Shefja e diplomacisë së BE-së: Ndërhyrja me dron rus në Poloni ishte e qëllimshme dhe jo aksidentale

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar ashpër pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë, duke e cilësuar ngjarjen si “shkeljen më serioze ajrore nga Rusia në Evropë që nga nisja e luftës në Ukrainë”.

Përmes një postimi në platformën X, Kallas theksoi se bëhet fjalë për një akt “të qëllimshëm dhe jo aksidental”, duke sinjalizuar për një përshkallëzim të qëllimshëm nga Moska.

Sigal

“Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet absolut me Poloninë,” shkroi Kallas, duke theksuar mbështetjen e plotë të Brukselit ndaj një prej vendeve kufitare me konfliktin në Ukrainë dhe një nga anëtarët kyç të NATO-s në krahun lindor.

Në deklaratën e saj, Kallas bëri thirrje për një qasje më të fortë ndaj Rusisë, duke nënvizuar nevojën për të: rritur koston për Kremlinin, forcuar ndihmën për Ukrainën, investuar në mbrojtjen e sigurisë evropiane.

“BE-ja luan një rol të rëndësishëm dhe do të vazhdojë të mbështesë iniciativa si linja mbrojtëse e Mburojës Kufitare Lindore,” shtoi ajo, duke nënkuptuar përgatitje serioze për skenarë të rinj të përshkallëzimit në kufijtë e bllokut.