Adem Kormaku: Nëntor 1968, si e ndërtuam memorialin në Mauthausen

516
Sigal

Rrëfimi i inxhinierit që ka lënë gjurmë në ndërtimin e veprave kryesore të vendit para ‘’90-tës

54 vjet më parë – Si e ndërtuam memorialin kushtuar të rënëve shqiptarë në Mauthausen

Nga Ing.Adem Kormaku

  • Në festat e Nëntorit 1968, partizani fitimtar, simbol i fitores së popullit shqiptar mbi fashizmin u ngrit madhështor në Mauthausen. Kjo vepër arti me simbolikën e saj të veçantë na gëzoi pa masë jo vetëm ne që punuam për realizimin e saj, punonjësit e fotografin e ambasadës shqiptare në Vjenë, por edhe vizitorët e shumtë nga të gjitha vendet e botës

Pesëdhjetë e katër vjet më parë, me porosi të udhëheqjes së kohës, një grup specialistësh shqiptarë do të nisnim punimet për ndërtimin e memorialit kushtuar të rënëve shqiptarë në kampin famëkeq në Mauthausen të Austrisë. Ka qenë data 15 gusht 1968 kur na thirrën ministrat e ndërtimit e të arsimit, përkatësisht Rrahman Hanku e Thoma Deljana dhe na komunikuan porosinë e udhëheqjes për të ndërtuar në Mauthausen, ashtu si edhe shtetet e tjera, memorialin kushtuar viktimave të këtij kampi famëkeq shfarosës nga vendi ynë. Në takim ishin: projektuesi Robert Kote dhe specialistët Adem Kormaku, Llazar Mazniku e Taqo Miho. Ne ishim tre specialistë ndërtimi me përvojë nga ish-ndërmarrja “21 Dhjetori”  që kishim marrë pjesë në ndërtimin e Pallatit të Kulturës në Tiranë, që kurse Heroi i Punës Socialiste Trojçe Mazniku vuri gurin e parë të fillimit të punimeve, ku merrte pjesë edhe ish – udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov, i cili fillimisht premtoi ndërtimin e këtij objekti si dhuratë, por më vonë e anulloi po vetë ai. Me përfundimin e punimeve të Pallatit të Kulturës u shpërndamë në objekte të tjera ndërtimi të ish-ndërmarrjes “21 Dhjetori”, deri kur na përzgjodhën për të zbatuar punimet e memorialit në Mauthausen, në këtë objekt të përcaktuar si të rëndësisë së veçantë nga udhëqja e kohës, sepse do përfaqësonim shtetin shqiptar.

Porositë e udhëheqjes për rëndësinë

politike e shtetërore të objektit

Në takimin me ministrat Hanku e Deljana na u dorëzua edhe projekti i përfunduar nga inxhinieri Robert Kote me të gjitha detajet për zbatimin e punimeve të monumentit. Ndërkohë skulptori i mirënjohur Odise Paskali kishte marrë detyrën për të përgatitur bustin prej bronxi të partizanit fitimtar, në këmbët e të cilit do të ishte ushtari gjerman i shtrirë pas goditjeve me qytën e pushkës, i cili simbolizonte fitoren mbi fazhizmin.

Ne, porsa morëm detyrën, studjuam dhe zbërthyem projektin me detaje për çdo zë e proces punimesh. Parcaktuam me saktësi materialet e duhura për përfundimin e këtij objekti që do të merreshin nga Shqipëria. Kombinati “Josif Pashko” kishte marrë detyrën për të prodhuar të gjitha materialet e nevojshme, pllakat e mermerit, gurët për veshjen fillestare të kollonës e çdo material tjetër që dilte nga zbatimi i projektit, sipas listave të hartuara. U punua me përgjegjësi e përkushtim, si nga Kombinati “Josif Pashko”, ashtu edhe nga sektorët e ndërmarrjes “21 Dhjetori” , ku u përgatitën hekurat e bazamentit e të kollonës e të tjera…Fondet e objektit i dispononte Ministria e Arsimit e Kulturës. Pas një muaji përgatitjeje, nën përgjegjësinë tonë si specialistë që do të zbatonim punimet, kontrolluam cilësinë e prodhimit dhe sasinë e çdo lloj materiali. Depozituam gjithë bazën materiale në magazinë dhe vajtëm të tre e i raportuam ministrit Rrahman Hanku se ishim bërë gati për t’u nisur për në Austri. Të nesërmen na thërret Ministri i Arsimit dhe Kulturës Thoma Deljana në zyrën e tij për të na shpjeguar me hollësi rëndësinë politike dhe shtetërore të ndërtimit të këtij memoriali. Detyra e veçantë e të dy ministrave ishte që Memoriali të përfundonte për festat e Nëntorit të atij viti.

Koha e acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik

Pas disa ditësh morëm pasaportat e përgatitura nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe disa udhëzime. Të tre ishim me emocione; të gëzuar nga njëra anë, por edhe me ankth, për këtë detyrë të rëndësishme e me përgjegjësi që na ishte ngarkuar. Prisnim me padurim ditën e nisjes.

Data 20 shtator përkoi me një situatë të rënduar në vend si rrjedhojë e acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Në ato rrethana na vjen fletëthirrja me tre vija të kuqe për mobilizim nën armë. Menjëherë paraqitemi në Degën Ushtarake Tiranë, ku pasi i sqaruam për detyrën që kishim marrë, me pasaportat e kthimit në dorë, u lejuam të vazhdonim misionin e ngarkuar. Të nesërmen u paraqitëm në ndërmarrje ku gjetëm të rreshtuara tri maune me rimorkiot e mëdha. Parku i eksportit Durrës ishte ngarkuar për transportimin e të gjitha materialeve të ndërtimit nga Tirana për në Mauthausen të Austrisë.

Më 23 shtator, mbas dite u nisëm nga Tirana për në Elbasan, nga ku të nesërmen të kalonim sa më shpejt kufirin e Qafë Thanës për në Jugosllavinë e atëhershme. Maunet ishin të mbingarkuara, kështu që nuk mund të ecnin me shpejtësi. Ishte koha kur ish-kryeministri Mehmet Shehu denoncoi Traktatin e Varshavës, kur buçisnin radiot duke transmetuar fjalimin e tij, ndërkohë që ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe i gjithë populli shqiptar ishte në gjendje alarmi…

PERIPECITË E UDHËTIMIT DERI NË VJENË. AKOMODIMI NË DHOMAT KU KISHIN FJETUR OFICERËT E GESTAPOS

Më 24 shtator 1968, në mëngjes kaluam kufirin e Qafë Thanës dhe në orën 12 mbritëm në Strugë ku bëmë një pushim të shkurtër sa për të pirë një kafe. Për ne ishte udhëtimi i parë jashtë shtetit. Do bënim 2000 km rrugë nga Tirana për në Vjenë. Shoferët e eksportit i dinin mirë rrugët dhe njihnin çdo qytet ku kalonim. Kënaqësi dhe lodhje. Ditari i atij udhëtimi është i mbushur me kujtime nga më të ndryshmet: Strugë-Ohër-Manastir-Nish-Beograd-Zagreb-Maribar dhe më 27 shtator në kufirin austriak ku na nxorën disa probleme në doganë, sa për të na vonuar! Dogana e Austrisë na shoqëroi deri në Vjenë. Mbërritëm në orën 3 të mëngjezit të 28 shtatorit. Të trija maunet u bllokuan në doganën e Vjenës. Ne të tre flejtëm në një hotel brenda ambienteve të doganës. Qëndrimi tre ditor për verifikimin e dokumenteve në doganë për ne qe një boonus që na favorizoi të vizitonim qytetin e Vjenës me bukuritë e tij mahnitëse.

Më 1 tetor, në orën 5.30 të mëngjezit u nisëm për në Mauthausen ku pas pesë orësh arritëm në destinacion, në kampin ku do shkarkonim materialet nga tri maunet. Punonjësi i ambasadës shqiptare në Vjenë që na shoqëronte bëri një takim me administratorin e godinave, i cili na dha një kapanon të madh ku do shkarkonim materialet e ndërtimit dhe morëm çelësat e magazinës. U akomoduam për të fjetur në kampin afër punës në dhomat ku kishin banuar oficerët e Gestapos. Dhomat kishin tre krevate, frigorifer dhe vend për të gatuar…

NISJA DHE VAZHDIMI I PUNIMEVE NË MAUTHAUSEN

Më 2 tetor 1968 u ngritëm në mëngjez herët. Kishim kërkuar nga amasada të njoftohej Zyra e Urbanistikës e Linxit, që kishte nën administrim territorin e Mauthausenit. Me korrektësi, që në orën 8.00 të mëngjezit vjen kryearkitekti i Linxit me një Gentplan ku ishte përcaktuar parcela për ndërtimin e memorialit shqiptar. Na komunikoi rregullat që duhet të zbatonim gjatë procesit të ndërtimit. Nuk lejohej bllokimi i rrugës. Dherat e objektit dhe mbeturinat e ndërtimit do hidheshin 5 km larg….e kështu morëm lejën për fillimin e punës. Në bazë të koordinatave që morëm për sheshim menjëherë bëmë piketimin e objektit dhe filluam nga puna. Na priste një volum i madh punimesh. Do të bënim edhe punëtorin e thjeshtë që nga gërmimi e hedhja e dherave…Ditari i zhvillimit të punimeve dhe vështirësive që na shoqëruan është shumë i gjatë. Administratori Emanuele i kampit u miqësua me ne. Pasi na shihte duke punuar vetë në gëmimin e sheshit të bazamentit, një ditë na pyeti:

-Po specialistët për ndërtimin e objektit kur do të vijnë ?!

-Ju përgjigjëm se gjithshka deri në përfundimin e memorialit do të bëhet nga ne të tre dhe ai ngeli i habitur.

Punuam me përkushtim me orare të zgjatura, sepse po afronte ardhja e dimrit dhe në atë zonë temperaturat zbrisnin deri në minus 25-30 gradë.

Emanuele, spanjoll me origjinë, ishte dëshmitar okular i torturave në këtë kamp të shfarosjes. Ai, pasi kishte shpëtuar i gjallë ishte stabilizuar me banim në Mauthausen dhe punonte si ciceron dhe administrator i godinave të mbetura… Shpjegonte me hollësi të gjitha ngjarjet që kishte përjetuar në këtë kamp. Dhe ne ishim me fat për faktin se shoku ynë, Llazar Mazniku komunikonte italisht me Emanuele.

Një ditë ai na tha: Ju shqiptarët jeni popull shumë i mirë. Kam njohur këtu në kamp shumë shqiptarë që për fatin e keq i dogjën në krematotoriumet apo vdiqën nga torturat dhe mungesa e ushqimit.

Dhe më pas vijoi: Ju të tre jeni artistë e do të  ngrini këtu një shtatore në kujtim të atyre martitëve që sollën lirinë. Ndaj, para se të nisni punën, duhet të njihni historitë tragjike që kanë ndodhur këtu, pasi do ju ndihmojnë shumë në punën tuaj. Emanuele na tregoi histori të tragjedive çnjerëzore të pafundme…

Gjatë punës me orare të zgjatura hasëm shumë vështirësi. Nuk kishim as mjet transporti për të hequr dherat e mbeturinat. Vendi mori pamje tjetër. U ngrit kollona afër 8 m, u sistemua sheshi me 120 m2; u bë bazamenti i skulpturës. Veshëm kollonën me mermer, e cila kishte mbishkrimin në shqip dhe gjermanisht. Në dy krahët u vunë grushtat e bronxit në kollonë sheshi. Kollona e ambjenti morëm pamje tërheqëse. U bë në fakt një mrekulli.

Afroheshin vazhdimisht vizitorë nga shumë vende të botës dhe na përgëzonin për punën që kishim bërë. Ndjenim vërtetë krenari kur na thonin: Albania! Bravo Albania!

Vizitorë të shumtë na shprehnin mirënjohje për Shqipërinë e ne ndjeheshim krenarë që ishim bij të këtij vendi.

Më 16 nëntor 1968 në Mauthausen ra bora e parë. Por ne kishim përfunduar punimet kryesore. Po sistemonim e pastronim ku bora nuk na pengonte. Ishim në fund të punimeve dhe në pritje të skulpturës prej bronxi, e cila duhej të kishte ardhur.

Punimet në Mauthausen i ndoqën diplomatët e ambasadës tonë hap pas hapi, si Rakip Hoxha,  Koli Bezo etj. Ata kishin krijuar një konsideratë të veçantë për ne e na respektonin tej mase. Kjo, si rezultat i kontakteve, punës që kishim bërë, por edhe informacioneve që ambasada kishte grumbulluar me rrugët e mënyrat e saj, për karakterin dhe përkushtimin tonë.

Më 25 nëntor njoftohemi se kishte mbërritur skulptura që ne e prisnim me padurim, pasi të gjitha punimet e tjera i kishim përfunduar. Shkarkimi nga maunia dhe dërgimi në bazament nuk ishte i lehtë, mbasi dy trupa bronxi dhe bazamenti i tyre po prej bronxi ishin shumë të rëndë. Vinçi për shkarkimin e saj nuk mund të vinte kur e donim ne dhe për të mos humbur kohë ndërtuam një planshe, shtruam dërrasat dhe me anën e rulave, me shumë kujdes e zbritëm dhe po me rula e planshe e vendosëm me sukses mbi bazament. Pa e gërvishtur aspak arritëm ta ngrejmë në këmbë.

Tashmë, partizani fitimtar, simbol i fitores së popullit shqiptar mbi fashizmin u ngrit madhështor në Mauthausen. Kjo vepër arti me simbolikën e saj të veçantë na gëzoi pa masë jo vetëm ne që punuam për realizimin e saj, punonjësit e fotografin e ambasadës shqiptare në Vjenë, por edhe vizitorët e shumtë nga të gjitha vendet e botës.

Më 27 nëntor 1968, në një të ftohtë të veçanë, mblodhëm veglat e punës dhe materialet dhe i ngarkuam në makinë. U përshëndetëm e u ndamë miqësisht me Grocia Emanuele, që u tregua i gatshëm për çdo ndihmë që i kërkuam.

DËSHMI TRONDITËSE NGA KAMPI I MAUTHAUSENIT

Nga vizita që bëmë në Muzeun e Kampit famëkeq të Mauthausenit mësuam vetëm dëshmi e fakte rrënqethëse.

Kampi i Mauthausen ishte një kamp përqëndrimi nazist i vendosur pranë fshatrave të Mauthausen dhe Gusen në Austri, rreth 20 km në lindje të qytetit  Linz.

Në vitin 1940, Mauthausen-Gusen ishte bërë një nga komplekset më të përqëndrimit në territoret e kontrolluara nga Gjermania Naziste në Evropë. Këtë kamp Hitleri e shfrytëzonte për t’i dërguar armiqtë e tij më të mëdhenj politik drejt vdekjes, ndaj nga nazistët quhej “mulliri i kockave”.

Kampi Mauthausen ishte një kompleks kampesh pune dhe përqëndrimi, me 5 kampe kryesore.

Kampi Mauthausen është i famshëm për “Shkallët e Vdekjes”. Të burgosurit duhej të ngjisnin 186 shkallë duke mbartur blloqe betoni që peshonin 50 kilogram dhe vendoseshin njëri pas tjetrit. Nëse binte dikush, binin edhe të tjerët pas tij prej efektit domino që krijohej. Më të fortët kishin mundësi të zgjidhnin për t’u pushkatuar (që quhet vdekje e kollajtë e gjoja të bëjnë nder) ose të shtynin një të burgosur tjetër nga pas që të vdiste, e ai të vazhdonte jetën. Shumë zgjidhnin pushkatimin.

Në janar 1945, kampet e drejtuar nga zyra qendrore në Mauthausen, përmbanin rreth 85.000 të burgosur. Numri i të vdekurve mbetet i panjohur, edhe pse burimet cilësojnë midis 122.766 dhe 320.000 të vdekur për tërë kompleksin.

Ndër 122 .766 të vdekurit në këtë kamp shfarosës ishin:

32.182 rusë; 8203 francezë, 30.203 polakë; 12.890 jugosllavë; 5730 italianë; 742 belgë; 7300 grekë; 12.123 hungarzezë; 6502 spanjollë; 4473 çekosllovakë,1500 antifashistë gjemanë; 235 austriakë..Gjithashtu u shfarosën mijëra familje nga Luksemburgu, Anglia, Hollanda, Amerika etj.

Dy kampet kryesore, Mauthausen dhe Gusen ishin të vetmit kampe në të gjithë Evropën të etiketuar si “e klasës së III-të”, apo kampe që kishin për synim eleminimin e “armiqve politik të pakorrigjueshëm”.

Shqiptarët në kamp                             

Numri i shqiptarëve të dënuar në kamp ishte diku te 600, ndërkohë që mendohet se shumica e të burgosurve shqiptarë kanë vdekur në këtë kamp.

Në vitet 1943-45 nazistët arrestuan në Shqipëri rreth 530 vetë kryesisht në Vlorë, Durrës e Tiranë dhe i nisën në burgjet e Prishtinës, Zemunit dhe Bajnicës në Jugosllavi dhe më pas në kampet e përqëndrimit në Mauthausen. Sipas të dhënave të kampit, figuron se aty kanë hyrë 427 shqiptarë, nga të cilët mbijetuan vetëm 24 persona.

Pjesa më e madhe e të dënuarve ishin internuar në kamp si bashkëpunëtorë me lëvizjen anti-fashiste apo për shkak të rezistencës kundër pushtimit. Midis tyre kishte partizanë, komunistë, nacionalistë, republikanë, zogistë e anarshistë.