Kosova mes 2 “zjarreve”, BE e kritikon, SHBA : Ditë historike

159
Sigal

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, e ka vendosur Prishtinën në pozitë të vështirë.

Nga njëra anë SHBA e cilësoi ngjarjen si historike, ndërsa BE ka shpërthyer në kritika.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka thënë se pozicioni i BE-së është saktësisht i njëjtë me atë që ishte kur kjo pyetje u bë vitin e kaluar pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe administratës Trump më 4 shtator.

“Pozicioni i BE-së për lëvizjen e ambasadave në Jerusalem është i qartë: Në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB 478 të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të KB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së si dhe Delegacionin e BE-së në Izrael. janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë Stano, raporton dtt-net.

Stano më tej ka thënë se Kosova, me anë të kësaj, po dëmton rrugën e saj drejt integrimit në BE.

“Kosova ka identifikuar integrimin në BE si përparësinë e saj strategjike. BE-ja pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e saj evropiane të mos minohet”, ka thënë Stano.

DASH: Ditë historike

Departamenti amerikan i Shtetit ka mirëpritur vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, duke e quajtur këtë ditë si historike.

“Urime Izraelit dhe Kosovës për vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike. Një ditë historike. Shtetet e Bashkuara janë më të forta kur partnerët tanë janë të bashkuar. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë më shumë paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”, ka shkruar në rrjetin social Twitter, Ned Price, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Kosova dhe Izraeli sot kanë zyrtarizuar njohjen e ndërsjellë.