​S’ka liberalizim të vizave për Kosovën nëse kriteret nuk plotësohen brenda shkurtit

1696
Vonesa e deputetëve për në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, bëri sot që kryesuesja e komisionit,Teuta Sahatqija të ashpërsohet në fjalimin e saj.
Mbledhjen e Komisionit, në të cilën u raportua për vizitën e këtij Komisioni në Bruksel, ajo e nisi me 20 minuta vonesë, duke pritur Arben Gashin e Ilir Dedën.
E kur nisën të flasin për këtë vizitë, u tha që nga atje kanë marrë mesazhe të qarta sa i përket liberalizimit të vizave.
Nëse kriteret e kërkuara nuk plotësohen brenda muajit shkurt, atëherë nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën këtë vit, dhe se ekziston iniciativa e Bashkimit Evropian që të vijë në Kosovë dhe të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës politike.
Kriza politike në Kosovë, numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, korrupsioni dhe mos – zhvillimi ekonomik, janë problemet që po rrezikojnë liberalizmin e vizave.
Duke thënë se ndodhitë politike në Kosovë po pengojnë ecjen përpara në proceset integruese, Teuta Sahatqija tha se është koha e fundit që të zgjidhet kjo krizë.
Ilir Deda, i cili po ashtu qe pjesë e delegacionit zyrtar të Prishtinës në Bruksel, tha se qytetarëve duhet treguar e vërteta, që nëse brenda shkurtit Kuvendi nuk kryen punët që ka, atëherë nuk ka liberalizim.
Ilir Deda:Duhet me i tregu qytetarëve që ekziston iniciativa e Bashkimit Evropian që të vijnë në Kosovë dhe të ndërmjetësohet në krizën politike. Ky është mesazhi kyç të cilin e kemi marrë. Dhe, ne të gjithë e kemi përkrahë atë. Sa i përket liberalizmit të vizave, qartë na u ka thënë; nëse gjatë shkurtit nuk plotësohet tetë kriteret plotësisht, nuk ka liberalizim. Nuk e di çka po themi tash këtë vit ka me pas, këtë vit nuk ka me pas. Pse po i mashtrojmë qytetarët. Nëse në muajin shkurt parlamenti nuk i kryen punët e veta, nuk ka marrëveshje politike dhe nuk ecë Kosova përpara, nuk ka liberalizim. Nëse ombuspersoni nuk është në ndërtesën e re e Gjykata Kushtetuese nuk është në ndërtesë të re, fondi për integrim, çka po flasim ne për liberalizim.
Kur u kthye fjala prapë te kryetarja e komisionit Teuta Sahatqija, diskutimi i saj ishte me tonë më të nxehur. Ajo, përmendi veprimet e opozitës dhe gazin lotsjellës. Por, edhe të gjithë situatën në vend.
Sahatqija, tregoi që në Bruksel u është kërkuar që t’u lejohet t’i ndihmojnë Kosovës në zgjidhjen e krizës.
E sipas Ilir Dedës, në Bruksel kanë thënë që përgjegjës për situatën në Kosovë është edhe Qeveria edhe opozita.
Ai tha se delegacionit të Kosovës, atje i është thënë se çdo herë e më shumë po vështirësohet përkrahja për Kosovën, e krejt kjo për shkak të korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe situatës politike.
Komisioni u pajtua që pas miratimit të planit të punës për vitin 2016, të organizohet një takim me shoqërinë civile lidhur me liberalizmin e vizave.
Gjithashtu, u tha se do të kërkojnë vizita në Gjermani, Francë, Suedi e Holandë, që janë vende mike të Kosovës, në mënyrë që t’i bindin që kosovarët nuk meritojnë të jenë të izoluar, pasi që fluksi i emigrantëve atje po pengon këtë proces.
Ndërsa Xhavit Haliti i PDK-së, meqë nuk ishte pjesë e vizitës në Bruksel, pati disa shqetësime tjera.
Ai kërkon të trajtohet çështja e shoqërisë civile, pasi që ngrit dyshime se disa prej tyre flasin si të jenë shoqëri e instrumentalizime.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Europiane, u tha të organizohet edhe një punëtori një-ditore për planin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes për stabilizim Asociim, bashkë me shoqërinë civile, për zbatimin e shpejtë dhe të mirëfilltë të kësaj marrëveshje./KosovaPress/
Sigal