Amnisti për fundvit, fitojnë rreth 1000 të dënuar në burgje

548
Kur janë mbushur 103 vite nga shpallja e pavarësisë të Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një nismë për përpilimin me një ligji për dhënie amnistie në burgje. Ky ligj që pritet të finalizohet në fund të vitit 2015, përfshin një grup të dënuarish për veprash të ndryshme penale. Bëhet fjalë për një numër që varion nga 800 deri në 1000 të dënuar, shifër kjo që mund të ndryshojë, por që po diskutohet në vijim për tu amnistuar. Momentalisht projekti është në fazën fillestare të diskutimit në Ministrinë e Drejtësisë, e cila mësohet se në ditët në vijim do vendosë për ngritjen e grupeve të punës për të përcaktuar dhe veprat penale që do amnistohen. Amnistia për një numër të konsiderueshëm të dënuarish, duket se është parashikuar në formën e “dhuratës”, me rastin e festave të fundvitit. Deri tani nuk dihet me saktësi se cilat vepra penale do të amnistohen, për shkak se dhe projekti është në fazën fillestare të diskutimit. Lista me veprat penale pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do amnistojë dënimin e personave që momentalisht qëndrojnë të izoluar në rreth 17 burgje të vendit.
Kriteret e amnistisë
Nga projektligji që po përpilohet në ministrinë e Drejtësisë,pritet të plotësojnë rreth 800 deri në 1 mijë të dënuar, të cilët janë dënuar me dënime të ndryshme. Kriteret për të lënë qelitë pritet të përfshijnë, të gjithë të dënuarit të cilëve u kanë mbetur deri në 2 ose 3 vite burg për të vuajtur, personat e dënuar me kusht apo me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në një datë të caktuar.
Personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim; personat e dënuar me burgim, të cilëve u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
Amnistia për femrat
Nga kjo amnisti do të përfitojnë dhe të dënuarat femra, të cilat janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, të dënuarit meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç.
Në të gjitha këto raste përjashtohen të dënuarit për krime të rënda, si vrasje, trafik droge e shumë vepra të tjera penale të rënda.Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi se ka nisur procedurat për amnisti, që do të përfshijnë krimet e lehta, gratë si dhe të miturit. “Amnistia është një procedurë që bëhet me ligj edhe Presidenti ushtron të drejtën e faljes.
Kam proceduar për hir të vërtetës një procedurë amnistie, të shikojmë se si do ta implementojmë. Por më përpara do të më duhet të marr mendimet e kolegëve ministra që kanë një rol të drejtpërdrejtë në këtë histori, pastaj mendoj se do jemi në një qëndrim më të pjekur”, deklaroi Manjani.
Sigal