Pse Londra, Parisi dhe Hong Kongu, nuk iu pëlqejnë më punëtorëve të huaj?

71
Westminster

Londra, Parisi dhe Roma janë të famshme për historinë, kulturën dhe tregtinë. Tani, këto qytete kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: Të huajve (Expats) që shkojnë për të punuar, nuk u pëlqejnë më.

Të tria kryeqytetet europiane renditen në vendet më të ulëta të klasifikimeve të një sondazhi global me më shumë se 150 mijë persona që përfaqësojnë 173 kombësi. Shqetësimet mbi sistemin shëndetësor, sigurinë, ekuilibrin jetë profesionale – jetë personale dhe mundësia për të përballuar qiratë e shtëpive peshuan në rezultatet e kërkimit të kryer nga InterNations, një rrjet të huajsh me seli në Mynih, me rreth 4 milionë anëtarë.

“Të huajt (expats) në qytete të mëdha si Nju Jorku, Tokio, Parisi, Hong Kongu dhe Londra luftojnë për të gjetur shtëpi me çmime të përballueshme dhe në përgjithësi janë të pakënaqur me situatën e tyre financiare”, tha Malte Zeeck, themeluesi dhe bashkëdrejtuesi ekzekutiv i InterNations. “Të huajt në këto qytete janë shpesh të pakënaqur edhe me ekuilibrin e tyre jetë profesionale – jetë personale”.

Në anën tjetër të klasifikimit, një kuartet qytetesh spanjolle renditet në top 10. Të huajt kanë vlerësuar Valencian, qytetin e tretë më të madh në Spanjë, me më shumë pikë në botë për klimën, përballimin e çmimeve të shtëpive dhe kujdesit shëndetësor. Në vend të dytë, dhe rreth 100 milje larg bregdetit, Alicante, një qytet me 330 mijë banorë. Malaga dhe Madridi renditen në vend të 6 dhe të 9.

Derek Chandruang e di arsyen sepse Valencia qëndron në krye të klasifikimit. 38-vjeçari amerikan ka jetuar 15 vjet në Londër, por në shtator u zhvendos në Valencia. Qiraja e apartamenti të tij, i projektuar sipas traditës spanjolle, me shumë karakteristika origjinale, i kushton 900 euro (1.070 dollarë) në muaj. “Valencia ka një ndërthurje me të vërtetë ideale e të qenët një qytet me të gjithë elementet e jetës urbane” tha Chandruang, i cili punon si drejtues ekzekutiv në industrinë muzikore.

Përveç katër qyteteve spanjolle, Lisbona, Panama City, Singapori, Buenos Aires, Kuala Lampur dhe Abu Dhabi renditen në top 10.

Të huajt në Lisbonë – në vendin e tretë – thanë se është e thjeshtë për t’u ambientuar me qytetin dhe cilësia e jetës dhe klima është fantastike. Megjithatë, të huajt në Lisbonë e vlerësuan mesatarisht ekonominë lokale, me një vlerësim pozitiv 62% krahasuar me mesataren globale 63%

Puna është një fushë ku disa prej qendrave më të mëdha dhe tradicionale për të huajt që punojnë, kanë shënuar rezultate të dobëta. Merrni për shembull Romën, e cila renditet në vendin e 65-të, një më sipër se qyteti i Kuvajtit, Salmiya (vendi i 66). Por Roma renditet në fund në kategorinë “Jeta urbane e punës” që merr në konsideratë çështje si kënaqësia në punë, mundësitë lokale për të bërë karrierë, siguria në punë dhe ekuilibri jetë profesionale – jetë personale. Seuli renditet në vendin e 61-të në këtë kategori, poshtë Hong Kongut (vendi 59-të).

Parisi, në vendin e 61-të, mori një goditje për shkak të problemeve që lidhen me kënaqësinë financiare personale të të huajve dhe çmimet e qirave. Rreth 3 të huaj në 10 në Paris thanë se ishin të pakënaqur me situatën e tyre financiare, dhe 70% deklaruan se çmimet e qirave ishin të papërballueshme.

Nga 66 qytete, Londra u rendit në vendin e 51-të dhe Nju Jorku në të 34-tin. Të huajt u shprehën pozitivisht mbi mundësitë për karrierë në këto qytete, por të pakënaqur për çmimet e qirave dhe kujdesin shëndetësor. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shumë qytete të mëdha, për të huajt, jeta është bërë më e vështirë, me politika qeveritare që kufizojnë imigrimin për emigrantët e aftë.

Sondazhi i InterNations u krye në mars, kështu që nuk e përfshin ndikimin e plotë të ndryshimeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19. Megjithatë, rezultatet në këtë sondazh u bëjnë jehonë tendencave të vërejtura këtë vit me rezidentët që kërkojnë të lëvizin nga qytetet e mëdha ndërkohë që rivlerësojnë punën dhe jetën.