Ambasadori britanik O’Connell: Sovraniteti i Kosovës, i pacenueshëm

494
Sigal

Pretendimi i partive opozitare se sovraniteti i shtetit të Kosovës është cenuar u përgënjeshtrua nga ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Connell, i cili tha se diçka e tillë nuk do të lejohet të ndodhë kurrë.

Ruari O’Connell nënvizoi se Kosovës nuk i ka munguar dhe nuk do t’i mungojë as në të ardhmen mbështetja nga Britania e Madhe.

Ambasadori britanik kujtoi se para 7 vitesh Kosova ka qenë në një krizë të thellë politike, ndërsa tashmë është shtet i pavarur, sovran dhe i barabartë me shtetet tjera.

“Shtatë vite më parë, kur isha në Kosovë, në detyrën e parë, Kosova përjetonte një krizë të thellë politike. Sot kjo situatë ka ndryshuar. Kosova është shtet i pavarur, sovran, i barabartë me shtetet tjera dhe është duke shkuar drejt integrimit evropian. Sot unë shoh se si populli i Kosovës, është i fokusuar më shumë drejt punësimit, edukimit, drejt një të ardhme më të mirë për brezat e rinj” – u shpreh Ruari O’Connell.

Kryediplomatik britanik siguroi qytetarët e Kosovës se mbështetja për ta do të jetë e vazhdueshme dhe bashkëpunimi për zhvillimin e Kosovës do të thellohet edhe më shumë. Përsa i përket hyrjes së Kosovës në BE, O’Connell tha se Britania do e mbështesë fuqishëm anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Zhvillimet e fundit politike për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kanë rritur tensionet politike, ndërsa opozita e bashkuar ditën e premte do të zhvillojnë një peticion për largimin e qeverisë nga pushteti.