Bashkimi Evropian tha se për Serbinë do të ketë pasoja për shkak të mospërshtatjes me qëndrimet e politikës së jashtme të bllokut, gjë e cila, sipas bllokut është pjesë përbërëse e integrimit evropian.
Ky reagim i zëdhënësit kryesor të Komisionit Evropian, Eric Mamer, pasi Serbia nuk e mbështeti deklaratën e 27 shteteve të BE-së lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny. Përmes kësaj deklarate, BE-ja fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e kritikut të Kremlinit.
Mamer tha se për mospërshtatjen me qëndrimet e politikës së jashtme dhe ato të sigurisë, Serbinë, shtet kandidat për anëtarësim në BE, do të ketë pasoja.
“BE-ja dhe vendet anëtare kanë përsëritur në dhjetori në konkluzat e takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme pritjet e tyre të fuqishme që Serbia të shtojë përpjekjet për t’u përshtatur në tërësi me qëndrimet e përbashkëta të BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe me masat restriktive, përfshirë ato ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë”, shtoi ai.
Qëndrimi i BE-së lidhur me mospërshtatjen me deklaratën për Navalnyn u bë publik kur në Moskë po mbahej varrimi i kritikut të Kremlinit, i cili vdiq në moshën 47-vjeçare në një burg në Arktik, ku po vuante një dënim të gjatë nën akuza për ekstremizëm.
Pas publikimit të lajmit se Serbia nuk ka mbështetur deklaratën e BE-së, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më herët, tha se nuk ishte në dijeni për një fakt të tillë dhe do të ishte i befasuar nëse do të ndodhte e kundërta. Ai tha se nuk e sheh si “tragjedi të madhe” mosmbështetjen e kësaj deklarate.
Në të kaluarën, Serbia po ashtu është përballur me thirrje të vazhdueshme për të mbështetur sanksionet e bllokut kundër Rusisë, pasi Moska nisi pushimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.