Inskenon vdekjen për t’i shpëtuar mafias shqiptare, historia e veçantë vjen nga Belgjika

396
Sigal

Kjo histori është cilësuar nga mediat belge dhe holandeze si e denjë për trillerat e Netflix-it.

Një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Antverp të Belgjikës, Gabriel C., i njohur me pseudonimin ‘Gishtat e gjatë’, inskenoi vdekjen e tij për të shpëtuar nga hakmarrja e mafias shqiptare, raporton gazeta belge Nieuws Blad.

32-vjeçari kishte bërë gjithçka të dukej si i vdekur, duke nisur që nga plagët e shumta në trup e deri tek mbishkrimi në gjoks: Hajdut.

Por pas hetimeve u zbulua se gjithçka ishte një inskenim i përgatitur nga një artist profesional makijazhi.

Edhe në tetor të këtij viti, Gabriel C. inskenoi vdekjen e tij, duke përhapur një certifikatë nga policia e Gambias, ku thuhej se ai është mbytur në një liqen, raporton syri.

Mediat thonë se ai del në publik vazhdimisht me paruke pasi druhet nga një luftë që ka ndezur në qytetin e Antverpës.

Sipas portalit 7sur7, ai mendohet se i ka vjedhur një sasi të konsiderueshme kokaine mafias shqiptare. Në total flitet për të paktën 1500 kg kokainë.

Fillimisht u tha se droga ishte sekuestruar nga autoritetet doganore. Por kur shqiptarët panë se droga po qarkullonte në treg, për shkak se ajo kishte një logo të veçantë, e kuptuan që ishin mashtruar.

Sipas 7sur7, urdhri për ekzekutimin e tradhtarit u dha menjëherë dhe prej atëherë, kanë ndodhur një seri sulmesh. Në banesën e prindërve të Gabriel C. është hedhur një granatë.

Ndërkohë dhëndri i tij u qëllua me plumb në stomak një ditë më pas. Hakmarrja vazhdoi edhe më vonë kur u hodhën dy granata në një bllok apartamentesh ku mendohet se fshihej Gabriel C.