NATO nuk qëndron pasive, thirrje Kosovës dhe Serbisë: Dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara

75
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në lidhje me situatën aktuale në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter Stoltenberg, thotë se u ka kërkuar të dyja palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës. Dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara. NATO mbetet vigjilentë”.

Edhe Bashkimi Evropian u bëri thirrje të hënën Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje, siç u tha, evropiane, për të zbutur tensionet në terren, pasi përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës braktisën institucionet e vendit, pas mospajtimeve rreth vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një konferencë me gazetarë se ditëve të fundit është parë tensionim shumë i rrezikshëm i situatës, që mund të ketë pasoja serioze jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje.

Një zëdhënës i ambasadës amerikanë në Prishtinë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe vënë në rrezik paparimin e rëndësishëm të arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja