Sigal

Një operacion i madh i Guardia di Finanza në Adriatikun Jugor ka çuar në sekuestrimin e 553 kg drogë dhe arrestimin e dy shqiptarëve.

Operacioni është zhvilluar në mes të ditës kur mjetet e GDF kanë lokalizuar në brigjet e Brindisit një gomone që nga ujërat ndërkombëtare po shkonte drejt bregdetit italian me një mbulesë që fshihte një ngarkesë të dyshimtë.

Kur financierët e GDF arritën mjetin dhe i urdhëruan që të ndalonin, trafikantët rritën shpejtësinë për t’i shpëtuar kontrollit. Mjetet e shpejta të Departamentit të Operacioneve Aeronavale të Guardia di Finanza të Barit, pas një ndjekje të shkurtër, arritën të hipnin në gomone dhe të ndalonin garën.

Në bordin e saj, u gjetën 26 pako me lëndë narkotike, konkretisht marijuanë. Mjeti i përdorur për trafikimin, një gomone 7 metra e gjatë, e adaptuar me një motor të jashtëm të fuqishëm, u sekuestruar nga Guardia di Finanza.
Skafistët shqiptarë, G.D., 46 vjeç dhe S.V., 38 vjeç të dy nga Vlora janë arrestuar për trafik ndërkombëtar droge.

Marijuana e sekuestruar nga Guardia di Finanza ishte futur në pako me madhësi të ndryshme, për një peshë totale prej 535 kg, e cila do të kishte dhënë pothuajse pesë milionë euro në tregun me pakicë.

Mediat italiane shkruajnë se edhe në këtë rast ka pasur bashkëpunim operativ dhe informativ me autoritetet e Policisë shqiptare përmes njësisë të Kufirit Detar të Guardia di Finanza të stacionuar në Durrës dhe Zyrës së ndërlidhjes Policore shqiptare në Itali.