Volkswagen, kostot e skandalit të emetimeve shkojnë 30 mld USD

515
Ai nuk është më në qendër të vëmendjes së publikut, e duket se Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun ka bërë një punë të jashtëzakonshme, por kostot e skandalit të Volkswagen për manipulimin e testeve të ndotjes vazhdojnë të shtohen.
Të premten, prodhuesi gjerman i makinave hoqi mënjanë edhe një fond tjetër prej 2.5 miliardë dollarësh, për të blerë sërish makinat nga përdoruesit në Amerikan e Veriut.
Çeku më i fundit bën që shifra totale e kostove deri tani të jetë 30 miliardë dollarë. Në bursa, aksionet e Volkswagen vazhdojnë të jenë të luhatshme dhe pak kanë qenë ditët me shenjën plus.
Që prej vitit 2015, kur Volkswagen pranoi se kishte manipuluar miliona makina në të gjithë botën, kostot e skandalit vetëm shtohen. Marrëveshja prej 15 miliardë dollarësh, që u arrit në një gjykatë amerikane, e detyron kompaninë gjermane që të riblejë makinat e manipuluara të shitura në SHBA.
Prokurorët thonë se Volkswagen e dinte që prej vitit 2006 që motorët “Diesel” prej dy litrash nuk i arrinin dot standardet, e kështu mashtroi me testet.
Shitjet e kompanisë gjermane kanë rënë shumë në Gjermani, ku markat e huaja po marrin tregun e lënë bosh nga Volkswagen dhe markat e tjera që ajo zotëron, si Audi, Porsche, Skoda dhe Seat.
Vetë kompania duket se po përpiqet t’i largohet skandalit përmes investimeve në teknologjinë e pastër, pasi njoftoi se do të shndërrojë në makina elektrike 300 modelet e saj, deri në vitin 2030.
Sigal