Jordania projekt gjigant për transferimin e ujërave mes dy deteve

498
Jordania shpalli sot tenderin për një projekt shumëmiliardë dollarësh për pompimin, çdo vit, të 300 milionë metrave kub ujë nga Deti i Kuq te Deti i Vdekur. Në total, projekti i Detit të Kuq parashikon transferimin e më shumë se dy miliardë metrave kub ujë për të rritur nivelin e ujërave në Detin e Vdekur dhe për të siguruar edhe ujë të pijshëm për shumë zona të mbretërisë. Ky kalim uji përmes shkretëtirës që kufizon Jordaninë dhe Izraelin në Wadi Araba, do të krijojë edhe një vijë natyrale kufitare mes dy vendeve, të cilat kanë edhe një marrëveshje paqeje, nënshkruar në vitin 1994.

Uji do të ndihmojë edhe për prodhimin e energjisë elektrike, pasi ai do të bjerë nga një lartësi prej 170 metrash mbi nivelin e detit, në këtë rast të Detit të Kuq, në 400 metra nën nivelin e detit, në këtë rast të Detit të Vdekur. Autoritetet jordaneze kanë zhvilluar bisedime me izraelitët dhe palestinezët për mënyrën e realizimit të projektit dhe ndikimin mjedisor në ekosistemin e zonës. Ambientalistët kanë paralajmëruar se ky projekt do të shkatërrojë habitatet lokale përgjatë kanalit, ndërkohë që autoritetet këmbëngulin se studimet e fizibilitetit kanë arritur në përfundimin se ndikimi negativ do të jetë shumë i vogël. Një rënie e ndjeshme e nivelit të ujërave në Detin e Vdekur ka alarmuar ambientalistët në Jordani, Izrael dhe Palestinë. Ata thonë se kjo hapësirë e gjerë biblike mund të thahet brenda 50 vitesh.
Sigal