Obama: Kosova ka ndërmarrë disa vendime të vështira dhe sfiduese këtë verë

444
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë, duke u akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në SHBA. Presidenti Obama me rastin e pranimit të Letrave Kredenciale i dorëzoi ambsadores Çitaku një letër në të cilën shprehej se “kam pranuar letrën e tërheqjes për pararendësin Tuaj Ambasadorin, Akan Ismaili, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme në përfaqësimin e Kosovës në SHBA. Ju shpreh mirëseardhje të ngrohtë dhe pres me padurim, që të punojë bashkë me Ju, në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes dy vendeve tona”.

“Kosova dhe SHBA-të ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Ne jemi të lumtur që kemi qenë ndër të parët, që kemi njohur Kosovën, si shtet të pavarur dhe sovran, në vitin 2008 dhe mbesim të përkushtuar që të punojmë përkrah jush, përderisa ju vazhdoni të punoni në fuqizimin e institucioneve demokratike dhe multi-etnike. Vendi juaj ka demonstruar shpejt se është anëtar i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe vend i përkushtuar në thellimin e stabilitetit rajonal dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Obama.

Presidenti amerikan theksoi se “Kosova ka ndërmarrë disa vendime të vështira dhe sfiduese këtë verë. Këto vendime kanë avancuar perspektivën evro-atlantike të Kosovës. Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës dhe Parlamentin për miratimin e amendamenteve Kushtetuese dhe legjislacionit për themelimin e Gjykatës së Speciale, e cila do t’i adresojë krimet e pretenduara, pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Ky veprim, ka qenë vendimtar në afirmimin e Kosovës, si shtet i përcaktuar për rend, ligj dhe pajtim”.
Lidershipi Juaj, vijon Obama, po ashtu ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin tuaj Serbinë.
“Këto marrëveshje do të fuqizojnë Kosovën dhe do të çimentojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Nënshkrimi i Marrëveshjes historike për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi me 26 Gusht, demonstroi edhe më tutje përcaktimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vendosmërinë tuaj, që çështjet rajonale të adresohen në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit”, përfundoi Obama.
Sigal