Xhenet Sula: Masakra e përgjakshme naziste në Lopësin e Tepelenës

1284
Sigal

Në 14 shtator 1943 nazistët gjermanë pushkatuan 15 vetë shumica e tyre fëmijë.

MASAKRA E PËRGJAKSHME GJERMANE NË KRAHINËN E LOPËSIT TË TEPELENËS  NË  VITET 1943 – 1944

Në 22 qershor të vitit 1944 te “Gryka e Shkallës” trupat gjermane vranë mbi 30 burra e djem

   Nga Xhenet SULA

 

Në 14 shtator 1943, nazistët gjermanë pushkatuan 15 vetë, shumica e tyre fëmijë.Ndërsa në 22 qershor të vitit 1944 te “Gryka e Shkallës”, trupat gjermane vranë mbi 30 burra e djem, shumica e tyre nga Mallakstra.  Në të dy operacionet si “Ëolfsschluch” dhe “ Blindschleiche”, që trupat gjermane zhvilluan gjatë L.A.N-Cl, në këtë krahinë heroike, skuadrat e batalionit të Regjimentit 734  të përbëra nga forcat e artilerisë e xhenios gjermane të Korpusit XX,  në të gjithë zonën pushkatuan mbi 45 vetë. Këto masakra trupat gjermane i kryen si shenjë hakmarrjeje ndaj kësaj krahine, nisur nga sulmet e befasishme që i bëri jo vetëm Brigada e V-të partizane dhe ajo e VI-të, por dhe forcat e çetës territoriale partizane të kësaj zone, të cilat drejtoheshin nga Komanda e Vendit të kësaj krahine dhe gjithë populli. Nga këta, më 14 shtator të vitit 1943  pushkatuan: 4-nëna, 8- fëmijë dhe 3 burra, viktima të pafajshme të cilët punonin në pronat e tyre fushave buzë lumit Vjosa. Kurse në “Grykën e Shkallës” mbi fshatin Dhëmblan, vranë  mbi 30 burra e djem, shumica e tyre  nga Mallakastra.

Masakra në fushën e Koçie Sinanaj më 14 shtator të vitit 1943                     

  Mëngjesin e datës 14 shtator të vitit 1943, shtabi i komandës gjermane,  i mirë informuar nga forcat tradhëtare të vendit, ndërmerr një aksion të gjerë duke kontrolluar imtësisht ç’do anë e cep, e shtëpi si dhe të gjithë territorin e krahinës nga Dorëza në Salari. Skuadrat naziste të përbëra nga tre -katër ushtarë dhe një oficer gjerman gjatë ushtrimit të kontrollit gjetën, kapën dhe vranë, brenda një dite:  Në Driza të Sinane: Mahmut Muçaj dhe Maze Banush Halilaj, nga fshati Sinanaj.     Në fushën e Koçie: Familjen e fisit DAKAJ nga fshati Dorzë si: Et’hem Rexhep Dakaj e Rrënjë Haxhi Dakaj burrë e grua tok me katër fëmijët e tyre, dy vajzat Belere dhe Dike, e dy djemtë Selamin dhe  Et’hemin. Në sheshin mbi gurrë te ish kompleksi i lopëve: Këze Dule Muçaj, nënën me të dy fëmijët e saj Jakupin e Manushaqen vajzën e porsalindur 24 orëshe, si dhe Naze Banush Halilaj, nga fshati Sinanaj.  Po atë ditë  në Kuçovë te arat e Lulo Seferit, fshati Dhëmblan vranë: Përsëri një nënë: Eteme Jonuz Kasaj, me të dy djemtë, Skënder dhe Pajtim Lulo Kasaj.     Në fshatin Lab-Martalloz: gjermanët qëllojnë me mortajë nga lartë xhadesë në drejtim të fushës poshtë në Çeçele dhe plagosin një djalë 13 –vjeçar, Tahir Asllan Elezaj, të cilin e shpëton Jaho Gjoliku i cili dërgoi një mjek nga Elezajt e Salarisë për ta mjekuar. Në Salari, Janar- Qershor 1944. Në 3 janar të vitit 1944,  në qendër të fshatit, gjermani  vrau 1 burrë Hyso Adush Memushaj, dhe një vajzë Bike Çobo Beqiri.  Kurse në muajin qershor, më 9.6.1944, vranë Shule Hasan Muçi, dhe tre ditë më pas, më 12.6.1944 ata pushkatuan duke e qëlluar me plumb në ballë Çarçan Musa Dalanaj, i cili para oficerit gjerman me grushtin lartë bërtiti: -“Poshtë fashizmi”! Më 22 qershor 1944, te “Gryka e Shkallës” mbi fshatin Dhëmblan në malin e Gribës, gjermani vrau mbi 30 burra e djem, shumica nga Mallakastra.  Duke u ngjitur  malit të Gribës, njëra nga kompanitë gjermane, pa dalë akoma te “Gryka e Shurit”, papritur  panë se drejt tyre po zbrisnin nga mali i Këndrevicës mbi 30 burra e djem, shumica nga Mallakastra, të cilët ishin furnizuar me armë nga Himara për t’ua çuar forcave të çetave partizane territoriale të këtij rrethi. Pa arritur akoma te Gryka, gjermanët, pasi u kishin zënë pritë, menjëherë hapën zjarr, dhe pasi i vranë ata i hodhën të gjithë në buzë, këta djem e burra trima të cilët nuk u dorëzuan, por luftuan deri sa dhanë jetën për atdhe. Nga këta dy prej tyre ishin nga fshati Dhëmblan si Xhevit Mataj nga lagja Breshanaj dhe nipi i tij Fuat Bylyshaj, ndërsa  Muhamet Ramo Jera e Ziflo Prasta, nga fshati Dukaj, kurse Enver Banushaj nga Salaria. Të pestë këta, janë marrë pas tre ditësh nga vendi i ngjarjes nga banorët e fshatit Dhëmblan, kurse të vrarët e tjerë i varrosën tek vendi ku  derdhën gjakun e tyre për liri. Vetëm një i  mbijetuar i asaj kohe, Elmaz Kapaj(Mataj), i cili falë shkathtësisë së tij në një moment kishte gjetur mundësinë dhe ishte larguar me vrap, edhe pse gjermanët e qëlluan disa herë për ta vrarë, arriti gjallë. Sot këta janë dëshmorë të atdheut.   Te pishat mbi fshatin Matohasanaj në Luadhe, gjermani zuri  dhe vrau: Hurma Ormënin, e cila qe bërë pjesëtare aktive që kontribuoi për lirinë e vendit, si dhe ishte përfshirë në Organizatën e Gruas Antifashiste të fshatit Sinanaj. Sot dëshmore e atdheut.  Në Matohasanaj, gjermanët vranë mbi fshatin Matohasanaj, Sefte Ormënin, e cila, kjo burrneshë nuk tregoi kur gjermanët e pyetën se ku fshiheshin partizanët! Nder dhe lavdi për këtë krahinë Heroike! Sot NDERI I KOMBIT!  I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre, të cilët u vranë në L.A.N.Ç  gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore 1939-1944!

Krahina që lidh Labërinë me gjithë Shqipërinë!                                                                   Në Zonën e Parë Operative Vlorë – Gjirokastër gjatë operacionit, përpjekja e parë me pushtuesin gjerman u bë më 10 shtator 1943 në ora 8°° nga batalioni “Asim Zeneli”, së bashku me forcat partizane territoriale të qarkut Gjirokastër, të cilat ishin pozicionuar përgjatë rrugës automobilistike Gjirokastër-Tepelenë, nga Mashkullora-Kardhiq- Bregu Shehe, e Cepo-Humelicë, të cilat sulmuan befas repartin e një pjese të regjimentit të 92-të gjerman, duke u  shkaktuar dëme njerëzore dhe materiale. Në këto luftime morën pjesë dhe dy kompani të batalionit “Misto Mame”. Të egërsuar gjermanët vazhduan drejt  Subashit për në Tepelenë dhe në të gdhirë të datës 11 shtator, përsëri autoblinda e tyre sulmohet nga  batalioni “Baba Abazi” dhe forcat territoriale partizane të Kurveleshit të Sipërm, të Qendës, të Lopësit, të Krahësit, të Buzit, të Damësit dhe të Rrëzë, me rreth 2 000 veta. Në datën 12 shtator veprimet e tyre luftarake sulmuese kundra armikut, këto forca i shtrinë nga Damësi,  Majkosh, Turan, Veliqot, Pallçie, Ura e Bënçës, Luzat,  Beçishtë dhe Kodër e Ura e Lekëlit. Duke parë rrezikun, gjermanët nisin më 12-13 shtator, forca të shumta nga Gjirokastra për në Tepelenë të shoqëruara me autoblinda. Në këto dy data forcat partizane së bashku me forcat vullnetare çarmatosën garnizonet italiane të Hormovës dhe të urës së Lekëlit. Më datën 13 shtator autokolona gjermane niset drejt Vlorës për të kontrolluar dhe zbuluar gjendjen e forcave partizane. Sa kalon Veliqotin, te Ura e Turanit, në Zharrë ata sulmohen nga çeta “ Selam Musai” e çetat vullnetare të Turanit, të Dukajt, të Memaliaj e të Lopësit. Nga kjo betejë u vranë shumë gjermanë dhe u kapën shumë materiale. Nisur nga këto sulme, gjermani raportonte se “çetat partizane janë kudo, ato duke shfrytëzuar me shkathtësi terrenin u shpëtojnë masave të marra nga ne.” (AIH.DUGJ,Divizioni I malor Ic,653/43 sekret,raport nr,7 mbi gjendjen e armikut, 24 shtator 1943, T.314/671). Duke ndjerë rrezikun e asgjësimit, pasi forcat hitleriane ishin të rrethuara në Tepelenë komanda gjermane nisi me ngut nga Vlora një batalion të regjimentit të 92-të e cila mbërrin po atë ditë pasdite në Tepelenë. Gjatë patrullimit në krahinën e Lopësit gjermani në Majën e Mehmete ngriti komandën, pikë kjo, nga e cila kontrollonte gjithë hapësirën e territorit, kufirin nga Vlora përtej lumit Vjosa dhe hyrjen nga Tepelena. Që këndej fillonin dhe operacionet të cilat u zhvilluan në të gjashtë fshatrat e kësaj krahine si Salari, Dorzë, Sinanaj, Lab-Martalloz, Dhëmblan dhe Matohasanaj. Lavdi në përjetësi, luftës, jetës dhe veprës së  këtyre viktimave të pafajshme, por dhe të dëshmorëve të cilët derdhën gjakun për lirinë e atdheut!

Operacioni i Mbiemëruar ”Blindschleiche” emër i një hardhuce që jeton në Afrikën e Jugut (e shkathët, e mprehtë, vigjilent, e vepruese deri sa kap gjahun e vet)