Sigal

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis e vlerësoi disa muaj më parë planin e BE-së për shpërndarjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ndërsa sot ai shfaqet kundër tij.

Sipas Babis-it, emigrantët myslimanë përbëjnë kërcënim për Evropën.

“Ne mendojmë se të marrësh emigrantë ilegalë është kërcënim për civilizimin evropian.  Ne nuk duam të jetojmë në shtëpinë tonë si njerëzit që jetojnë në Afrikë apo në Lindjen e Mesme. Ne duhet të ndalojmë emigrimin nga shtetet myslimane. Nëse francezët, holandezët ose belgët duan të marrin më shumë nga sa kanë, kjo është në dorë të tyre”, tha kryeministri çek.

Ai u shpreh se Bashkimi Europian duhet të forcojë më shumë kufijtë, si dhe duhet të mbështesë akoma më shumë autoritetet libiane.

Sipas Babis-it, BE-ja duhet t’i ofrojë ndihmë Libisë për të përballuar fluksin me refugjatët e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, në mënyrë që të frenohet kalimi i tyre drejt Evropës.

Ai përshëndeti gjithashtu ndryshimin e politikës së Gjermanisë karshi refugjatëve ilegalë.