SHBA dhe NATO të shqetësuara për një bashkim të mundshëm të trupave ruse me ushtrinë e Asad

211
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë shprehur shqetësimin e tyre për rritjen e pranisë ushtarake ruse në Siri.
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se nësë ky informacion konfirmohet, përfshirja e Rusisë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit.
Sakaq Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i shprehu shqetësimin e tij Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në një bisedë telefonike.
Por vetë Rusia, aleate kyçe e Sirisë gjatë luftës së saj civile katërvjeçare, thotë se ka dërguar vetëm ekspertë ushtarakë, por jo armë apo ushtarë.
Sipas korrespondentëve të mediave të huaja në Siri, presidenti sirian Bashar al-Asad nuk do të kishte rezistuar deri tani pa mbështetjen e Moskës.
Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë cituan nga Reuters thonë se Moska vetëm dje ka dërguar aeroplanë shtesë dhe dy anije ushtarake me tanke në bazën detare të Rusisë në qytetin bregdetar të Sirisë, Tartus.
Ata gjithashtu thonë se Moska ka dërguar edhe një numër të vogël këmbësorie. Por një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse tha se kjo nuk është ndonjë gje e re, pasi Kremlini ka kohë që furnizon me armë dhe specialistë ushtarakë sirianë.
Siria, nga ana e saj, ka mohuar çdo përfshirje të Rusisë në luftën e saj apo preferencën ushtarake ruse në territorin sirian.
John Kerry paralajmëroi Lavrov të mërkurën se nëse raportet verifikohen, “kjo mund të çojë në dhunë të madhe”.
Rusia dhe SHBA nuk pajtohen në çështjen siriane. Teksa Rusia mbështet qeverinë siriane, SHBA dëshiron të shohë largimin e presidentit Assad pavarësisht se po lufton kundër militantëve ekstremistë.
Sakaq, Rusia ka ndërtuar një bazë ushatarake në kufi me Ukrainën, duke konfirmuar sërish ndërhyrjen e saj në konfliktin e lindjes së vendit.