Avni Rustemi, Bajram Curri, Fan Noli guxuan të flisnin për Leninin e Revolucionin e Tetorit 1917!

1748
Muharrem Xhafa

Revolucioni që tronditi botën! 
7 Nëntori i 2017-ës shënon 100-vjetorin e fitores së Revolucionit Socialist të Tetorit (1917). Fitorja e tij përbën një ngjarje historike me rëndësi botërore, që përkujtohet në gjithë botën. Si edhe herë tjetër, më 7 nëntor, komunistët shqiptarë do të mblidhen për të përkujtuar 100-vjetorin e fitores së Revolucionit Socialist të Tetorit dhe 76 vjetorin e themelimit (8 nëntor 1841) të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PPSH). Është bërë krejt e ditur, se në historinë e njerëzimit Revolucioni Socialist i Tetorit është revolucioni i parë socialist fitimtar në botë, i kryer në Rusi, më 7 nëntor të vitit 1917 (25 tetor me kalendarin e vjetër) prej klasës punëtore në aleancë me fshatarësinë e varfër nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Bolshevike me V. I. Leninin në krye. Po kështu bota e di qartë, se Revolucioni Socialist i Tetorit përmbysi pushtetin e borgjezisë dhe çifligarëve (regjimin e Carit), vendosi diktaturën e proletariatit, duke krijuar shtetin socialist sovjetik, u bë për masat punonjëse të të gjitha vendeve të globit frymëzues në luftën për çlirim kombëtar dhe shoqëror. Masat e popullit nuk mund të mos kujtojnë që Revolucioni i Tetorit shpalli botërisht paqen midis popujve dhe kundërshtimin e çdo agresioni imperialist, të çdo shtypjeje kombëtare e zgjedhje koloniale, njohu të drejtën e të gjithë popujve e shteteve për pavarësi e sovranitet shtetëror. Në frymën e re të këtyre parimeve të larta, me vendim të Kongresit të Dytë të Sovjetëve, Qeveria Sovjetike e kryesuar nga V. I. Lenini botoi të gjitha traktatet e fshehta të fuqive imperialiste, në të cilat popujt e vegjël ishin përdorur si monedhe shkëmbimi. Me fitoren e me aktet e tij, Revolucioni Socialist i Tetorit ushtroi fuqishëm një ndikim të madh transformues në të gjitha vendet e botës. Ai pati një rëndësi të madhe edhe për vendin tonë. Se, ndër shumë traktate të fshehta të fuqive imperialiste, publikoi e bëri botërisht të njohura edhe marrëveshjen austro-italiane të 8 majit 1913, e cila parashikonte pushtimin e Shqipërisë nga këto fuqi për një afat të pacaktuar, si dhe ndarjen midis tyre të zonave të ndikimit; shpalli pazaret e premtimin që Fuqitë e Antantës i bënin qeverisë greke në nëntor 1914 për t’i dhënë kësaj (Greqisë) pjesën jugore të Shqipërisë në rast se ajo pranonte dhe hynte në luftë me Antantën; publikoi Traktatin e Londrës të prillit 1915, me anën e të të cilit fuqitë imperialiste të Antantës kishin vendosur të copëtonin e të ndanin një pjesë të trojeve shqiptare midis shteteve fqinjë: Italisë, Serbisë, Malit të Zi e Greqisë dhe të vendosnin protektoratin italian mbi krahinat që mbeteshin midis lumenjve Vjosë dhe Drin. Siç pritej, imperialistet e forcat e brendshme reaksionare pro tyre u përpoqën të pengonin me të gjitha mënyrat e mjetet jehonën e Revolucionit të Tetorit në Shqipëri dhe zhvilluan kundër tij një propagande të gjerë shpifëse e denigruese! Por kjo nuk u arrit. Se, me përhapjen e ideve leniniste e nën ndikimin e këtyre ideve, mori përmasa më të gjera lëvizja për çlirim kombëtar, për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit e zgjerimin e veprimtarisë demokratike revolucionare, për vendosjen e rendit demokratik në Shqipëri. Askush nuk mund të mohojë se botimi i traktateve të fshehta mbi Shqipërinë bëri që, brenda vendit dhe në kolonitë shqiptare të mërgimit, të nisnin e zhvilloheshin protestat kundër komplotit imperialist, i cili kërcënonte trojet shqiptare me një copëtim tjetër të ri. Shtetet imperialiste, po në veçanti Italia, me qellim për të zbutur e ulur zemërimin popullor të shkaktuar nga njohja me përmbajtjen e Traktatit të fshehtë të Londrës e të tjerë, si edhe për të qetësuar lëvizjen progresiste e çlirimtare, që po merrte, nga dita në ditë, përmasa gjithnjë më të gjera, aktivizuan kundër komandën e truparmatës së 16-të italiane, që ndodhej në Shqipëri. Në shkurt të 1918-s, ajo porosiste prefekturat e nënprefekturat e vendit të kryenin propagandë në favor të Italisë, duke thënë se ai traktat (i Londrës) gjoja pësoi më vonë ndryshime, që “bolshevikët nuk i botonin me qëllim”! Po as kjo nuk u eci! Pas kongresit kombëtar antiimperialist të Lushnjes në janar të vitit 1920, fitores së Luftës heroike të Vlorës në verën e atij viti, e cila mbaroi me dëbimin nga Shqipëria të pushtuesve imperialistë italianë, si edhe të luftërave të tjera me armë të shqiptarëve kundër pushtuesve italianë e jugosllavë, u rivendos pavarësia e shtetit shqiptar në kufijtë e 1913-ës. Ishin këto një dëshmi e fortë e patriotizmit të popullit shqiptar dhe e ndikimit të politikës leniniste antiimperialiste. Emri i Leninit u bë simbol i “parimeve të larta të njerëzisë”, i shoqërisë së re pa shfrytëzues e të shfrytëzuar. Domethënese është se idetë e Leninit lexoheshin dhe u përhapën në masat e varfra të popullit, sidomos në qytete. Domethënëse është të dish se, që në atë kohë, Bajram Curri, ky patriot – hero i madh i kombit, demokrat revolucionar i shquar, besimin në politikën leniniste të qeverisë sovjetike e shprehte në një promemorje drejtuar asaj qeverie, në dhjetor 1920, ku theksohej se “Populli shqiptar pret prej Rusisë Sovjetike që të vendosë në Ballkan një paqe të drejtë, fisnike dhe të vërtetë”. Gjithashtu është domethënëse të kujtohet se në një vend si Shqipëria, ku mungonte një lëvizje e fuqishme punëtore e një parti e klasës punëtore, dhe ku problemi agrar ishte kryesori për shumicën dërrmuese të popullsisë, idetë e Revolucionit Socialist të Tetorit gjetën jehonë në një rrafsh shoqëror të gjerë dhe patën ndikimin e vet në rritjen e lëvizjes demokratike. Në plan të parë, pas dëbimit të forcave të huaja imperialistë të shovinistëve fqinje, doli lufta për vendosjen e rendit demokratik dhe në mënyrë të veçantë për zgjidhjen e çështjes agrare. Në këto rrethana, bolshevizmi në Shqipëri u kuptua në radhë të parë si zhdukje e pronës së madhe çifligare dhe ndarje falas e saj fshatarëve të varfër e pa tokë. Jo vetëm në organet e shtypit e në tribunën parlamentare të kohës, po edhe në mjedise të tjera politike, shoqërore dhe kulturore, u zhvilluan debate mbi rrugën bolshevike, dmth me dhunë, dhe jobolshevike, dmth pa dhunë, të zgjidhjes së çështjes agrare në Shqipëri. Siç dëshmon historia, për zgjidhjen e parë, me anë të përdorimit të dhunës, ishin më së pari të interesuar fshatarët e varfër e ata pa tokë, të cilët, me nismën e tyre, vunë dorë mbi pronat e çifligarëve si në Vlorë e gjetkë. Për rrugën e dytë shpreheshin përfaqësuesit e borgjezisë demokratike të klasës së pasur. Qëndrim tjetër mbajtën çifligarët dhe klerikët reaksionare, të cilët dolën hapur kundër çdo reforme agrare dhe ideve të Revolucionit Socialist të Tetorit, që ishin përhapur e kishin gjetur truall të favorshëm në një vend agrar e të prapambetur si vendi ynë i atyre viteve. Në një jubile si ky, nuk mund të mos përmendim se ndikimi i Revolucionit Socialist të Tetorit në Shqipëri dhe prestigji që kishin fituar Partia Bolshevike dhe shteti sovjetik në botë u shprehen me simpati të veçantë me rastin e vdekjes më 21 janar 1924 të udhëheqësit të madh të Revolucionit, të Partisë dhe të Rusisë Sovjetike, V. I. Leninit. Veç brezit të ri të sotëm, të gjithë e dinë që, me 4 shkurt 1924, me këmbënguljen e Avni Rustemit, Asambleja Kushtetuese u detyrua të bënte 5 minuta pushim në nderim të V. I . Leninit. Shqipëria kishte atëherë burra atdhetarë të mëdhenj. Jo si sot! Atëherë shtypi demokratik shqiptar (jo si sot) guxonte ta cilësonte Leninin si “politikanin botëror e revolucionarin më të madh të shekujve” dhe si “babain e vegjëlisë…që ngriti në shkallën e duhur (lart) emrin e popullit”. Rritja e lëvizjes demokratike në pranverën e vitit 1924, do të çonte hap pas hapi në krijimin e një situate revolucionare, në shpërthimin në maj të kryengritjes dhe në fitoren e forcave revolucionare më 10 qershor 1924 – të Revolucionit të Qershorit! Si kushtrim për kryengritjen e armatosur shërbeu vrasja nga Ahmet Zogu e reaksioni çifligar e Avni Rustemit, e njërit nga udhëheqësit e levizjes demokratike. U vendosën edhe marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë e Rusisë Sovjetike. Po idetë e Revolucionit të Tetorit u përhapën më gjerë me lindjen e me zhvillimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Përbën një privilegj për komunistët shqiptarë të përkujtojmë, më 7 nëntor 2017, fitoren e Revolucionit Socialist të Tetorit, të revolucionit që, 100 vjet më parë, i hapte udhë njërës prej ëndrrave më të mëdha të njerëzimit – ëndrrës së një botë pa tiranë e pa padronë, ku në pushtet ishte populli. Ai revolucion çeli një epokë të re në historinë botërore, epokën e përmbysjes së kapitalizmit e të fitores së rendit socialist, epokën e revolucioneve proletarë në vendet kapitaliste e të revolucioneve nacionalçlirimtarë në vendet koloniale e të varura, epokën e krijimit të frontit revolucionar ëe proletarëve e të popujve të shtypur të të gjitha vendeve kundër imperializmit. Në këtë përvjetor të shënuar të fitores së Revolucionit të Tetorit, enveristët, komunistët e progresistët shqiptarë shprehin nderimet e vlerësimet më të larta për V. I. Leninin – ideatorin, frymëzuesin e udhëheqësin e Revolucionit që tronditi botën, të njërit prej njerëzve më inteligjentë të kohërave moderne, vazhduesit gjenial të veprës së K. Marksit dhe F. Engelsit, udhëheqësit të proletariatit ndërkombëtar, themeluesit të Partisë Bolshevike dhe të shtetit të parë socialist në botë, i cili e ngriti marksizmin në një shkallë të re më të lartë. V. I. Lenini ishte një orator e organizator i rrallë revolucionar, mobilizues masash milionëshe i talentuar, gjeni i strategjisë e takticien i shkëlqyer i revolucionit proletar, negociator i mençur i gjerë, i pamëshirshëm ndaj armiqve të popullit dhe mendjendritur, që, kundër çdo parashikimi nihilist e mosbesimi, guxoi të sulmonte qiejt e ia doli, me burra të tjerë të shquar revolucionarë, të vendoste bazat e socializmit në një të gjashtën e botës, të thyente intervencionin e egër kundër pushtetit të sovjetëve të 14 shteteve imperialistë të Evropës, të vendoste themelet e një rendi të ri, të panjohur më parë në jetën shoqërore në vendin ku bujkrobëria kishte rrënjë të thella, dhe që u bë, pas disa dekadash, nën udhëheqjen e Stalinit të madh, vendi socialist më i fuqishëm i planetit, fuqia e dytë në botë. V. I. Lenini vdiq vetëm 54 vjeç, më 22 prill 1924. Po të kishte jetuar më gjatë, historia e botës do të ishte ndryshe. Dhe sot mësimet e Leninit janë aktuale për mobilizimin e klasës punëtore e të masave të tjera punonjëse në luftën për një jetë pa shtypje e shfrytëzim të njeriut prej njeriut, për çështjen e revolucionit proletar e për të luftuar kundër teorive e praktikave antimarksiste të oportunistëve e revizionistëve të ndryshëm. Sulmet që i bëhen mësimeve të Leninit prej borgjezisë ruse e ndërkombëtare, prej oportunistëve e revizionistëve të kohës, as e tundin e as e zbehin leninizmin, i cili është marksizmi i epokës së imperializmit dhe i revolucioneve proletare, busulla e pagabueshme për komunistët e vërtetë, për proletariatin e popujt, për revolucionarët kudo në botë, flamur për përmbysjen e zgjedhjes së kapitalit. Që J. V. Stalini ai që, vdekjes së V. I. Leninit, në krye të KQ të Partisë Komuniste Bolshevike të BS, udhëhoqi për 30 vjet rresht luftën për të çuar përpara fitoret e socializmit e mbrojtjen e tij në Bashkimin Sovjetik, duke luajtur një rol të madh historik për mbrojtjen e leninizmit, për shpartallimin ideologjik e politik të trockizmit e të buharinizmit. Krah për krah me Leninin e si nxënës besnik i tij, Stalini kreu një rol tejet të rëndësishëm për organizimin e udhëheqjen e kryengritjes së armatosur, për fitoren e Revolucionit të madh Socialist të Tetorit. Përbën një vlerë universale fakti që, pas fitores së revolucionit, Stalini mbështeti energjikisht udhëheqësin e tij, Leninin, për organizimin e Ushtrisë së Kuqe e për shpartallimin e forcave intervencioniste. Jo rastësisht, po për të gjitha këto e të tjera, J. V. Stalini, me propozimin e Leninit, në vitin 1922, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i KQ të Partisë Komuniste Bolshevike. Si vazhdues i denjë i veprës së Marksit, Engelsit e Leninit, udhëheqës i proletariatit rus e botëror, frymëzues e udhëheqës i Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit, udhëheqës i shquar i Partisë Bolshevike dhe i ndërtimit e mbrojtjes së socializmit, pas vdekjes së Leninit, ky kryekomandant legjendar i fitores së Luftës së Dytë Botërore, hyn, për mendimin e veprën e tij revolucionare, në radhën e klasikeve të mëdhenj të marksizëm-leninizmit. Pavarësisht falsifikimeve, mashtrimeve e akuzave të përbindshme, që kanë bërë e bëjnë kundër Stalinit borgjezia ruse e revizionistët modernë sovjetikë në një kor me borgjezinë ndërkombëtare, figura e vepra e Stalinit është e pavdekshme. Bota e di se pas vdekjes së Stalinit socializmi në BS u tradhtua. Uzurpimi i partisë dhe i pushtetit sovjetik nga Hrushovi e pasuesit e tij çoi dora-dorës në vendosjen e revizionizmit hrushovian në pushtet, në kalimin e ish BS në kapitalizëm e social-imperializëm, në kthimin e tij në një superfuqi imperialiste botërore, në shpërbërjen e ish Bashkimit të lavdishëm Sovjetik të Lenin-Stalinit! Po kjo nuk do të thotë aspak se e ardhmja e revolucionit dhe socializmit është e mbyllur. Në një botë te polarizuar, të padrejtë e gjithnjë më globale, forcat e majta të proletariatit e të masave të tjera revolucionare të popujve, të udhëhequra nga komunistët e Partia Komuniste janë shpresa e vetme për një drejtësi shoqërore të vërtetë, për përmbysjen e borgjezisë dhe rivendosjen e socializmit e të pushtetit të diktaturës së proletariatit. Pas vdekjes së Stalinit, dhe uzurpimit të partisë e të shtetit sovjetik nga Hrushovi e grupi i tij, Partia e Punës e Shqipërisë e udhëhequr nga shoku Enver Hoxha i qëndroi besnike mësimeve të Leninit e të Revolucionit të Tetorit dhe dha një kontribut historik në mbrojtjen e marksizëm-leninizmit në luftë kundër oportunizmit, eurokomunizmit, revizionizmit në pushtet e social-imperializmit sovjetik e kinez. Analizat e thella të shokut Enver Hoxha për çështjen e tradhtisë revizioniste sovjetike, kineze etj., në veçanti vepra monumentale “Imperializmi e Revolucioni” i kanë dhënë Enver Hoxhës vlerësmin e merituar të klasikut të marksizëm-leninizmit, duke e renditur përkrah Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Tradhtia që ndodhi në BS, i cili sot nuk ekziston më, në Kinë, në vendet e ish demokracive popullore dhe në Shqipërinë e drejtuar nga Ramiz Alia, është vetëm një hap pas në procesin e progresit shoqëror. Bota do të ecë në rrugën e Revolucionit të Tetorit! Lavdi marksizëm-leninizmit! Lavdi Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës!

Sigal