Zgjedhjet presidenciale në SHBA / Strategjia e Trump për të siguruar fitoren

233
President Donald Trump speaks during a campaign rally for Senate Republican candidates, Sen. Kelly Loeffler, R-Ga., and Sen. David Perdue, R-Ga., at Valdosta Regional Airport, Saturday, Dec. 5, 2020, in Valdosta, Ga. (AP Photo/Evan Vucci)
Sigal

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA janë duke u kundërshtuar fuqimisht nga Presidenti në fuqi Donald Trump. Pavarësisht se ai pranoi që administrata të nisë veprimet procedurale që Presidenti i dalë nga zgjedhjet si fitues të krijojë grupin e tij të punës për kalimin e pushtetit, rezultatet e shpallura vazhdojnë të mbeten të papranuara prej tij, edhe pse kanë kaluar kaq shumë ditë. Sipas Trump, kundërshtari i tij, Xho Biden, u shpall President i zgjedhur nga mediat, jo nga një proces përfundimtar ligjor kushtetues. Në SHBA njihet përcaktimi se kur zgjedhjet presidenciale kundërshtohen dhe nëse Senati Republikan dhe Dhoma Demokratike nuk pajtohen sa i përket faktit se cilët do të jenë fituesit e zgjedhjeve, atëherë kjo situatë quhet “mosmarrëveshje”.

 

Me sa duket, nga të gjitha zhvillimet e muajit nëntor e në vijim, Presidenti Tramp duhet të jetë këshilluar mjaft mirë me njohës të shkëlqyer të Kushtetutës për të ndërtuar një strategji të posaçme për betejën paszgjedhore përmes mjeteve kushtetuese me qëllim kapërcimin e çdo pengese në rizgjedhjen e tij.

Beteja për rimarrjen e postit të Presidentit përfshin dy hapa ose dy fronte: së pari Gjykatat, pastaj Dhoma e Kongresit.

Në këtë betejë janë angazhuar plotësisht të gjitha grupet e fushatës së Presidentit Trump, palë të ndryshme të shtetit, organizata të palëve të treta, të cilat po operojnë duke ngritur padi për manipulim, vjedhje të votave, votim nga persona të vdekur, mosregjistrim të votave, etj., padi të drejtuara në gjykatat në nivele qarku, shteti dhe në nivel federal. Krahas angazhimit në këtë betejë ligjore të forcave më të kualifikuara të tij, vijojnë të mbahen të ngritur në mitingje rreth 73 milionë mbështetës të Trump, shumë prej të cilëve, edhe pse nuk dalin në skenë, punojnë pa ndërprerje në prapavijë.

Objektivi kryesor është që strategjikisht të arrihet të pranohet se një numër i konsiderueshëm fletëvotimesh të kundërshtarit janë të pavlefshme.

Një objektiv i dytë shumë i rëndësishëm është të ekspozohet publikisht “korrupsioni” në këto qytete, si për përfaqësuesit e shtetit, edhe për përfaqësuesit e Dhomës së Kongresit e të Senatit.

Strategjia e ndjekur nga ekipi i Trump duket se ka arritur sukses në këto objektiva, pasi dy sondazhe të kryera gjatë kësaj periudhe paszgjedhore tregojnë një ndryshim balance në favor të Trampit: 60% e popullsisë në SHBA tani besojnë se “mashtrimi” ka ndodhur dhe vetëm 49% besojnë se Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale.

Strategjia që po ndiqet lidhet me kalimin e të gjitha shkallëve të ankimimit të çështjes: Nuk ka rëndësi fakti nëse fitohet apo Gjykata e rrëzon padinë në një shkallë të caktuar. E rëndësishme është që procesi të kalojë të gjitha shkallët drejt hapit tjetër, që është Legjislatura e Shtetit në shtetet e kontestuara si: Pensilvani, Micigan, Wiskonsin, Arizonë dhe Xhorxhia.

Pasi të kalohet nëpër të gjitha këto shkallë, më 14 dhjetor 2020, zgjedhësit e certifikuar nga secili shtet votojnë për Presidentin dhe zv/presidentin. Ka rëndësi të kuptohet se ata votojnë secili në shtetin e tyre të lindjes, vota e tyre është e vulosur dhe “nuk numërohet” deri më 6 janar. Çfarë do të thotë kjo?

Legjislaturat Shtetërore kanë autoritetin kushtetues (sipas Nenit II, Seksioni 1, Klauzola 3 dhe Kodi 3 i SHBA-së, paragrafi 2 dhe paragrafi 5, për të emëruar listën e tyre të Zgjedhësve, besnikë të Presidentit Trump, nëse gjykojnë se “vota popullore e shtetit të tyre është e korruptuar”.

Me fjalë të tjera, Legjislatura Shtetërore e Gjeorgjisë, për shembull, mund të konkludojë se “vota popullore është prishur” dhe të caktojë një “propozim konkurrues” të zgjedhësve, besnikë të Presidentit Trump. Për shembull, mund të caktojë 20 zgjedhës të Biden nga Pensilvania dhe 20 zgjedhës për Trump.

E gjithë kjo procedurë bazohet në rastin precedent dhe precedenti janë zgjedhjet e vitit 1876, kur në disa shtete secili dërgoi votat konkurruese demokrate dhe republikane zgjedhore, të vulosura, që të arkivohen deri në momentin që i shqyrton Presidenti Senatit.

Më 6 janar, hyn në veprim Presidenti i Senatit bazuar në Amendamentin e 12-të të Kushtetutës, që specifikon se “Presidenti i Senatit, në prani të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, i hap të gjitha certifikatat dhe votat numërohen”.

Kjo do të thotë që në rastin e mosmarrëveshjeve rreth listave konkurruese elektorale, Presidenti i Senatit do të ketë autoritetin përfundimtar për të vendosur se cilin të pranojë dhe cilin të refuzojë. Kjo mbështetet nga Kodi 3 i SHBA-ve, paragrafi 15. Për këtë arsye, ekspertët e jurisprudencës së skuadrës së Trump shprehen për një fitore të sigurt.

Ky është një kontroll de facto në Kolegjin Zgjedhor, të cilin pak e kuptojnë sepse ka ndodhur vetëm një herë në vitin e largët 1876.

Nëse në atë pikë, askush nga të dy pretendentët për President nuk arrin në 270 vota, Amendamenti i 12-të përcakton se “Dhoma e Përfaqësuesve do të zgjedhë menjëherë, me votim, Presidentin. Por gjatë zgjedhjes së Presidentit, votat merren nga shtetet ku përfaqësimi nga secili shtet ka një votë”.

Aktualisht, republikanët kanë një shumicë delegacioni shtetëror me 26 nga 50 gjithsej dhe ka të ngjarë që numri të shkojë në 30 në Kongresin e ri. Janë këto të dhëna që, sipas hartuesve të strategjisë së betejës ligjore të Trampit, përmes vënies në lëvizje të precedentit, Trump e fiton pozicionin si President edhe për 4 vitet e ardhshme.

Edhe pak ditë kanë mbetur për të parë përfundimin e kësaj beteje ligjore kaq të pazakontë.