Ashtu si një njeri trupvogël, por i virtytshëm, me cilësi e forcë të brendshme shpirtërore për të kryer punë të mira, është edhe fshati Teman në malësinë e Beratit, i cili, për aq kohë që thirret me këtë emër, ka nxjerrë burra të mençëm, hije – rëndë, që kanë përfituar statusin e të qenit brez pas brezi “shtëpi-oxhak”. Kam njohur dhe vazhdoj të kem komunikim të vazhdueshëm me disa personazhe nga ky fshat “i humbur”, por më duhet të veçoj ata të fisit të Zotkajve, të cilët, për aq sa kam informacion, kanë trashëguar përsosmërisht, nga gjyshi, ati e deri tek biri, në gjenerata të tëra, genin e të qënurit njerëz me cilësi të larta morale e atdhetare.
Hamza Zotkaj (Temani)…
Ashtu si “Gjyshi i Madh”, Hamza Zotkaj ka lënë emër si të ish “Pejkamber” i fshatit. Jo vetëm në Teman, por në të gjithë zonën e Tërpanit, fshatrat në kufi me Skraparin, Përmetin e Tepelenën. Emrin ia lartësoi mençuria, intuita e tij, aftësia për të zënë vend të nderuar në furtunat e fuqishme nga vareshin fatet e kombit. Viti i Pavarësisë, 1912-ta, e gjeti në krah të Ismail Bej Vlorës. Ishte vetëm 17 vjeç, por “sa një plak i moçëm”, nëse kemi parasysh lëvizjet e tij, pjekurinë dhe burrërinë, vendosmërinë për të mos e humbur rrugën, atë që kish nisur Plaku i Vlorës.
Njeriu i zgjuar, më shumë se kurdo, ndërmerr një veprim kur gjërat njerëzore i paraqiten për ndryshim. Dhuntinë për të përkrahur të përparuarën Hamza Temani e kish peshqesh nga gjyshi, i cili, edhe ky, ishte i ndjerë në tërë kazanë për të vetmen “pasuri”, burrërinë. Por jo burrë për të qenë peng i së keqes. Hamza Temani orientohej nga e përparuara, andej nga shikonte edhe të mirën e njerëzisë, të fshatit dhe të krahinës, të cilët e shikonin si prijës, si garant i veprimeve për të mos shkelur në dërrasë të kalbur. Për këtë arsye ai ishte dhe mbeti deri në fund luftëtar i vegjëlisë, përkrahës i lëvizjes së qershorit të vitit 1924, të udhëhequr nga Fan Noli dhe pjesëmarrës aktiv në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935, të frymëzuar nga revolucionari skraparas, Riza Cerova.
Sa madhështor është ai njeri që di të ecë jo vetëm në rrugën e duhur, por edhe të zgjedhë mjetet për ta çuar atë deri në fund. Këtë mprehtësi mendimi dhe veprimi e kishte edhe Hamza Temani, njeriu pa shkollë, të cilin bashkëfshatarët dhe njerëzit e zonës e vlerësonin si “të parin e kuvendit”. Shtëpia e tij, e cila u bë “zyrë pune” për këshillin e fshatit, kryetar i të cilit ishte zgjedhur nga populli, por edhe strehë për luftëtarët. Aty bujtën miq e figura të shquara, si “Heroi i Popullit” Zylyftar Velenja, Kahreman Ylli, Ramiz Aranitasi, Ajet Xhindole, patriotin Tafil Tërpani etj.. Edhe tani, pas 70 vjetësh, mbahen mend përpjekjet dhe organizimi i njësiteve luftarake, për të përballuar mbrojtjen dhe krijimin e kushteve normale në zhvillimin e punimeve të Kongresit të Përmetit, të ndihmës material në kohën kur u formua Brigada e 16-të Sulmuese në Therepel të Skraparit dhe sigurimin e informacioneve me rëndësi taktike dhe strategjike për shtabin e formacioneve partizane.
Jeta kurdo që të mbarojë, po të mbyllet mirë, ajo është e plotë. Hamza Temani, si i pari i Zotkajve, e pati këtë fund të merituar. Shtëpia, ku disa breza njerëzish kontribuuan për këtë vend, për Shqipërinë, është shpallur: ” Bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Sigurisht, falë falë kontributit të tij, falë mençurisë dhe aftësisë për të bërë për vete një zonë të tërë.
… Selami
Nëse ka kuptim shprehja “bëmë baba të të ngjaj”, atë e gjen të mëshiruar tek ky shembull që po japim. Selam Zotkaj i ngjau të atit, Hamzait, si të jenë dy pika uji. Ia mori huqet që në kohën e luftës Nacionalçlirimtare. Nëse i jati kryente “punët e mëdha”, ato që vinin në rrezik kokën, Selami shërbente në sektorin e “prapavijës”, atë të korrierit partizan. Ishte vetëm 14 vjeç kur “shitësi i druve të zjarrit”, me mushkën për dore, shëtiste dyerve të qytetit të Beratit për të marrë informacion, e më tej t’i dorëzonte, sipas porosisë, tek komandanti i batalionit të Brigadës së 7-të Sulmuese, Nikollaq Sallabanda. Ky çamarrok, siç e thërrisnin atëherë për shkak të moshës së vogël që kish, u bë i njohur ndër luftëtarët dhe të gjithë e mbanin afër edhe pse ishte i biri i Hamza Temanit, njeriut kapedan të të gjithë krahinës. Të shumtë janë ata që kalitin trupin dhe shumë të rrallë ata që kalitin shpirtin. Selam Zotkaj radhitet tek këta të dytët, pra “të rrallët”. Është ndoshta personi që na dhuron portretin e njeriut të mirë, të njeriut që gjatë gjithë jetës bëri përpjekje maksimalisht të mundshme për të qenë shëmbëlltyra e të drejtit, e të vërtetit. Madje, po të ndjekësh me vëmendje karrierën e tij në të gjitha punët e kryera në mbi 45 vjet, është e shkruar e zeza mbi të bardhë: një jetë të sakrifikuar për të qenë kudo “me faqe të bardhë”. Është, ndoshta, ndër të rrallët kuadro të asaj kohe që mbeti “i përkëdhelur” jo nga tarafet e miqësitë, por për seriozitetin që kishte për punët, për shpirtin të tij idealist, të pastër si kristali. Mbaj mend jo në një rast, por shumë shpesh, që Selamin e merrnin si kampion të së vërtetës, modelin për t’i thënë tjetrit “puno mirë, shiko si i kryen detyrat Selam Zotkaj”.
Në qoftë se ti do të dish vlerën tënde të vërtetë, hiq mënjanë paratë, pasuritë e tundshme e të patundshme, nderet. Vetëm atëherë shfaqesh ai që je. Selam Zotkaj është ai që ishte dhe do të jetë ai që është. Ka vite që ka dalë në pension, por ai mbetet në çdo kohë “gur qosheje”, i vlerësuar nga shoqëria, i mbetur ai i atëhershmi, “Selami korrekt i Zotkajve”, gjë që është e materializuar me dekorime e tituj nderi të akorduara nga institucionet më të larta të Shtetit, të cilat janë të shumta, por tani, në prag të 70 -vjetorit të Çlirimit të Atdheut, iu dha titulli “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.
…dhe Adriatik Zotkaj
“Një njeri e bën detyrën me nder, pavarësisht nga pasojat personale, pavarësisht nga pengesat, rreziqet dhe presionet. Kjo është baza e moralit njerëzor”. Kjo thënie e Presidentit të SHBA-së, Kennedy, më kujton kurajon e një djaloshi poliçanas në vitin 1977, kur turmat barbare sulmuan për të vjedhur e shkatërruar kombinatin Ushtarak në atë qytet, nga më të mëdhenjtë e vendit. Unë, në atë kohë, kam shkruar diçka në gazetat e kohës për gjestin e këtij djaloshi çamarrok, por nuk më ka ikur kurrë nga mendja sesi një djalë tek të 20-tat të mundte të organizonte punëtorët, burra e gra, për t’u bërë barrikadë mbrojtëse, madje duke u kacafytur trup me trup me banditët, për të mbrojtur shkatërrimin e asaj vepre, të ndërtuar nga vetë ata, për dhjetëra vjet punë të mundimshme. Dhe ky njeri, ky hero i vërtetë i atij viti të mbrapshtë, ishte Adriatik Zotkaj, sot kryetar bashkie i qytetit të Poliçanit.
Dardha bie nën dardhë, thotë populli. Edhe Adriatiku, sipas treguesve të tij, të shfaqura dhe të demonstruara gjatë gjithë viteve, por sidomos në dy legjislatura si kryetar bashkie të një qyteti problematik, tregojnë se ai, si të gjithë paraardhësit e Zotkajve, i ka qëndruar fjalës “të jem aty ku është rreziku, por kurrë kokë ulur e i turpëruar”. Falë kësaj “besëlidhjeje” me cilësitë më të mira njerëzore, falë edhe të qënurit “kokëshkretë” për të mbajtur e kryer me dinjitet detyrën që ka mbi shpatulla, Adriatik Zotkaj, është dhe mbetët trashëgimtar i denjë i një fisi të madh e me emër.
Ka gjëra që kurrë nuk do të jenë jashtë mode: të jesh patriot, fisnik dhe të të mos mungojë kurrë mirësia e shpirtit. Nëse iu referuam, për aq sa mundëm, tre personazheve të spikatur, të cilët përfaqësojnë tre breza njerëzish të fisit, besojmë se Zotkajt janë në këtë udhë, të cilësive që kurrë nuk do të jenë jashtë mode.


















