Varianti indian bën “kërdinë” / Shifra shqetësuese nga Covid-19 në Britani

192
Sigal

Britania e Madhe vijon të regjistrojë shifra shqetësuese me infektime të reja Covid -19, që vetëm brenda javës janë rritur me 68 përqind, ndërsa të dhënat tregojnë se varianti indian i virusit është tashmë më i përhapur në vend.

Autoritetet njoftuan 5683 raste të reja ditën e hënë, 154 prej të cilëve u shtruan në spitale, një rritje me 16 për qind po brenda javës.

Shtrimet mund të rriten në ditët në vijim, pasi ekspertët parashikojnë që duhen disa ditë që virusi të arrijë pikun te rastet e reja të regjistruara së fundmi.

Varianti indian është zyrtarisht më i përhapur mes pacientëve aktivë në Britaninë e Madhe, ndërsa është ngritur alarmi pas disa studimeve që thonë se ai është 40 për qind më përhapës dhe më vdekjeprurës edhe se vetë varianti britanik i virusit.

Lajmi i mirë që mbërrin nga autoritetet është se mes rasteve të reja nuk ka asnjë person të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave anti-Covid, që sugjeron se vaksinat mbrojnë edhe ndaj variantit indian.