajtur “fraksion”, ndërkohë që, në të vërtetë ishte opozita e parë që i bëhej regjimit që do të instalohej më vonë. Frika që ngjalli tek udhëheqja e PKSH tregohet në letrën plot alarm që E. Hoxha i dërgoi më 3 maj 1943 Komitetit Qarkor të Vlorës, ku këmbëngulte të dënoheshin deri edhe me pushkatim të gjithë ata që kërkonin drejtësi në luftë.Në zbatim të këtij urdhri, Mehmet Shehu, në mënyrë tinëzare dhe të pabesë, më 11 maj të po atij viti vrau Xhemili Çakërrin, atë djalë trim e të zgjuar, i cili sapo i kishte mbushur 22 vjetët. Ky qe fillimi i përndjekjes së mëtejshme të familjes, tanimë nga Partia Komuniste, në radhët e së cilës ata milituan. Qazimit, të cilin diktatori e kishte dënuar me vdekje(!), iu bë atentat me pesë plumba në Tiranë dhe u shpëtua për mrekulli nga daja i tij. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë e nazistë, Qazimi dhe Sulltana u detyruan të merrnin rrugën e kurbetit me vuajtjet e patreguara që i shoqëruan për një kohë të gjatë nëpër kampet e përqendrimit, derisa u zgjidhën problemet e tyre. Pas luftës, familjarët e mbetur në Shqipëri, ata që dhanë gjithçka për luftën kundër pushtuesve, madje edhe gjakun e pastër të djalit njëzet e dy vjeçar të tyre, babai, Azemi, nëna, Qeribaja dhe motra, Gjenovefa, u përndoqën në mënyrën më të egër. Ata morën vulën e “armikut të klasës”(!?) dhe kësisoj u detyruan të bënin nga punët më të vështira, u braktisën nga të afërmit dhe shokët e djemve, nga shteti po se po. Asaj familje, që i sakrifikoi banesat e veta për luftën çlirimtare, jo vetëm nuk iu dha ndonjë kompensim, por u detyrua të strehohej ku gjente ndonjë bodrum plot me lagështi.Edhe pas vendosjes së demokracisë, me gjithë kërkesat këmbëngulëse të familjarëve, Xhemilit nuk i është dhënë statusi i “Dëshmorit të Atdheut”, dhe eshtrat e tij vazhdojnë të prehet në një varr të humbur në fshatin Kutë të Mallakastrës, ku edhe u vra në mënyrë barbare. E thënë ndryshe ata vazhdojnë të përndiqen. Kohët e fundit, me nismën e shoqatës “Tragjasi”, në muret e shtëpisë të shkrumbuar të familjes Çakërri, në Tragjas, u vendos një  pllakë përkujtimore. Ky është shpërblimi i vetëm, minimal, që u bëhet sakrificave të panumërta të asaj familje. Është në nderin dhe detyrimin e institucioneve përkatëse që, kësaj familje, dhe shumë të tjerave, t’i shpërblejnë, sadopak, qoftë edhe moralisht, pasi materialisht nuk mund të shpërblehet gjaku i derdhur për Atdhe, sakrificat e shumta që kanë bërë.