Po vjen më në fund Dita e Madhe, ajo e 80 vjetorit të çlirimit të Tiranës, tonë të Kuqe, e cila në atë 17 Nëntor të vitit 1944 u bë flakë e zjarr nga goditjet partizane në përleshje me armikun pushtues. Ajo ditë na duket aq larg e aq afër sikur të jenë bërë njësh me këtë të sotmen edhe pse kanë kaluar plot 80 vjet. Dhe do të mbetet kështu, ‘Flakadan i Lirisë’ në jetë të jetëve.
Kryeqyteti ynë i shtrenjtë në këtë Ditë të shenjtëruar kujton dhe gëzon. Kujton atë luftë të lavdishme të popullit të Tiranës, i cili u bë barrikadë me trupa njerëzish, duke larë rrugët e rrugicat me gjakun e djemve e vajzave partizane tiranase dhe nga e gjithë Shqipëria. Ishin dhe do të mbeten Ditë fatëndjellëse e që më në fund do të përmbylleshin me më të bekuarën, atë që do të mbetej në historinë e Kryeqytetit, 17 Nëntor.
Po, po, tiranasit për këtë Ditë e në këtë Datë kanë arsye të kujtojnë e të festojnë. Sepse është ajo luftë, është ai heroizëm i pashoq, është ai gjak që i gjejmë të shënjuar pëllëmbë për pëllëmbë, cep më cep, në të gjithë hapësirën e Tiranës tonë të lavdishme. Më pyesni dhe do t’ju përgjigjem. Kryeqyteti ynë i bukur e plot nur janë Ata, bulevardet e rrugët janë Ata, shkollat e stadiumet janë po Ata. Mos u lodhni të gjeni diçka tjetër, sepse kudo e ngado janë Ata. Doni t’ju themi me emra e mbiemra, me atë që i pagëzoi nëna kur i lindi e i rriti? Po, e gjithë Tirana është një Regjistër emrash heronjsh e dëshmorësh. Dhe jo dosido, por emra që të detyrojnë të ngrihesh në këmbë, që të belbëzosh fjalën më të gjetur për të nderuar Ata: LAVDI.
Nuk mund dhe nuk do të harrohet kurrë Rruga e Barrikadave. Jo, kurrë! Është rruga ku u shfaq heroizmi dhe shpirti liridashës i Tiranës. Ajo rrugë mund të kishte emrin edhe Rruga e Gjakut. Por edhe kështu ka një emër shumë më të bukur, një emër qëndrestar: Rruga e Barrikadave. Tiranasit këtë nuk mund ta harrojnë!
Ç‘bukuri dhe fisnikëri ka marrë Tirana këto ditë që kujtojmë 17 Nëntorin, Ditën e çlirimit! Atë e zbukurojnë dhe e fisnikërojnë ata që e mbrojtën, ata që e dhanë jetën “si me le” për këtë Tiranë që kemi sot. Janë Ata të cilët i kemi në çdo pozicion të Kryeqytetit e, çuditërisht, qëndrojnë aty si të jenë në pozicion luftimi për të mbrojtur Tiranën tonë, Tiranën e tyre. Ku doni të vini aty do t’i gjeni. Do t’i gjeni te Rruga Qemal Stafa, te Myslim Shyri, te Muhamet Gjollesha, te Ylbere Bylykbashi, te Zonja Çurre, te Mine Peza, te Tre Dëshmorët, Rruga 4 Shkurti, Rruga Br. VIII S, te …!
Shumë nga ata i gjen aty ku shpërndahet Drita e Diturisë, por edhe ku mësohet historia e lavdishme e Luftës ANÇ. Aty do të gjeni Misto Mamen, Mihal Durin, Asim VokshiN, Vasil Shanton, Ali Demin, Alqi Kondin, Dhora Lekën, Myslim Ketën, Sertvete Maçi N, Sadik Stavalecin, Ymer Kurtin, Nikel Dardanin, Xhezmi Dellin, Abdulla Ketën, Jordan Misjan, Konferencën e Pezës, Katër Dëshmorët, Kushtrimin e Lirisë, 10 Korrikun, Hasan Voglin, Ramazan Jaranin, Emin Durakun, Myslim Shimën, Kushtrimi i Lirisë, 16 Shtatori në Pezë, 14 Nëntori në Petrelë, por edhe 17 Nëntorin, dita që përfaqëson e simbolizon çlirimin e Tiranës. Vetëm për çlirimin e Tiranës ranë 127 dëshmorë, të cilët meritojnë të shkruhen me germa të arta.. Në ato vatra patriotizmi e atdhetarie mësohet faqe pas faqeje historia e shkruar me gjak për çlirimin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Ne kujtojmë për të mos harruar
Rrugët e Tiranës, bulevardi Dëshmorët e Kombit, sheshi Skënderbe, ai te Partizani Fitimtar, mjediset përpara të gjitha shkollave, gjithandej, janë zbukuruar me flamuj kombëtarë, me banderola, me zbukurime nga më të ndryshmet, duke i dhënë Kryeqytetit tonë bukuri e ndriçim festiv. Është 17 Nëntori, është Dita e festës tonë të 80 vjetorit të Çlirimit.
Diku, në rrugën Myslim Shyri, shikoj një varg nxënësish që mbajnë në duar flamurin Kombëtar, në miniaturë. Janë plot gaz, festojnë. Më kujtuan vite të shkuara, vite kur Dita e Çlirimit kujtohej dhe festohej edhe në të gjitha shkollat e madje edhe në kopshte fëmijësh. S’kish gjë më të bukur të shikoje atdhetarinë, atë çka njeriu e merr dhe e fut në gjak qysh sa është i vogël. Por këtë virtyt të shqiptarit, të rracës tonë arbërore e shikojmë dhe e përjetojmë edhe këto ditë në prag feste në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. I gjithë ky vit, deri sa na erdhi i shumëprituri 17 Nëntor, shkollat e Tiranës janë kthyen në qendra festive dhe, ca më shumë, në super shkolla ku shkëlqeu interesi dhe kujdesi për të mësuar historinë e asaj të lavdishmes, të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Më ka rënë rasti që t’i përjetoj apo të marr informacionin e duhur nëpërmjet rrjeteve sociale ku, as më shumë e as më pak, shkollat e Tiranës dukeshin e duken si në mes “të zjarrit”, sikur po “digjen” nga moria e flamujve kombëtarë dhe nga këngët partizane, nga ato që të thërrasin për të qenë syhapur, për vigjilencë. Ndodh kjo edhe pse aty shërbejnë e militojnë mësues e mësuese patriotë, bij e bija veteranësh, nipër e mbesa të atyre partizanëve që mundën, vetëm me gjak e me sakrificat më sublime, të na dhuronin këtë 17 Nëntor, këtë datë historike për Kryeqytetin që më në fund shënon 80 vjet çlirim.
Pasardhësit veteranë, Anaila Gjokoreci dhe Bardhosh Kanaj, drejtues të Këshillit Zonal nr.9, këto ditë shkelën dhe u bënë miq me drejtues dhe mësimdhënës në disa shkolla të Kryeqytetit. Me gazetën “Kushtrim brezash” në dorë ata shpërndanë informacionin që nuk e gjen kund, atë të misionit të saj që vlerat dhe historia e LANÇ duhet dhe mundet të përcillet tek brezat e rinj. Këtë angazhim e merak prej pasardhës veterani e gjen edhe tek Guri Seferi në Këshillin Zonal Nr. 6, tek Agron Guri e Luan Kula në Lagjen Astir, Flora Agolli te Këshilli Zonal nr.8,Telha Dorëzi në Këshillin Zonal nr. 3, Thoma Vaso, te këshilli Zonal nr.2, tek këshilli zonal nr. 5, ku drejton Bexhet Fezolli, tek ai nr. 4 me drejtues Resmi Bregun e shumë të tjerë, por pa harruar Komitetin drejtues të OVP të Tiranës, me veprimtarë të zellshëm si Vera Tarifa e Ilir Curri, por edhe “shtabi” që i ndjek punët në proces.
-Nuk mund ta shpjegoj dot, thotë Anila Gjokoreci e Bardhosh Kanaj, veprimtarë të palodhur në OVP të Tiranës, të cilët sjellin dy emra, atë të Mersin dhe Afërdita Mersinllarit, të cilët u anëtarësuan në prag të ditës së Çlirimit të Tiranës, ashtu si 200 të tjerë që iu bashkuan me plot dëshirë kësaj organizate të madhe. Por ai informacionin e çon edhe më tej nga shkollat ku Lufta ANÇ është dhe mbetet pasuri e hipotekuar edhe për shkollat dhe nxënësit, që mësojnë e edukohen me frymën e atdhetarisë. Dhe këtë mjedis, ku sundon fryma e për të njohur historinë tonë të Luftës Çlirimtare, e gjen në të gjitha shkollat e Kryeqytetit, në qendër e në periferi, nga shkolla “Qemal Stafa e deri në Yzberisht.
Ata që u është vënë vula e turpit, të ulin kokën.
Ku ndrijnë shumë bukuri, nuk prish punë ndonjë hije, që mundon shpirtin e tij të zi për të venitur sadopak dritën që i jep shkëlqim Tiranës në këtë 80 vjetor të çlirimit. Shpirtrat e zinj punojnë në errësirën e natës, sepse ditën ata i shkrumbon drita e diellit. Janë ata, shpirti i tyre i zi që me kovën mbushur me bojë të zezë të mundin të shëmtojnë Heronjtë të ngritur në bronx shesheve të Tiranës. Por nuk mundin. Nuk mundin, sepse “shëmtinë“ që duan t’u sajojnë, fjala vjen, Heroit të Popullit Ali Demi, apo Pllakës përkujtimore ku u var në litar Heroi tjetër, Myslin Shyri, djemtë e ish partizanëve që çliruan Tiranën i lanë me ujë të artë e i bënë më të bukur. Nuk mund ta shëmtojnë dot Tiranën ata që projektuan e zbatuan 4 Shkurtin e vitit 1944, e as ata që ekzekutuan Tre Heronjtë, Vojo Kushin, Sadik Stavalecin e Xhorxhi Martinin, e më në fund, as ata që vranë më 28 shkurt të atij viti vogëlushin 16 vjeç, Viktor Gjokorecin. Ata që u mundën e u turpëruan këtu e 80- vjet më parë nuk do të arrijnë dot të ngrejnë kokën më. Ata ishin dhe do të mbeten hije nate dhe nuk e kanë atë forcë të mundin kurrë dritën.
Pasnesër, këtë të djelë, dita për Tiranën do të jetë ndryshe. Veteranë e pasardhës, fëmijë shkollash e studentë, i gjithë populli i Kryeqytetit, do kujtojnë e do të festojnë Ditën e madhe, 80 vjetorin e Çlirimit. Qoftë e bekuar kjo Ditë e Madhe dhe, dyfish të bekuar të gjithë ata që sakrifikuan për të na dhuruar këtë 17 Nëntor!