SHBA, diskutim për sfidat e Ballkanit Perëndimor

503
Këshilli i Atlantikut, një forum për çështjet ndërkombëtare mblodhi dje në Uashington zyrtarë të lartë të administratës amerikane, anëtarë të Kongresit, ekspertë dhe ministra të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat e rajonit dhe rëndësinë e një përfshirje më të madhe amerikane në kohën e një rreziku në rritje nga ndërhyrja e Rusisë. Zyrtarët amerikanë riafirmuan angazhimin e Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik të rajonit. Kolegia Rudina Dervishi ndoqi diskutimin dhe mori komente nga ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ekspertët në Uashington kanë kohë që po shprehin shqetësim për boshllëkun e krijuar nga mungesa e një angazhimi më të gjerë amerikan në rajonin e Ballkanit që po shfrytëzohet nga Rusia, e cila sipas tyre ka gjetur terren të përshtatshëm për shkak të institucioneve të dobëta, sprapsjes në proceset demokratike, korrupsionit dhe ndasive etnike.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në punën për të ndihmuar vendet e Ballkanit të realizojnë reformat e nevojshme duke radhitur si përparësi luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve .
“Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se ka disa sfida të rëndësishme që duhet të përballohen me urgjencë. Këto janë probleme që nuk do të përmirësohen me kalimin e kohës. Ato duhet të zgjidhen në mënyrë serioze. Korrupsioni, klientelizmi, qeverisja e dobët, institucionet e dobëta. Në se nuk i bëjmë këto, do të vazhdojë të ketë paqëndrueshmëri”.
Zoti Yee, tërhoqi vëmendjen për rritjen e përgjegjshmërisë së qeverive të Ballkanit ndaj ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë për të patur rezultate në zbatimin e reformave.
“Duhet të shohim përgjegjshmëri nga të dyja palët. Kjo do të thotë se nëse Perëndimi ju ofron ndihmë, duhet të ketë rezultate. Duhet të ketë pranim përgjegjësie se qeveritë, shoqëria civile, media, drejtësia, duhet të përmbushin gjithashtu angazhimet e tyre. Nëse nuk do të ketë përgjegjshmëri nga ana e Ballkanit Perendimor, do të thosha se duhet të ketë pasoja”.
Zoti Yee tha se udhëheqësit në rajon duhet të tregojnë vullnet politik për zgjidhjen e punëve të papërfunduara. Është në duart e qeverisë së Kosovës, tha ai, të nënshkruajë marrëveshjen e demarkacionit, dhe është në duart e qeverive të Kosovës dhe Serbi të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Senatorja demokrate Jeanne Shaheen tha se janë vetë vendet e Ballkanit ato që mund ta çojnë rajonin përpara. Për ta arritur këtë udhëheqësit dhe qytetarët duhet të dyfishojnë përpjekjet për të vendosur prioritetet e të ardhmes dhe jo të harxhojnë kohë të riformulojnë të shkuarën.
Ajo tha se kongresi amerikan është i përkushtuar ta shohë rajonin të përparojë.
“Pas sulmit të Kremlinit në zgjedhjet tona demokratike, mbështjetja dypartiake për Ballkanin dhe integrimin në Bashkimin Evropian nuk ka qënë kurrë më e fuqishme. Ne po shtojmë financimet për t’u kundërpërgjigjur ndikimit keqdashës të Rusisë në Ballkan, ne po mbështesin shkëmbimet mes të rinjve dhe po shtojmë më shumë mundësi biznesi mes Shteteve të Bashkuara dhe rajonit”.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se angazhimi amerikan është i mirëpritur për të vazhduar reformat e nevojshme që do të sillnin anëtarësimin e vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike.
Zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli foli për nevojën e një bashkëpunimi më të mirë rajonal për të nxitur rritjen ekonomike. Ai propozoi krijimin e një zone të tregëtisë së lirë në veri të Mitrovicës që do të ndihmonte në uljen e tensioneve politike.
“Zoti Daçiç, le te krijojme një zonë të lirë ekonomike. Ne kemi ne jug të Mitrovicës, zonën e lirë. Le të krijojmë një zonë të lirë edhe në veri. Ne mund të punojmë së bashku, pasi vetëm duke rritur të ardhurat, vetëm duke përmirësuar jetën e qytetarëve, vetëm duke krijuar vende pune, mund të ulim ndikimin e politikes”.
Ministrat e jashtëm të shtatë vendeve të Ballkanit Perendimor u takuan sot me këshilltarin e sigurisë kombëtare, H.R Macmaster dhe zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sigal