Dossier/Refuzimi i Çu En Lait: Merrni një “Boing”amerikan, sepse i pëlqen kryeministrit tuaj

2620
Sigal

Dosier/ Dëshmia e ish-komandantit të Aviacionit Edip Ohri: Sipas porosisë së Enverit, i kërkuam Çu En Lait 18 uzina ushtarake

-Refuzimi Çu En Lait: Merrni një “Boing” amerikan, se i pëlqen kryeministrit tuaj

– Vajtja e delegacionit tonë në Kinë, bëhej pas vizitës që kishte bërë presidenti amerikan, Richard Nixson

-Beqir Balluku paraqiti kërkesa shumë ambicioze për armatimet më të sofistikuara që prodhonte dhe dispononte vetë Kina

– Pas viteve ’60-të kur ne u prishëm me sovjetikët, ishin hapur fjalë se në udhëheqjen e lartë shqiptare ishte një njeri i amerikanëve dhe fjala ishte për Mehmet Shehun

Dashnor Kaloçi

 Historia e panjohur e marrëdhënieve shqiptaro-kineze në fillimin e viteve ’70-të, sipas dëshmive të rralla të ish-komandantit të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputetit të Kuvendit Popullor, Edip Ohrit, lidhur me bisedimet sekrete që u zhvilluan në 1972-in në Pekin, ku në përbërjen e delegacionit ushtarak që kryesohej nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, merrnin pjesë të gjithë shefat e armëve të Ushtrisë Shqiptare. Si e priti kryeministri kinez kërkesën e delegacionit shqiptar që, sipas porosive që kishte marrë në Tiranë, u kërkoi palës kineze 18 uzina ushtarake dhe cila ishte përgjigja e Çu En Lait, lidhur me atë gjë dhe aludimet e tij për Mehmet Shehun, duke thënë se ai i kishte qejf avionët amerikanë…?!

Nëpërmjet intervistës ekskluzive për Memorie.al të ish-komandantit të përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, me gradën e kolonelit dhe deputetit të Kuvendit Popullor,  Edip Ohrit, u njohëm me historinë e ndërtimit të aeroportit ushtarak të Gjadrit, vendimi për të cilin u mor në vitin 1972 në Këshillin e Mbrojtjes, ku pati debate të ashpra në mes Mehmetit dhe Enver Hoxhës. Sipas dëshmive të Ohrit, Mehmeti ngulte këmbë që ai aeroport të ndërtohej në Hekal të Mallakastrës, por pala kineze dhe ajo shqiptare e refuzuan atë vënd si të papërshtatshëm. Pas kësaj, Mehmeti sugjeroi që aeroporti të ndërtohej në Pish-Poro të Vlorës, por dhe atë vend kinezët e refuzuan. Po kështu ata refuzuan edhe fushën e Lulmalasit në Korçë, Cërrikun, Gjirokastrën, Kuksin etj., duke insistuar vetëm për Gjadrin. Pas kësaj në vitin 1971 erdhi në Tiranë një delegacion i Drejtorisë Politike të Ushtrisë kineze, i cili u sugjeroi shqiptarëve për lidhjen e një pakti në mes Bukureshtit, Beogradit e Tiranës, për formimin e një “Blloku” që do t’i mbronte ato shtete nga një sulm eventual i Bashkimit Sovjetik. Për këtë gjë kinezët dërguan si ndërmjetës në Tiranë, princin e Kamboxhias, Samde Norodom Sihanouk, i cili bisedoi gjatë me Enverin dhe mori përgjigje negative prej tij. Pas këtyre ngjarjeve, në fundin e vitit 1972, një delegacion i madh i Ministrisë së Mbrojtjes i kryesuar nga Beqir Balluku, u nis për në Pekin për të kërkuar armatime dhe gjatë udhëtimit, ata u ndaluan në aeroportin e Bukureshtit, ku me porosinë e Mehmet Shehut, Balluku u takua me homologun e tij rumun.

Zoti Edip, pas Bukureshtit, në çfarë itinerari udhëtuat për në Kinë?

Nga Bukureshti ne udhëtuam për në Teheran dhe prej aty në drejtim të Kinës perëndimore duke ndaluar në qytetin Urumçi të krahinës autonome Sin Kjang, ku na pritën autoritetet më të larta vendore. Pasi qëndruam dy ditë në atë vend, u nisëm përsëri po me atë avion dhe brenda ditës mbërritëm në Pekin.

Cili ishte qëllimi kryesor i vajtjes të delegacionit tuaj në Kinë?

Qëllimi kryesor i vajtjes  sonë në Kinë, ishte që të merrnim nga kinezët armatime nga më modernet që dispononte asokohe ushtria e tyre, duke filluar nga tanket, avionët, raketat, anijet luftarake, artilerinë e rëndë, uzinat ushtarake, e çfarëdolloj tjetër arsenali ushtarak që kishin dhe dispononin ata. Sipas porosisë që kishim nga Tirana, ne duhet të kërkonim sa më shumë armatime të të gjitha llojeve.

Përse pikërisht në atë kohë bëheshin këto kërkesa për gjithë atë arsenal armatimesh?

Në parantezë desha të them se vajtja e delegacionit tonë në Kinë, bëhesh pas vizitës që kishte bërë presidenti amerikan, Richard Nixson, në atë vënd dhe pas letrës që i kishte dërguar Komiteti Qendror i PPSH-së, Partisë Komuniste të Kinës, letër në të cilën shprehej pakënaqësia e madhe për politikën afruese që po ndiqnin kinezët me amerikanët. Në atë situatë, siç duket Enver Hoxha mendonte që t’i shkëpuste lidhjet me Kinën dhe përpara se ta bënte atë gjë, më përpara ai kërkonte të merrte sasi të mëdha armatimesh të cilët kinezët na i akordonin falas. Pra ky ishte qëllimi i vajtjes së delegacionit tonë në Kinë.

Kush ju priti në Pekin dhe ku jua akomoduan?

Pas mbërritjes në aeroportin e Pekinit, ne na çuan në rezidencat qeveritare që kinezët kishin për pritjen e delegacioneve të huaja. Të nesërmen e mbërritjes sonë në Pekin, ne patëm një mbledhje plenare me delegacionet e dy vendeve, e cila u zhvillua në Ministrinë e Mbrojtjes të Kinës. Delegacioni kinez kryesohej nga vetë Ministri i Mbrojtjes, marshalli Ji Çen Ji, i cili kishte zëvendësuar Lin Biaon dhe konsiderohej si një nga ushtarakët më të përgatitur të ushtrisë kineze. Po kështu bashkë me të ishin dhe të gjithë ushtarakët e lartë me drejtorët përkatës të të gjitha llojeve të armëve. Në atë mbledhje, Beqir Balluku bëri një ekspoze ku paraqiti të gjitha kërkesat tona lidhur me nevojat që kishte ushtria shqiptare. Ato kërkesa ishin shumë ambicioze sepse bëhej fjalë për armatimet më të sofistikuara që prodhonte dhe dispononte vetë Kina.

Konkretisht për çfarë?

Veç armatimeve konvencionale që përmenda pak më lart, në kërkesat që u parashtruam ne atyre, ishin dhe 18 uzina ushtarake. Këtë gjë ne e argumentonim me faktin se në një rast mbyllje të Kanalit të Suezit, armatimet mund t’i prodhonim vetë në Shqipëri.

Cila ishte përgjigja e kinezëve kur ju kërkuat 18 uzina ushtarake?

Pas asaj kërkese që bëmë ne, kinezët avancuan dhe thanë se do të na jepnin 24 uzina ushtarake dhe pas përgjigjes së tyre, Beqir Balluku, lajmëroi menjëherë Tiranën. Por nga Tirana na thanë që të mos i pranonim 24 uzina, pasi Shqipëria do të kthehej në një vend militarist duke e pasur buxhetin e ushtrisë më të madh se atë të ekonomisë.

Si vazhduan më tej bisedimet?

E gjithë biseda zgjati rreth gjashtë orë, pasi gjysmën e kohës e merrte përkthimi i fjalës së Beqir Ballukut nga përkthyesi kinez. Duke qenë se biseda zgjati shumë, sipas rregullave që kishin, kinezët na vunë përpara pjatat me kos duke ngrënë edhe vetë.

Cila ishte përgjigja që dhanë kinezët pas fjalës së Beqir Balllukut?

Pas fjalës së Beqirit, e mori fjalën Ministri kinez i Mbrojtjes, i cili aty për aty mbajti disa shënime të vogla në një copë letër. Në fjalën e tij që nuk zgjati më shumë se një gjysmë ore, në mes të tjerash ministri kinez u shpreh: “Përpara dy vjetësh, Shqipëria rrezikohej dhe ne u ndihmuam duke u dhënë armatime jashtë planit që kishim.(E kishte fjalën për kohën kur në Greqi erdhi në fuqi junta e kolonelëve). Por tani situata politike në Shqipëri dhe në rajonin tuaj është krejt ndryshe, bile ne së shpejti do të dërgojmë edhe një delegacion qeveritar në Greqi. Situata atje nuk është më e acaruar, por megjithatë, ne do t’i studiojmë me kujdes kërkesat tuaja”. Kjo ishte përgjigja që na dha Ministri i Mbrojtjes i Kinës me të cilën pak a shumë ai na i rrëzoi të gjitha kërkesat tona.

Pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes, kush iu priti?

Një ditë pas atij takimi, delegacionin tonë e priti vetë kryeministri i Kinës, Çu En Lai. Në atë takim ne ishin 18 anwtarë të delegacionit, pasi ekspertët e armëve të ndryshme nuk merrnin pjesë. Bashkë me ne ishte dhe Ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, i cili kishte një muaj që na priste ne atje. Në fillim të fjalës së tij, Çu En Lai na pyeti se me çfarë avioni kishim ardhur në Kinë dhe kur mësoi se ne kishim udhëtuar me avionin që kinezët e kishin blerë në Rusi, a u shpreh: “Avionët sovjetikë me të cilin erdhët ju, janë shumë difektozë. Por mos u mërzisni se tani do t’ju dërgojmë avionë amerikanë “Boing”, që i pëlqejnë shumë edhe kryeministrit tuaj”. Këto fjalë të Çu En Lait ne na ranë si bombë, por më shumë na bëri përshtypje fakti që ai nuk ja përmendi fare emrin Mehmet Shehut, por u mjaftua duke thënë: kryeministri juaj.

Çfarë aludonte Çu En Lai me ato fjalë që tha për kryeministrin shqiptar?

Në parantezë desha të them se që pas viteve ’60-të kur ne u prishëm me sovjetikët, ishin hapur fjalë se në udhëheqjen e lartë shqiptare ishte një njeri i amerikanëve dhe fjala ishte për Mehmet Shehun, por kjo gjë ishte shumë konspirative dhe diskutohej në rrethe shumë të ngushta. Ato fjalë që atëhere kishin dalë prej Hrushovit, tashti ne po i dëgjonim nga goja e kryeministrit të Kinës dhe habia më e madhe e jona ishte se në atë kohë për atë problem ziente kudo në Tiranë, por ne nuk i diskutonim dot me njëri-tjetrin ato gjëra.

Si vijuan bisedimet dhe çfarë tha më pas Çu En Lai?

Pas aludimit që bëri për Mehmet Shehun, Çu En Lai na tha: “Me ju këtu është dhe shoku Kiço Ngjela, i cili ka një muaj që pret të takohet me mua, por unë po e pres bashkë me ju. Ai ka ardhur për të kërkuar grurë pasi në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore, por edhe tek ne ndodhi e njëjta gjë. Prandaj ne u detyruam që t’i kërkonim grurë Australisë dhe Kanadasë, sepse nuk bëhet shaka me bukën e popullit, por ata nuk na dhanë. Pas kësaj ne u detyruam dhe u kërkuam francezëve, të cilët shpallën publikisht se do të merrnin grurë në SHBA për të na e dhënë neve. Kur ne protestuam tek Franca për atë punë, ajo na tha: ‘Ç’keni ju se ku e blejmë ne grurin, a doni grurë apo jo’? Prandaj, shokë shqiptarë, duam, s’duam, edhe ju edhe ne do të hamë grurë nga Amerika”.

 Pati reagim nga delegacioni shqiptar lidhur me këto sugjerime të kryeministrit kinez?

Ne u habitëm shumë nga fjalët që na tha Çu En Lai dhe në një farë mënyrë ajo ishte një përgjigje që ai po na jepte për letrën që u kishte bërë Enveri kinezëve, se përse ata ishin lidhur me amerikanët. Më pas kryeministri kinez bëri një ekspoze për politikën e re që po ndiqte Kina pas Revolucionit Kulturor, duke dënuar dëmet që kishte sjellë Lin Biao me politikën e tij. Ai na tha se me politikën e hapjes me botën e jashtme që po ndiqte Kina, ajo kishte hyrë në një fazë të re zhvillimi. Në fjalën e tij Çu-ja përdorte shpesh këtë shprehje: “Hapja me botën e jashtme, është një rrugë e shkurtër”. Fjalët e tij ishin një reflektim të vizitës së Niksonit në Kinë dhe me këtë gjë ai indirekt godiste politikën e izolimit me botën që po ndiqte Enver Hoxha. Pra me pak fjalë, nënteksti i gjithë fjalës së Çu En Lait, ishte kjo: “Ne po hapemi me botën, hapuni edhe ju”.

Çfarë kujtoni tjetër nga fjala e Çu En Lait?

Në vijim të fjalës së tij, ai tha: “Bashkimi Sovjetik është shenduar në një shtet militarist që po zhvillon në mënyrë intensive teknologjinë ushtarake, por këto i bën duke shtrënguar popullin e vet dhe në dëm të mirëqenies së tij. Por tymin do t’ja shihni më vonë kësaj politike që po ndjekin sovjetikët. Edhe Amerika është një shtet militarist, por ajo e bën këtë gjë pa e prekur fare nivelin e jetesës së popullit. Është për t’u çuditur se ju e e konsideroni Bashkimin Sovjetik një shtet revizionist dhe nga ana tjetër ecni në rrugën e tij duke militarizuar vendin tuaj”. Aluzioni që bënte kryeministri kinez ishte më se i qartë. Me pak fjalë ai na thoshte ne: “Përse kërkoni 18 uzina ushtarake dhe nuk zhvilloni bujqësinë”. Pas kësaj në një moment ai pyeti Kiço Ngjelën duke i thënë se sa dollarë ishin të ardhurat për frymë në Shqipëri, por Kiço nuk e dinte dhe ai u detyrua e pyeti njërin nga ndihmësit e tij (në atë takim Çu-ja kishte marrë 40 ekspertë me vete) dhe kur ai i tha se Shqipëria i kishte të ardhurat për frymë më shumë se Kina, Çu En Lai na tha: “Po ç’doni nga ne”?! Në mbyllje të fjalës së tij, ai bëri konkluzionet e takimit ku midis të tjerash u shpreh: “Udhëheqja juaj nuk po zbaton porositë e sinqerta e vëllazërore që u kemi dhënë ne për zhvillimin e ekonomisë shqiptare”. Kjo gjë ne na ra si bombë dhe mua m’u kujtuan fjalët që na kishte thënë Hrushovi gjatë një mbledhje në Moskë në vitin 1961 në lidhje me politikën që po ndiqte Enver Hoxha”.

Çfarë u kishte thënë Hrushovi?

Ajo mbledhje zhvillohej në kuadrin e Traktatit të Varshavës dhe aty unë ndodhesha së bashku me disa nga ushtarakët më të lartë të Shtatmadhorisë shqiptare. Sipas marrëveshjeve që kishte nënshkruar Shqipëria në kuadër të atij Traktati, protokolli e kërkonte që aty të ishin prezent dhe Enveri me Mehmetin, por ata nuk kishin ardhur. Kur e mori fjalën Hrushovi, ai tha: “Ku janë Enveri me Mehmetin, pse nuk kanë ardhur këtu, pale na hiqen edhe si shqiponja. Shqiponja si ata ne kemi sa të duash në Kaukaz që bëjnë glasa gjithë ditën”. Më pas Hrushovi vazhdoi fjalimin e tij, duke na bërë thirrje ne ushtarakëve të lartë shqiptarë që të mos e lejonim aventurën e rrezikshme që po ndiqte Enver Hoxha me politikën e tij dhe nënteksti i fjalës së tij ishte që ne duhet ta rrëzonim atë. Këto fjalë të Hrushovit m’u kujtuan në atë çast që po na fliste Çu En Lai dhe ato ndryshonin vetëm në një gjë fare të vogël: në rast se Hrushovi i ra drejt e drejt “me sëpatën e dardharit”, Çu En Lai i ra pak larg e larg. Ndërsa ndryshimi tjetër më i madh ishte se në vitin 1961 kur foli Hrushovi, ne ushtarakët e lartë e braktisëm të gjithë sallën, aty me Çu En Lain, nuk foli dhe nuk lëvizi asnjë nga ne./Memorie.al

Nesër do lexoni:

Pas takimit me Çu En Lain, Beqir Balluku unë dhe shefi i Kimisë, vizituam një minierë uraniumi

Qëllimi i vajtjes ishte furnizimi nga Kina me një arsenal armatimesh si raketa, tanke, anije, avionë, artileri të rëndë, uzina ushtarake

Pas disa vjetësh, pothuaj të gjithë pjesëtarët e delegacionit përfunduan burgjeve,  internimeve ose u pushkatuan

Çu En Lai: ju duhet të lidhni një pakt me Bukureshtin e Beogradin pasi ne jemi larg dhe nuk mund t’ju ndihmojmë dot në një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik

-E gjithë biseda me  Çu En Lain, e cila zgjati rreth gjashtë orë, ia transmetuam urgjent Enver Hoxhës në Tiranë