Kriton Kuci: Mendime rreth luftës në Ukrainë

459
Sigal

Kriton Kuci

Pedagog në UMSH

Lufta në Ukrainë vazhdon në momentin që po shkruhen këto rreshta dhe e ardhmja nuk duket se premton skenare me fund të lumtur. Sepse në një luftë të tillë, që i ngjan sa e sa të tjerave të zhvilluara të paktën 30 vitet e fundit, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë fitues ndërmjet popujve. Popujt janë gjithmonë humbës në luftëra të tilla. Fituesit janë të tjerë. Përtej solidaritetit në facebook, memeve, lotëve dhe lutjeve virtuale, lajmeve të rreme,  besoj se diçka do të duhej të nxirrej si mësim nga lufta e padrejtë që po zhvillohet këto ditë. Pa pasur shpresë se shoqëritë do të mësojnë nga historia. Shoqëritë kurrë nuk e bëjnë këtë.

Gjëja e parë që duket qartë nga kjo luftë është se marrëdhëniet ndërshtetërore vazhdojnë të jenë të ndërtuara mbi komponente filozofike, që nuk ndryshojnë shumë që nga koha kur Thuqidi analizoi me mjeshtëri luftën e Peloponezit. Lufta, siç po e shohim të gjithë këto ditë, është gjithmonë një version i mundshëm në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe jo skenar fantastiko-shkencor. Dhe lufta nuk është thjesht një metaforë, që mund ta përdorësh në kohën e pandemisë për të frikësuar qytetarët që t’i binden orës policore. Luftë janë ushtarët 20 vjeçarë, bij të familjeve të varfëra që shkojnë dhe vriten padrejtësisht në emër të kombit. Lufta është gjaku i derdhur në rrugë, njerëzit e shpërngulur, qyteti ku u linde, që u bë shkrumb e hi nga bombat inteligjente, urrejtja e verbër në emër të kombit, fesë, atdheut, kapitalit. Kjo është lufta dhe jo ndryshimi i fotos së profilit në facebook. Dhe që lufta të shmanget (ose të paktën të minimizohet) në marrëdhëniet ndërmjet shteteve duhet që të njihen dhe respektohen parimet bazë mbi të cilat  këto marrëdhënie ndërtohen. Ka pasur momente në historinë jo shumë të largët (siç janë disa  periudha gjatë luftës së ftohtë) kur fuqitë e mëdha kanë kuptuar limitet e tyre si dhe kanë mirëkuptuar shqetësimet e sigurisë së kundërshtarit. Ka pasur edhe periudha kur këto limite dhe shqetësime janë neglizhuar. 30 vitet e fundit i takojnë kësaj periudhe.

Nuk duhet harruar se konkurrenca midis fuqive të mëdha të sistemit ndërshtetëror (i cili vazhdon të jetë në gjendje anarkie) zhvillohet brenda kornizave të një rendi ku kapitalizmi është sistemi ekonomik dominant dhe nuk mund të analizohet e shkëputur nga logjika e imponuar nga ky sistem ekonomik. Fuqitë e mëdha konkurrojnë për tregje, për monopole, për burime energjitike  dhe për zona influence. Sigurisht që kjo konkurrencë që shpesh herë merr trajtën e luftës (si në rastin e luftës, që po zhvillohet në Ukrainë apo gjatë viteve të kaluara në Irak, Afganistan etj) ka nevojë të mbulohet me një vello morali. Lufta duhet të justifikohet me një narrativë fisnike dhe zakonisht hyjnë në skenë të drejtat e minoriteteve, e drejta e vetëvendosjes apo ndërhyrjet humanitare etj, etj. E megjithatë këto nuk janë baza por superstruktura.

Gjëja tjetër që duket qartë nga kjo luftë është se nacionalizmi si ideologji vazhdon të mbetet e vetmja me shtrirje të vërtetë globale, diçka që asnjë nga ideologjitë e tjera politike asnjëherë nuk ja ka arritur. As liberalizmi, as konservatorizmi, as marksizmi, as neoliberalizmi nuk ja kanë dalë të kenë një gjithëpranim të tillë global. Pavarësisht nqs ndodhesh në një fshat të humbur në Ande apo në një pllajë në Kilimanxharo, në një anije me njerëz të shpërngulur që lufton me dallgët në Mesdhe apo në një avion që transporton ushtarë diku në Euroazi, nuk ke shpëtim. Do ndodhesh në një territor kombëtar, në një anije që mban një flamur kombëtar, në një avion që transporton diku ushtarë që do të shkojnë të bëhen heronj në emër të një kombi dhe armiq në sytë e një kombi tjetër. Në të njëjtën kohë, ky dominim në planin ideologjik i nacionalizmit ka sjellë dominim edhe në një plan tjetër, në atë diskursiv. Diskursi nacionalist, i cili vazhdon të jetë diskursi dominant në periudhën në të cilën jetojmë, e konsideron kombin si të vetmin burim të legjitimitetit politik dhe interesin kombëtar si më të rëndësishim krahasuar me të gjitha interesat e tjera kolektive. Diskursi nacionalist, i cili mbetet diskursi mbizotërues i modernitetit vendos marrëdhënie hierarkike por edhe bashkëpunimi me diskurse të tjerë duke kombëtarizuar korniza narrative dhe analitike, por për rastin konkret edhe duke furnizuar një diskurs tjetër me argumente dhe skema të gatshme të të menduarit. Ky diskurs tjetër është pikërisht diskursi i luftës. Ky diskurs po dominon debatin publik në gjithë vendet e përfshira direkt dhe indirekt në këtë konflikt. Dhe në një situatë të tillë kur në lojë janë fuqi bërthamore duket se ky diskurs po e çon botën drejt një situatë të ngjashme me atë të vitit 1962, vit i krizës së raketave në Kubë.

Kudo dëgjohet të flitet me lehtësinë më të madhe për luftë, për rritje të shpenzimeve ushtarake, për dërgime armatimesh në Ukrainë, për vullnetarë, që po lejohen të shkojnë të luftojnë në Ukrainë. Dhe çfarë është akoma më shqetësuese është fakti që edhe ajo që duhet të ishte një lëvizje pro paqes është shndërruar praktikisht në një lëvizje pro luftës. Pjesa dërrmuese e protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit anë e mbanë Evropës duket sikur legjitimojnë qeveritë të ndërmarrin hapa të tjera, të cilat momentalisht, por edhe në të ardhmen nuk do të bëjnë gjë tjetër vetëm do të shtojnë mundësitë për përplasje. Rreth 100 mijë qytetarë morën pjesë në protestën e zhvilluar përpara disa ditësh në Berlin. Në vazhdim kancelari i Gjermanisë në Bundestag deklaroi rritje të shpenzimeve ushtarake me 100 miliardë si dhe dërgim të armatimeve për Ukrainën. Një cikël i çmendur shpenzimesh ushtarake po fillon. Duket sikur bota po shkon me padurim fëminor drejt një përplasje të madhe ku nuk do të ketë fitues. Të paktën ndërmjet popujve.