Giorgia Meloni mori zyrtarisht të dielën detyrën e kryeministres së Italisë, 76 vjet nga shpallja e republikës dhe një ditë pas betimit në pallatin presidencial.
Dorëzimi i pushtetit u bë nga kryeministri në ikje Mario Draghi në pallatin Kixhi në Romë dhe menjëherë më pas, Meloni mbajti një mbledhje të shkurtër të kabinetit.
Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, në pushtet që prej shkurtit 2021, i dorëzoi pasueses së tij kambanën simbolike që përdoret nga kreu i qeverisë për të menaxhuar debatet në Këshillin e Ministrave.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e uroi Melonin dhe tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike konstruktive me të. Ndërsa Meloni u shpreh se ishte gati të punonte me liderët e bllokut.
Të shtunën, Meloni dhe 24 ministrat bënë betimin përpara presidentit Sergio Mattarella në pallatin Kuirinale të Romës.
Marrja e detyrës nga politikania 45-vjeçare përbën një event historik për ekonominë e tretë të Eurozonës dhe partinë Vëllezërit e Italisë, që nuk ka qenë kurrë në pushtet.



















