Konflikti me Azerbajxhanin, Erdogan paralajmëron Armeninë: Do të ketë pasoja

118
Sigal

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të mërkurën se qasja e Armenisë ndaj Azerbajxhanit është e papranueshme, dhe do të ketë pasoja.

Ai i ka bërë këto deklarata pas përleshjeve në mes të këtyre dy vendeve fqinje, ditëve të fundit.

“Ne e konsiderojmë të papranueshme situatën e krijuar për shkak se Armenia ka shkelur marrëveshjen e arritur pas luftës së vitit 2020, që ka rezultuar me fitore të Azerbajxhanit”, ka thënë Erdogan nga Ankaraja.

Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat kanë luftuar disa herë për rajonin e Nagorno-Karabakut, kanë akuzuar njëri-tjetrin për përleshjet që kanë shpërthyer në orët e vona të së hënës.

“Ne shpresojmë që Armenia do të largohet nga kjo rrugë e gabuar sa më shpejt që është e mundur dhe do të fokusohet në forcim të paqes”, ka shtuar mes tjerash Erdogan.

“Kjo qasje natyrisht se do të ketë pasoja për palën armene, e cila jo vetëm që nuk ka përmbushur kushtet e marrëveshjes së nënshkruar, por vazhdon të ketë qasje agresive”.