Zjarret po djegin Kaliforninë, raportohen dy të vdekur

132
Sigal

Zjarret që kanë përfshirë Kaliforninë edhe këtë vit, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre ka shkaktuar vdekjen e dy personave, siç njoftoi sot shërbimi zjarrfikës i shtetit amerikan.

Zjarri, i cili është quajtur “McKinney”, ka shkatërruar që nga e premtja rreth 225 mijë hektarë në Pyllin Kombëtar Klamath dhe, pavarësisht mobilizimit të forcave të fuqishme zjarrfikëse, nuk është vënë nën kontroll.

Është zjarri më i madh që nga fillimi i vitit në Kaliforni, që shpesh përballet me një makth të zjarrtë. Megjithatë, madhësia e zjarrit McKinney aktualisht mbetet më e vogël se e ashtuquajtura Dixie, e cila vitin e kaluar dogji më shumë se 4 milionë hektarë.

Dy persona u gjetën të djegur brenda një makine të dielën në mëngjes, tha sot Zyra e Sherifit të Qarkut Siskiyou. Zjarrfikësit besojnë se viktimat po përpiqeshin të largoheshin, por makina e tyre u përfshi nga flakët, tha sherifi Jeremiah LaRue.

Erërat e forta, nxehtësia dhe stuhitë lokale kontribuan në përhapjen e shpejtë të zjarrit. Më shumë se 2000 banorë u urdhëruan të evakuoheshin në Kaliforninë veriore, pranë kufirit të Oregonit. Gati 850 zjarrfikës po luftonin sot me flakët, sipas Qendrës së Koordinimit të Zjarrit.