Bashkim Koçi: Nuri Vërzhezha, njeriu që “bleu” emrin e mirë

681
Sigal

Pikënisja e të gjitha arritjeve në jetën e njerëzve të shquar është dhe mbetet dëshira për të ndryshuar diçka aty ku ai ka ëndërruar të ngjitet në një majë. Shembujt janë të shumtë, nga të gjitha fushat e jetës të veprimtarisë njerëzore. Dikush ka piketuar të lerë emër në fushën e ekonomisë, dikush tjetër në atë të muzikës, dikush në drejtim të shkencës etj. Pra emrat e njërëzve, të cilët e kanë sjellë ndryshimin falë dëshirës për të kryer detyrën profesionale me pasion, janë të shumtë.  Në këtë rast po sjell një nga specialistët më të spikatur të vendit tonë në frutikulturës, specialistin Nuri Shabani (Vërzhezha).

Emrin e këtij “magjistari” të kultivimit, rritjes dhe mbarështimit të pemëve frutore e kisha dëgjuar qysh në rininë timë të hershme, atëherë kur studjoja në auditorët e Institutit të Lartë Bujqësor (sot UBT). Specialisti i pemtarisë Nuri Vërzhezha na zinte “pritë” kudo, sa herë që bëhej fjalë për procese shërbimi, trajtimi e deri tek organizimi i vogël i punës në hallkat më delikate si proceset e shartimit, të shtratifikimit apo ato që ishin akoma më të vështira, trajtimi me preparate kimike. Vinte e nga vinte shtjellimi teorik i një çështjeje të caktuar në fund mbyllej me porosinë: bëni ashtu si punon dhe vepron specialisti Nuri Vërzhezha në fidanishten e Lushnjes.

Po cili është Nuri Vërzhezha, njeriu që e kërkoi dhe e formoi veten duke ndjekur rrugën  vetjake me bindjen se e dinte ku e shpinte? Nuri Shabani lindi në fshatin Vërzhezhë të Skraparit më 2 gusht të vitit 1929. Ishte fëmija më i rritur midis fëmijëve të tjerë të Ali Shabanit dhe për këtë fakt mbeti të ishte “prijës” për të gjithë të tjerët, duke mbajtur mbi shpinë halle të mëdha, në veçanti ato ekonomike. Ende i vogël, vetëm 15 vjeç, së bashku me një bashkëfshatar, më të rritur në moshë, ashtu si ish “marrosur” e gjithë rinia e kohës së luftës, vajti e u regjistrua partizan në radhët e Brigadës së X-të Sulmuese. Mori pjesë në luftime gjatë operacionit të dimrit në të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe ky “partizan i vogël Velo” nuk e turpëroi pushkën që hodhi në krah edhe pse zëra të mekur u përpoqën ta denegronin, ta trembnin në mënyrë që të kthehej në shtëpi.

Pas çlirimit Nuri Shabani u kthye në fshat, pranë prindërve aty në Vërzhezhë.  Meqë ishte shumë mirë me mësime, arsimimin  ai dhe prindërit e vlerësuan si të ishte një rrugëtim që e lejonte të vetërealizohej dhe të bëhej i zoti për të përballuar jetën. Babai, Ali Shabani, duke parë inteligjencën e të birit, i cili kishte prirje për bujqësi, bëri të pamundurën për ta dërguar me studime në shkollën e famshme bujqësore të kohës,  tek ajo e amerikanit  Harri Fullc në Golem të Kavajës. Aty Nuri Shabanit iu dha rasti të dukej e të shfaqej si njeri kërkues ndaj vetes, gjë që do të nxirrte në pah talentin e tij si njeri pasionant dhe i dhënë më mish e me shpirt pas bujqësisë. Kjo vendosmëri e ky pasion i shfaqur në shkollën e Harri Fullcit nuk kish pse të mos t’i çelte rrugën për formim të mëtejshëm shkencor, për atë që kishte për zemër, për bujqësinë. Këtë “fiksim”, pra dëshirën për të studjuar e arsimuar më tej, pa të cilin Nuriu nuk jetonte dot, e kishin kapur edhe mësimdhënësit në shkollën e mesme të Golemit, ndaj edhe ai një ditë do të ishte ndër emrat e parë që do të dërgoheshin për studime të larta jashtë vendit, në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës. Atje kishte edhe shqiptarë të tjerë, por Nuriu veç formimit të lartë e të specializuar  në fushën e pemtarisë e bujqësisë në tërësi, do të merrte diçka tjetër,  që nuk do t’i ndahej për të gjithë jetën. Çfarë kishte ndodhur! Nga Shqipëria aty kishte ardhur edhe një student tjetër me të njënjtin emër, pra Nuri Shabani. Si mund të dallohej njëri nga tjetri, qoftë për komunikim të përditshëm, qoftë edhe për dokumentacion mësimor? U vendos që njëri prej tyre, pra Nuriut të Skraparit t’i vendosej për mbiemër Vërzhezhë, fshati i tij i lindjes. Nga ai mot i largët e deri në fund të jetës ai do të njihej jo më si Nuri Shabani, por Nuri Vërzhezha.

Ndonjëherë fati është vepër e rastësisë. Studenti Nuri Vërzhezha nuk arriti dot të përfundonte studimet në Sarajevë për shkak të prishjes të marrëveshjeve me shtetin Jugosllav gjë që do ta detyronte atë dhe të tjerët, të kthehej në atdhe “gjysmak”, jo i formuar plotësisht me dije e kulturë e që të ishte në gjendje për të vepruar me kompetenca të plota shkencore. Por vendi kishte nevojë të ngutshme për specialistë dhe ashtu si i urituri që e konsumon bukën sapo del nga furra, të nxehtë, edhe Nuri Vërzhezhës iu ngarkua detyra të punonte në rrethin e Beratit, konkretisht për të zbutuar Ligjin e Reformës Agrare në zonën e Lapardhasë e të Otllakut. Ai aty tregoi se ishte i aftë të kryente punë të vështira, nga ato punë, që përpara se të hidhesh në veprim të duhet “të zhvishesh”, t’ua ndërrosh rrobat mendimeve që të pengojnë të sjellësh ndryshimin e duhur. Nuri Vërzhezha tregoi se ishte një i tillë ndaj nuk ishte rastësi që për punën e tij të lavdërueshme  të dekorohej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medalje Pune të Klasit të III-të.

Nuri Vërzhezha ishte i aftë dhe kishte inteligjencën e nevojshme, madje me tepri për të kryer punë të vështira, të cilat herë-herë të befasonin për cilësinë dhe kujdesin që kryheshin. Ishte viti i largët 1954 i shekullit të kaluar kur u emërua përgjegjës i Ndërmarrjes së Farërave në rrethin e Lushnjes, pozicion ky shumë i vështirë për një rreth bujqësor, por edhe me shumë probleme siç ishte Lushnja si rreth bujqësor. Por ai ia doli. Ia doli me shumë sukses edhe sepse ishte ai që i bënte gjërat të ndodhnin ashtu si duhej përmes asaj që ai ishte, vullnetmadh dhe i denjë të bënte shkencë. Gjithçka thamë zgjati dhjet vjet, deri në vitin 1964, vit kur u emërua përgjegjës në Fidanishten Frutore me qendër në Karbunarë.  Ky pozicion i ri në punë me drufrutorët hodhi dritë në atë që Nuri Vërzhezha gjeti vetveten. Ishte momenti kur vetëm me punë mund të lartësonte emrin, personalitetin e tij si specialist i pakonkurueshëm në fushën e prodhimit të fidanave frutorë dhe përhapjes e kultivimit të varieteteve më të mira për kohën. Madje në ata vite fidanishtja e Lushnjes mund të quhej si “Republika e Nuri Vërzhezhës”. Ai, ashtu si një drejtues kompetent, nuk arriti kurrë të delegonte detyrat tek të tjerët, të kërkonte e shtrinte dorën tek qeveria e pastaj për dështimet të fajësonte më të dobtit, ata që nuk kishin asnjë faj. Sipërfaqet e gjëra me dhjetra hektarë nuk i kishte të tijat, pronë vetiake, por kujdesej e i tarjtonte shumë më shumë se kaq. Filloi sistemimin e parcelave mbi baza shkencore. Zgjeroi sipërfaqet e tokës së dobishme, duke mbjellë edhe pemë frutore për prodhim për tregun, për të siguruar të ardhura, por edhe të përballonte nevojat e qytetit e më gjerë. Madje kur sipërfaqet e mbjella me pemë e vreshta u zgjeruan shumë, emri nga Fidanishte Frutore pësoi metamorfozë dhe u quajt NB Frutore. Rrushi, pjeshkët dhe mandarinat që prodhoheshin nga duart e Nuri Vërzhezhës mbahen mend edhe sot e kësaj dite, pas një gjysmë shekulli, për cilësinë dhe llojshmërinë, për të cilat na ka marrë malli për t’i provuar edhe një herë. Sigurisht që detyra kryesore e fidanishtes ishte prodhimi i fidaneve dru-frutorë për gati të gjithë Shqipërinë, ku një vend të veçantë zinte vreshti antifilokserik nga prodhoheshin kalema, të cilët shërbenin si material nënshartetse për varietet e ndryshme të rrushit. Cilësia e kalemëve ishte shumë e lartë. Falë kërkesës të padëgjuar deri atëherë nga ky specialisti “nopran”, u arrit që fidanat antifokserik të eksportoheshin edhe në Bullgari, në vendin ku kishte teknologji e kërkesa shumë më të larta në kultivimin e rrushit.

Meraku i Nuri Vërzhezhës për të bërë punë të paqme me fidanat frutorë ishte ashtu si i atij prindit të kujdesshëm për rritjen e fëmijës, i cili kërkon kujdes maksimal për shëndet dhe edukim.  Fjala vjen kur binte shi, Nuriu nuk kishte gjumë, rrinte gjithë natën zgjuar, duke vështruar dëndësine e reshjeve nga dritarja me merakun se atje në fidanishte një përrua aty pranë mund të rrëmbente mijra e mijra kalemë antifilokserik . Një natë intensiteti i shiut e bëri të ngrihej që me natë dhe të shkonte në këmbë nëpër errësirë në Karbunarë, e cila ishte 3 km larg. Njoftoi familjet e punëtorëve që ishin më afër dhe kontrolluan gjendjen e kalemave antifilokserikë  të cilët “flinin” buzë përroit të rrëmbyshëm. Për fat, ishin ruajtur pa dëmtuar, sepse u kishin vënë përsipër gurë të rëndë mbi plastmas.

Nuri Vërzhezha nuk ishte specialist i rëndomtë, nga ta që nuk lexonin, që nuk njiheshin me përparimet në process të shkencës agronomike.  Në këtë drejtim ishte nga më të paktit, një nga ata që numëroheshin me gishtat e dorës në mbarë vendin. Ai lexonte e kuptonte në 3-4 gjuhë të huaja. Përveç gjuhëve sllave: rusisht, serbo-kroatisht e bullgarisht, lexonte e studjonte edhe në italisht e frëngjisht. Ky kontakt me literaturë perëndimore ia kishte zgjeruar  horizontin e dijeve. Për vite të tëra, nëpërmjet bibliotekës në Tiranë, bënte porosi edhe në bibliotekat e huaja, prej të cilave merrej literatura e kërkuar. Merrte pjesë rregullisht në seminaret e organizuara në shkallë kombëtare, ku gjente rastin për t’u njohur e shkëmbyer mendime me specialistët më në zë të bujqësisë shqiptare, midis të cilëve mund të përmendim agronomin e shquar Abedin Çipi, Taso Ninin, Petraq Sotirin, Nevruz Kafazin, Bedri Lumanin etj. Shkrimet e Nuri Vërzhezhës për bujqësinë zinin vend të përhershëm në revistën  “Bujqësia Socialiste” apo gazetat e përditëshme të kohës. Nëse do të kërkonim në arkivin e “Bujqësisë Socialiste” nga viti ’70 e më pas, rrallë mund të gjendet numër pa ndonjë shkrim problemor apo teknik të shkruar prej tij. Në këto punë ku mund dhe duhej mendja e specialistit është rasti të sjellim një detaj të rëndësishëm.  Në fund të vitit 1970 Nuri Vërzhezhës ia solli rasti të shkonte në Francë, ku, nëpërmjet ambasadës sonë në Paris, kishte porositur blerjen e 50 rrënjëve kivi, i cili ishte frut i ri, i panjohur deri atëherë sepse ishte i posafutur në tregun evropian nga Japonia. Fidanet e marra në Francë u mbollën në fidanishte, me synim që t’i shtonte dhe t’i shpërndante në të gjithë vendin. Pas prodhimit të parë që mori në një pjesë prej tyre, përgatiti kalema për t’i mbjellë në sipërfaqe më të madhe. Nejse, por është fakt i pamohueshëm që kivin në vendin tonë e ka sjellë për herë të parë dhe i ka dhënë “nënështetësinë” shqiptare agronomi emërndritur Nuri Vërzhezha. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve duhet të sjellim edhe një “marrëzi” të këtij specialisti të dashuruar me pemtarinë. Nën “presionin” të një specialisti nga Skrapari, kryeagronomit të rrethit, Gëzim Gjinecit, mundën të mbillnin një sasi të konsiderueshme mandarinash, të cilave u siguruan mjedis të mbrojtur nga ngicat dhe erërat e ftohta, pra që të rriteshin, të prodhonin e të ndjeheshi “rehat” edhe pse vendi quhej Skrapar.

Asnjë nga gjërat madhështore nuk është realizuar pa pasion. Madje në ndonjë rast pasioni i njërit bëhet rrezik për tjetrin. Nuri Vërzhezha, fjalavjen, nuk donte të dinte për bimët e tjera, ato të drithrave, foragjeret apo të tjera. Mendja e tij ngrysej e gjdhihej me frutikultrën. Vetëm në saje të këmbnuljes së tij u arrit që NB Frutore e Lushnjes të shtrihej në mijra hektare, duke e zënë me vreshta, pemë e ullinj. Ai po bëhej aq “i rrezikshëm” saqë një ditë kryeministri Mehmet Shehu, pas takimit me Nuriun, u alarmua dhe dha porosi tek organet eksekutive ne rreth që “të kini kujdes nga Nuri Vërzhezha  sepse ai është shumë i dhënë pas frutikulturës dhe ka të ngjarë të zaptojë edhe tokat e planifikuara për t’i mbjellë me grurë e misër”.

Nëse asgjësohet dëshira, asgjësohet mendja. Nuri Vërzhezha nga ky këndvështrim mbeti kërkues deri në fund për të përvetësuar emrin “specialist i ditur”. Nuk ishte rastësi që ai në fillim të viteve ’70 të përfundonte pa shkëputje nga puna Institutin e Lartë Bujqësor, pasi nuk i njihej shkolla që kishte kryer në Sarajevë. Veç artikujve të shumtë shkencorë në periodikët bujqësorë të kohës, ai ka botuar edhe librat ku më i kërkuari ishte dhe mbetet  “Kultivimi i fidaneve frutore “, libër që gjendet në Bibliotekën Universitare. Gjatë viteve të punës krijoi edhe varietete të reja pjeshkësh, dardhash etj, çka konsistonte për të krijuar një konvejer më të mirë në furnizimin e popullatës me fruta. Por futja në prodhim të gjerë nuk u bë realitet sepse, siç edhe dihet, pas viteve ’90 nuk u kujdes kush dhe ca më tepër t’u bëhej ballë çmëndurive të elementëve që dirigjoheshin për të sjellë gjoja demokraci.

Nuriu u nda nga jeta më 29 janar 2010, në moshën 80-vjeçare.