Sigal

Një shqiptar vdiq pasi mori një plumb pistolete në kokë gjatë shkëmbimit të zjarrit me karabinierët dhe rojet private teksa, me bashkëpunëtorët e tij, përpiqej të largohej pasi kishin bërë një vjedhje në tabakerinë  në rrugën Cairoli në Ponte Felcino.

Dinamika e ngjarjes ende nuk është e qartë. Nga ndërtimi i parë i saj duket se hajdutët (ndoshta tre) e kishin bërë vjedhjen në katër të mëngjesit, duke hapur derën e tabakerisë ku kishin vjedhur parà, bileta “Gërvisht e fito” dhe paketa cigaresh.

Dyqani është i pajisur me sinjal alarmi që njofto karabinierët dhe centralin e Vigilanza Umbra. Me arritjen e karabinierëve dhe të rojeve private, hajdutët u larguan me një Audi gri. Rojet private, të cilët zbritën nga makina që hajdutët provuan ta godisnin, shtinë me armë në drejtim të Audit, ashtu si dhe karabinierët. Disa banorë thonë që kanë dëgjuar të paktën katër të shtëna.

Megjithëse një gomë u shpua nga plumbat, hajdutët arritën të largoheshin. Dy prej tyre lanë makinën dhe sendet e vjedhura dhe u larguan, i treti, në sediljen e pasme, i goditur me plumb në kokë, mbeti në makinë, pa jetë.

Trupi i tij u gjet nga një parukier i zonës, i cili parkonte makinën aty pranë. Sipas dëshmisë së tij, i vdekuri, që më vonë u zbulua se ishte shqiptar, kishte kapuç që i mbulonte fytyrën dhe doreza në duar.