Bashkim Koçi: Njazi Çepani, emër që mbeti në fronin e lavdisë

19
Sigal

Kam përpara një fotografi, i cila të çon larg, shumë larg në vite, në dhjetorin e vitit 1944. Është një ndër ato foto kur fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore, e ca më shumë ata të Luftës ANÇ, ndjeheshin të veshur hijshëm me “kostumin e krenarisë”, me legjitimin pas asaj lufte të madhe ku mbëritja te liria i jepte shkëlqim tjetër yllit të partizanit. Në foton që kam përpara janë një çift partizanësh, Njazi e Bukurie Çepani, tek fytyrat e të cilëve janë të shkrira si në një të vetme, triumfi i fitores mbi pushtuesin fashist dhe ajo tjetra, jo më pak e rëndësishme, ndjenja ku shfaqet bukur lidhja shpirtërore dhe dashuria mes tyre e sprovuar në vite lufte.

Sigurisht që një foto, si kjo e çiftit Njazi e Bukurie Çepani, nuk na shfaq vetëm një çast nostalgjie për at epokë të madhe e lavdiplotë, por edhe diçka promovuese të një partizani, të kuadrit dhe drejtuesit të pazakontë, të Njazi Çepanit. Ai ka lënë gjurmë zotësie e trimërie si rrallëkush gjatë viteve të Luftës ANÇ, por ajo që e bën të jetë e veçantë ndër luftëtarë të tjerë është se ky njeri edhe pas largimit nga jeta ka lënë shenja të prekshme ku zbulohet shpirti i tij i madh e ku kundron ende në errësirën e kohës. Ai qysh në fillesat e përfshirjes në formacionet partizane në Skrapar, pra kur ishte veç një djalosh i bukur me shpirt të bukur e fisnik, u shfaq ai që ish, me iluzione, por që kërkonin krah, si ata të një zogu në fluturim. Njazi Çepani është ndër të rrallët, i cili guxoi jo vetëm të bëhej pjesë e formacioneve partizane qyshsa filloi lëvizja në Skrapar, por edhe të ishte komandant, prijës në të gjitha betejat që iu desh të ndeshej me pushtuesin armik. Si komandant në Grupin e III- të Skraparit, do të ishte fillimi i këtij marrshimi të gjatë për ta vazhduar si Komandant i Brigadës së X Sulmuese Partizane më 29 tetor të vitit 1944, vetëm një muaj përpara se të çlirohej vendi nga pushtuesit nazifashistë. Brigada që u komandua nga Njazi Çepani, e me komisar luftëtarin e Spanjës Mane Nishovën, kishte rreth 1225 partizanë të batalioneve: “Riza Cerova”, “Tefik Lapani”, “Ajet Xhindole” si dhe batalioni i katërt “Myzeqeja”, me të rinj dhe të reja nga rrethi i Lushnjës. Ishte kjo Brigadë, e cila veç detyrave të shumta luftarake, do të merrte pjesë edhe për çlirimin e Tiranës. Njazi Çepani e përballoi këtë detyrë të lartë me dinjitet, duke mos lëshuar pèr rregull e disiplinë, në ato që të magjishmet që do të sillnin fitoren.

Në formimin e njeriut ka forcë të jashtëzakonshme tradita familjare, rrënjët nga vjen në breza njerëzish. Njazi Çepani lindi dhe u formua me ndjenjën atdhetare e patriotike nën çatinë e asaj shtëpie ku paraardhësit e tij kishin bërë emër e histori lavdie. Babai, Myftar Çepani, luftoi me armë në dorë kundër andartëve grekë dhe ra dëshmor në vitin 1914 si komandant çete. Edhe Bukuria, bashkëshortja, me të cilën lidhi jetën dhe luftoi krah për krah deri në çlirimin e plotë të vendit, vinte po nga një derë e madhe, ajo e Dingove të fshatit Rog, aty pranë, në krah yë Çepanit. Babai I saj, Tefik Dingo Rogu, èshtè cilësuar “Patriot i shquar” me vendim të Kuvendit Poullor. Mund të shënojmë këtu edhe faktin që ai ishte bashkëpunëtor i Ismail Qemalit. i Hasan Prishtinës dhe shok klase me Mustafa Qemal AtaTurkun. Në këtë këndvështrim edhe Njazi Çepani me Bukurie nuk ka pse të ishin ndryshe. Madje ish veterania Bukurie Çepani mbaj mend që, deri sa qe gjallë, mbeti një militante e shquar dhe mbrojtëse e flaktë e idealeve dhe vlerave të Luftës ANÇ.

Si drejtues dhe komandues i formacioneve partizane Njazi Çepani mbahet mend si ndër më të veçantët nga mënyra e komunkimit, të të bërit për vete dhe të dhënies të detyrave luftarake ku partizani i thjeshtë shikonte te komandanti ndjesinë e detyrës dhe thjeshtësinë e shpirtit, e që me të dyja bashkë mund të arrihej edhe e pamundura. Në këtë rast duhet të mos harrojmë Njazi Çepani kishte se nën komandë partizanë e partizane të moshave të reja, 14, 17 e 29 vjeçarë. Një ndër ta, veterani 99 vjeçar Qeal Bego, i cili jeton ende, përjetoi dhe zbatoi çdo komandë, apo urdhër luftimi në njësinë e Brigadës së X Sulmuese, ruan konsideratat më të larta për komandant Njazinë, i cili mbeti gjatë gjithë jetës për të ‘ilaç çudibërës” për të mbetur njeri i drejtë, kërkues , e për të mbëritur tek e mira, por mbi të gjitha për të mbetur njeri i thjeshtë dhe fjalë ëmbël me të gjithë, eprorë apo vartës. Do të ishte po ky “ilaç çudibërës” që formacioni i tij luftarak të dilte fitimtar në të gjitha betejat e zhvilluara, edhe pse periudha e veprimtarisë të Brigadës qe relativisht e shkurtër. Fakti që efektivi i brigadës së porsakrijuar u karakterizua qysh në ditët e para nga një disiplinë të hekurt dhe e motivuar për të qënë gjthmonë në pozicione sulmuese, tregon në një farë mënyre edhe aftësitë dhe zgjuarësinë e komandantit, të Njazi Çepanit. Gjatë një marshimi të gjatë, në këmbë, nga Karbunara e Lushnjes deri në periferi të Tiranës, më 8 nëntor të vitit 1944, partizanët goditën në Fatishë të Peqinit një autokolonë gjermane me rreth 70 makina, 10 tanke dhe disa autoblinda që lëvizte nga Durrësi për në Elbasan, e që në krye të kollonave partizane printe komandant Njaziu. Por në rrugëtimin luftarak ka të dhëna të tjera të shumta ku janë të rregjistruara e të pasqyruara betejat e Brigadës së X Sulmuese, siç është urdhëri i Shtabit të Korparmatës së parë Sulmuese të Ushtrisë ku, po kjo brigadë, të përqëndrohej në Kashar për të mbajtur nën goditje të pandërprerë rrugën Tiranë-Kashar dhe Tiranë -Vorë. Ishte 11 nëntor kur sulmoi në befasi forcat gjermane, që kishin zënë vijën Yzberish-Yrshek-Kashar-Gjokaj-Vorë dhe më 12 nëntor e kapi këtë vijë, përveç garnizonit gjerman tepër të fortifikuar të Vorës. Po atë ditë, tre batalione të brigadës u vendosën në pritë në rrugën Tiranë –Vorë, ndërsa batalioni i dytë i brigadës u vendos në zonën e Shijakut. Për shtatë ditë e netë u zhvilluan luftime në këtë rajon e në këto vija, duke i sjellë humbje të rënda në njerëz e teknikë armikut pushtues. Më datën 13 nëntor pati zhvillime të ashpra deri edhe në luftim me granata dore midis forcave partizanë nga njëra anë dhe atyre gjermano-balliste nga ana tjetër. Më 16 nëntor brigada çliroi Shijakun dhe Durrësin. Të gjtha këto çka sollëm në pak rrjeshta, a nuk tregojnë jo vetëm vendosmëri, mënçuri, energji të pashterëshme, por edhe aftësi prej një strategu ushtarak të komandant Njazi Çepanit? Po hymni i Brigdës që ai drejtonte: Dridhu, dridhu tirani/ Brigatë e dhjetë sulmon/ Thyen zgjedhë e robëri/ Dhe zinxhirët i dërmon., a nuk shfaq thelbin shpirtëror të formacionit luftarak partizan?

Në këtë vazhdë të karakterit të tij të fortë si drejtues ushtarak në luftë, ai mundi të mposhte edhe dhimbjen, atë të rënies në fushë të betejës të partizanëve, të cilët i njihte si t’i kishte vëllezër të një gjaku. Djemtë Agush Guraziu, Ali Sollaku, Alush Grepcka, Avni Prishta, Hajdar Tafa, Hasan Veseshta, Jorgji Greku, Meleq Gjoni, Nazmi Diko, Qani Malimati e Shyqyri Faslliu, deri sa qe gjallë i mbajti e i ruajti në zemër ashtu si i njohu në luftë: që shkuan drejt vdekjes duke qeshur. Ishin këta të rinj partizanë, të cilët u motivuan me shpirt e zëmër në shërbim të misionit që morën përsipër, siç ishte çlirimi i atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Dhe në krye, në drejtimin e këtyre djemve, që ishin betuar për të mbetur në frontin e luftimit deri në fund, qëndronte po një si ata, atdhetar e besnik i idealit, Njazi Çepani. Të vjen ndot e krupë kur në ditët e sotme, disa pinjollë të kolaboracionistëve, mundohen të shpifin e të hedhin baltë mbi atë luftë e mbi ata që e bënë këtë luftë.

Njazi Cepani me bashkëshorten Bukurie, pas çlirimit dhe gjatë gjithë jetës mbetën besnikë të idealeve, të atyre idealeve që i frymëzuan të dilnin e të rjeshtoheshin në formacione partizane për të çliruar atdheun nga flama nazifashiste. Për kontribute të mëdha në Luftën ANÇ Njazi Çepani është vlerësuar me të gjitha dekoratat e asaj lufte, akorduar nga Presidiumi Kuvendit Popullor si dhe 2 dekorata nga Koalicioni Antifashist Botèror, si luftëtar i shquar.

Pas çlirimit ai u konfirmua si një nga ushtarakèt më të zotë, duke mbajtur e përballuar pozicione ndër më të lartat në strukturat e Ushtrisë Popullore. Si drejtues i lartè nè Ushtrinè shqiptare pèr vite tè tëra, Njazi Çepani nuk mbeti vetëm me përvojën e fituar si komandant në formacionet më të larta në Luftën ANÇ, por ndoqi me zell e pasion për vite më rradhë shkollat më të mira të asaj kohe si shkolla ushtarake në Itali e Akademia e Lartë Ushtarake në San Petërburg.

Ashtu si sollëm në fillim të këtij shkrimi se formimi dhe karakteri i këtyre dy figurave të shquara të LANÇ, ishin zgjatim i traditave dhe kontributeve të familjeve nga ata vinin, edhe për ata, pra Njazi e Bukurie Çepani familja që ngritën nuk ishte vetëm e rëndësishme, por ajo ishte gjithçka. Me një kujdes e merak të pashoq lindën, rritën dhe shkolluan katër fëmijë dhe, siç thuhet në kësi rastesh, më i mirë njëri se tjetri. Çlirimi, Iliri, Arjana (ndarë nga jeta﴿, dhe Fatmiri bënë atë që meritonin të bënin të lindurit nën çatinë e shtëpisë të Njazi Çepanit. Gjej rastin të veçoj njërin nga ata, atë që lindi në ditët e para të çlirimit, fat ky që do të pagëzohej edhe me emrin Çlirim. Ai bëri karierë në fushën e diplomacisë, karierë që sot e rendit ndër diplomatët më të shquar të vendit. Si përfaqësues diplomatik (ambasador﴿ në shtetet Meksikë, Kubë apo shërbimet në Panama, Kostarika, Nikaragua e si konsull në Bari e në Janinë, kompletojnë dhe lartësojnë jo vetëm Çlirim Çepanin, por familjen nga ai erdhi, atë të ngritur në zjarrin e luftës partizane, Njazi e Bukurie Çepani.

Dhe kur njihesh me një jetë si kjo, e komandant Njazi Çepanit, nuk është pak të të mbetet emri në fronin e lavdisë.