Bashkim Koçi/ Andrea Mema si Kajo Karafili

1255
Njeriu nuk është i përjetshëm. Ai duhet të përpiqet të jetë i pavdekshëm në atë që thotë dhe në atë që bën. Më erdhën ndërmend këto fjalë të një mendimtari të shekullit të shkuar teksa dëgjoja këto ditë të tregohej, jo pa ngarkesa emocionale, për luftërat dhe jetën me plot sakrifica të një durrsaku, emri i të cilit është mbuluar me pluhurin dhe ndryshkun që kanë hedhur kohërat, Andrea Memës. Nuk se Andrea Mema është apo mbetet “anonim” për durrsakët, veteranët e qytetit bregdetar, për studiuesit, për historianët, për të gjithë ata që kanë shkruar e shkruajnë për Luftën Nacionalçlirimtare e vitet ndërtimtarë të më pastajmë. Jo! Emrin e tij e gjen nëpër libra ku trajtohen tema të mëdha të Luftës, në krah të legjendarëve, të luftëtarëve të tjerë heronj, të cilët, me apo pa dëshirën e politikës së ditës, mbeten pasuria e vetme që na ka zbardhur faqen në sy të Botës. 
Nëse do që e tashmja të jetë ndryshe nga e shkuara, studio të shkuarën. Andrea Mema ishte pjesë e këtij grupi të rinjsh durrsakë, që e kishin studiuar, madje e mbanin mbi supe peshën e rëndesës dhe të dhimbjes që u kish sjellë regjimi. Ndaj edhe ai “qiti pushkë” kundër pashallëkut që sundonte mbi popull qysh në moshën fare të re, kur nuk i kish dirsur ende faqja, kur për të kryer aksione “të rrezikut të madh”, shkonte si mbështetës, si guerrilas i “skalionit të dytë”. Për vetëm pak muaj “stërvitje”, bëri emër, meritoi të thirrej nga njerëzit e thjeshtë “trimi i Durrësit”, ashtu siç konsideroheshin të tillë Lym Këta e Adnan Qatipi në kryeqytet, në Tiranë.
Ndër 200 komunistët e parë
Gjëja më e vështirë është të jesh kundër rrymës. Është e vështirë sepse në të tilla raste të duhet të mbash mbi shpinë atë çka shumica e njerëzve të komunitetit ku punon e jeton e quan çmenduri, e konsideron gjë të mbrapshtë, njerëzisht të pamoralshme. Por Andrea Mema nuk i përfilli fjalët e rrugës, mbylli sy e vesh në emër të së ardhmes, të betimit që kishte bërë si atdhetar i betuar, i cili e meritoi të ishte tek të 200-ët e parë “komunista lule”. Ky moral i ri do ta çonte aty ku kërkohej jo thjeshtë për të zbrazur një armë kundër pushtuesit, por që të kërkohej koka. Në këto kushte trimi kërkoi trimin. Në aksionin e parë në qytetin e Durrësit, për të eliminuar një tradhtar dhe bashkëpunëtor të rrezikshëm të pushtuesit nazifashist, Andrea ish në krah të Kajo Karafilit. Babë Myslimi e kish dërguar Kajën “për garanci”, për të mos dështuar aksioni, por edhe për të vënë në provë Andrea Memën nëse ishte “kapedan”, nëse rreshtohej tek ata që do të kishin fatin të ishin pjesë e Çetës së Pezës. Lumturi ka në çdo kohë, në çdo vend dhe në shumë mënyra, por ajo varet nga njeriu-kur e kërkon, në cilin vend e kërkon dhe në ç’mënyrë e kërkon. Andrea Mema e kërkoi lumturinë në moshën e rinisë, kur energjitë i kishte të pashtershme; në vendin e tij, në Shqipëri e cila priste të çlirohej nga armiku pushtues dhe në mënyrën më heroike, duke u përballur dhemb për dhemb me ata që po rrezikonin pushtimin e botës. Ishte 18 prilli i vitit 1943, vetëm pak ditë që kish dalë mga burgu si “i rrezikshmi” i qeverisë, ku bashkë me 20 durrsakë të tjerë iu bashkëngjit Çetës së Babë Myslimit për të cilën “shihte ëndrra në gjumë” nëse do të vinte ndonjëherë dita të ishte pjesë e formacionit luftarak, aty ku luftonte Kajo Karafili. Djaloshi ëndërrimtar, vetëm 25 vjeç, e konsideronte Kajën si trim legjendë, si një Skënderbe. Këtë magji e kishin edhe djelmoshat e tjerë, versnikët e Andrea Memës, Maliq Muço (Hero i Popullit), Ibrahim Buzhiqi, Muharrem Kokomani, Fiqiri Sinojmeri, Shpend Dega, Ibrahim Balla, Vlash Prifti, Petraq Çuka, Prokop Meksi e të tjerë, u trimëruan sepse ndoqën shembullin e trimave si Kajo Karafili.
Nuk ka qëllim të madh pa sakrifica të mëdha. 
Për Andrea Memën kjo sentencë ishte dhe mbeti deviza e jetës, gjëja më e shenjtë për të qenë kryelartë në detyrat që iu ngarkuan në Luftën Çlirimtare. Ai e ktheu strehëzën e tij, shtëpinë, bazë të Nacionalçlirimtares, e cila për nga rëndësia që mori aty u urganizuan takime të luftëtarëve të spikatur si udhëheqës të Lëvizjes, siç ishin Telat Noga, Ndoc Mazi e Kazma Nushi. Një pllakës përkujtimore e cila i jep bukuri shtëpisë edhe sot e kësaj dite, mban të shkruar në mermer se aty u mblodh për herë të parë Komiteti i Qarkorit të qytetit të Durrësit. Është fakt, gjithashtu, se partizani, të cilit i ishte ngarkuar detyra e ruajtjes të anëtarëve të qarkorit që mbledhja të zhvillohej normalisht, ishte artisti i madh durrsak, Nikolin Xhoja. Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin. Kjo thënie e bukur nga njerëz të mëdhenj mund të jetë ilustrim i shkëlqyer edhe për Andrea Memën. Nëse ndjekim karrierën e tij, nga veprimtar e organizator i thjeshtë i njësiteve guerileve në qytetin e Durrësit dhe detyrat më të larta që iu ngarkuan në Çetën e Pezës, Batalionin Territorial e deri tek formacioni i lartë ushtarak, atë të Brigatës 22 Sulmuese, vihet re qëndresa, ndershmëria, sakrifica për të mbetur qelibar, njeri që nuk e njohu kurrë pozicionin kokulur, të turpëruar. Në luftë Andreas iu caktuan pozicione të rëndësishme luftarake siç ish detyra e komisarit të Kompanisë, zv/komisar Batalioni të cilat iu desh t’i kryente me shumë përgjegjësi në një rrugëtim shumë të gjatë përpjekjesh me pushtuesit gjermanë, nga Peza në Vishegrad. Më pas, kur vendi u çlirua, Andrea, si gjithmonë, mbeti “i skalionit të parë”, kuadri më i papërtuar për të drejtuar aty ku rreziku i jetës të ishte, as më shumë e as më pak, si në frontin e luftës me dyfek në krah. Aty ku u caktua Andrea Mema ishin vende drejtuese, të cilët kërkonin, përpos njerëz të ditur e të kënduar, por edhe të vendosur për t’u përballuar me egërsinë e kundërshtarëve, të të mundurve. Ai arriti të bëhej i suksesshëm sepse çdo gjë që ia caktonin për ta kryer e merrte seriozisht. Seriozisht dhe me plot besim punoi në detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Durrës dhe po me atë përkushtim e devotshmëri në drejtimin e Drejtorisë më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë dhe si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Shijakut. Shijakasit e vjetër në moshë kujtojnë ende shpirtin e madh human që kishte Andrea Mema. Për sa vite që punoi e drejtoi në Shijak, ai u bë pjesë e shqetësimeve të familjeve të varfra, i kudondodhur për mposhtjen e varfërisë tek njerëzit në nevojë. Ky burrë i veçantë, i cili doli si i tillë nga komuniteti durrsak, mbeti po kaq durrsak në krijimin e familjes të cilës iu përkushtua me shumë dashuri, ashtu si dinte Andrea. Ai e lidhi jetën me Mellaninë, vajzën më të bukur e të zgjuar e cila ishte bijë në familjen e madhe Heba, nga fisi ndër më të spikaturit e qytetit të lashtë për merita patriotike e që, siç thonë në Durrës, në pesë pjesëtarë të një familjeje Heba ishin gjashtë partizanë. Me Mellaninë u njohën në aksionet luftarake, në veprimtaritë e përbashkëta të njësiteve guerile. Simboli që e bekoi këtë bashkim zemrash do të ishte 9 Maji i vitit 1946, i cili, përpos ditës së dasmës, përfaqësonte edhe ditën e fitores mbi fashizmin. Andrea Mema u nda nga jeta fare i ri, në moshën 38 vjeç. Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat që ia prenë jetën në mes këtij durrsaku të mirë. Mellania ishte fare e re, në moshën e saj më të bukur. Ç’duhet të bënte? Nga jeta kish mësuar se një grua e bukur, mbetur e ve, duhet të ngutej për të thyer pasqyrën e saj.
Porosia e Mehmet Shehut
Në dhjetë vjet martesë ai la tre fëmijë, Tanjën, Vasilin dhe Lidën. Sigurisht, që ata tashmë janë në moshë madhore, por nuk kanë harruar dhe nuk mund të harrojnë kontributin e prindërve, të Andreas dhe të Mellanisë, për të mbajtur lart emrin e familjes. Djali, Vasili, një ndër fizarmonicistët më të shquar të qytetit të Durrësit, kujton se këtë profesion shumë të bukur e ka dhuratë nga babai, Andrea. Ai kujton ditën kur, si jetim që ishte, punonte në ndërmarrjen komunale për ujitjen e lulishtes pranë bllokut në bregdet, aty ku pushonin udhëheqësit e kohës. Në një nga këto ditë ai përballet me një person i cili, siç ndodh rëndom, e pyeti nëse vijonte shkollën. Jo!- i kish kthyer përgjigje Vasili dhe me ndershmërinë që karakterizon një fëmijë, i kish shpjeguar për pamundësinë e realizimit të një ëndrre për t’u shkolluar në Liceun Artistik, Në Tiranë. I kujt je, si e ka emrin babai?-kish vijuar burri veshur me kostum plazhi. Dhe pasi mori përgjigje se ky ishte i biri i Andrea Memës, e kish përqafuar dhe premtuar se do të fillonte shkollën aty ku kishte ëndërruar. Më pas, një nga shoferët aty në bllok, e kish pyetur djalin e vogël: Ç’të tha Kryeministri, çfarë bisedove me të? Vetëm atëhere Vasil Mema, i biri i Andreas, mori vesh se bashkëbiseduesi paskësh qënë Mehmet Shehu. Sapo u kthye në ndërmarrje mori vesh se porosia e Mehmet Shehut paskësh marrë dhenë. Vetëm pas një jave, djali që ujiste lulet buzë detit Adriatik, u gjend në Liceun “J. Misja” në Tiranë. Nderi nuk është bërë për t’u fituar, por për të mos u humbur. Kur i hedhim një vështrim dashamirës jetës së Andrea Memës kapet lehtësisht fakti që ky personalitet i lartë, i cili u gatua dhe u poq si i tillë në flakët e LANÇ, mbeti në të gjitha ditët, muajt dhe vitet që jetoi njeri shumë i nderuar për famijlen, shoqërinë dhe Shqipërinë.
Sigal