Maqedoni, liderët e partive kryesore takohen të hënën për zgjidhjen e krizës politike

481
Udhëheqësit e katër partive kryesore në Shkup do të takohen përsëri ditën e hënë për të diskutuar rreth zgjidhjes së krizës politike. Në këtë takim palët duhet të finalizojnë marrëveshjen për normalizimin e situatës dhe të vendosin për formën e qeverisë kalimtare e cila do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme, që është parashikuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.
Por, tre ditë para takimit, shpresat për tejkalimin e ngërçit janë të vogla, për shkak të dallimeve të thella midis dy partive maqedonase. Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, tha të premten se opozita maqedonase nuk heq dorë nga kërkesa për qeveri kalimtare pa Gruevskin kryeministër, të cilin e akuzoi se po punon për të penguar procesin e negociatave për zhbllokimin e situatës.
“Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë do të marrë pjesë në bisedimet e 29 qershorit, por kjo nuk do të thotë se ne do të lëshojmë pe nga pozicionet tona. Me këtë rast, dua të theksoj se Gruevskin e ka kapluar frika për shkak të veprimeve të paligjshme që ka bërë në nëntë vitet e kaluara dhe po bën gjithçka që është e mundur për të penguar zgjidhjen e krizës”, tha Shilegov.
Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski në një intervistë për ‘Financial Times’ ka përsëritur se nuk është i gatshëm të largohet nga posti i tij. Ai, një ditë më parë, është shprehur i gatshëm të pranojë propozimet e opozitës për ndarjen e pozicioneve kyçe në ekzekutiv deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por sipas tij, për postin e kryeministrit vendosin vetëm qytetarët. 
Ndërkohë, mësohet se para takimit të ditës së hënë, diplomatët e huaj kanë intensifikuar përpjekjet për t’i përafruar qëndrimet mes dy subjekteve maqedonase, por tentativat e tyre ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.
Sigal