Kosovë, ankesa për procesin zgjedhor

592
Në Kosovë, Paneli Zgjedhor për Ankesa tha se ka pranuar shtatë ankesa pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarët e komunave. Sipas këtij paneli, Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike kanë paraqitur nga tri ankesa ndërsa një është paraqitur nga një kandidat i pavarur për komunën e Shtimes.
Paneli Zgjedhor për Ankesa tashmë ka afat 72 orësh për të shqyrtuar ankesat e partive politike.
Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për opinion se ka ushtruar ankesa lidhur me shkeljet e regjistruara në komunën e Prishtinës, Dragashit dhe Kamenicës si dhe ka paraqitur një ankesë për komunën e Istogut në Gjykatën e Lartë të Kosovës, me kërkesën që të ndryshohet vendimi për ta çuar komunën në rivotim dhe në vend të kësaj të anulohet vetëm procesi i numërimit të votave të dërguara me postë.
Ankesë për komunën e Istogut në Gjykatën e Lartë ka dërguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ku kandidati i saj prinë para atij të Lidhjes Demokratike pas numërimit të votave me kusht dhe me postë. Kjo parti thotë se vendimi për rivotim në këtë komunë është i panevojshëm dhe se nuk ka parregullsi të mëdha që do të mund ta ndryshonin rezultatin përfundimtar.
Edhe, Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesa që kanë të bëjnë me komunën e Rahovecit, Klinës dhe Prizrenit. Zyrtarë të kësaj partie thanë më herët gjatë ditës se kanë dëshmi që, sipas tyre, tregojnë manipulimet në komunën e Prizrenit. Ata thanë se gjatë procesit zgjedhor, ka pasur raste të shumta të parregullsive, të veprimeve manipuluese dhe abuzive, duke përfshirë, sipas tyre, shantazhet, kërcënimet, sulmet ndaj organeve dhe zyrtarëve shtetërorë nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prizrenit.
Sipas rezultateve përfundimtare me komunën e Prizrenit pritet të udhëheq kandidati i lëvizjes Vetëvendosje Mytaher Haskuka i cili në raundin e dytë fitoj përballë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës Shaqir Totaj.
Raundi i dytë për kryetarë komunash u mbajt më 19 nëntor ndërsa organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve vendase e ndërkombëtare e patën cilësuar procesin të rregullt.
Sigal