Kush shkel masat në këtë shtet, qëllohet për vdekje

303
Sigal

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte tha se shkelësit e masave kufizuese me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit mund të pushkatoheshin si shkaktar problemesh dhe tha se abuzimi nga punonjësit mjekësorë ishte një krim serioz që nuk do të tolerohej.

Në një fjalim televiziv, Duterte tha se ishte jetike që të gjithë bashkëpunojnë dhe të ndjekin masat e karantinës në shtëpi, pasi autoritetet përpiqen të ngadalësojnë rritjen e rasteve me koronavirus dhe të ndihmojnë sistemin e brishtë shëndetësor të vendit nga kolapsi.

Filipinet kanë regjistruar 96 vdekje dhe 2,311 raste të konfirmuara me koronavirus në tri javët e fundit, me qindra infeksione të reja që raportohen çdo ditë.

“Po përkeqësohet. Kështu që edhe një herë po ju them seriozitetin e problemit dhe që ju duhet ta dëgjoni. Urdhrat e mi për Policinë dhe Ushtrinë … nëse ka telashe dhe rezistencë, e jeta juaj vihet në rrezik, qëllojini ata për vdekje. A isha i qartë? Për vdekje. Në vend që t’ju shkaktoj telashe, unë do t’ju varros”.

“Amnesty International” të enjten tha që deklarata e Duterte ishte thellësisht alarmante dhe paralajmëroi: “Forca vdekjeprurëse, e pa kontrolluar nuk duhet të përdoret kurrë në një rast urgjence, siç është pandemia COVID-19”.

Komentet e tij erdhën pas raportimeve në media për një shqetësim dhe disa arrestimeve të mërkurën e banorëve në një zonë të varfër të Manila që protestonin për ndihmë të mjaftueshme qeveritare për ushqimin. Të mërkurën. në fshatin San Roque në Quezon City, kur banorët u njoftuan se furnizimet e ndihmave qeveritare kishin mbaruar, vendosën të qëndrojnë në zonë dhe të organizojnë një protestë për të kërkuar lehtësim. Banorët i thanë “Amnesty International” se policia i shpërndau me dhunë protestuesit dhe i goditi me shkopinj druri.