Greqi/ Dalin Exit-Pollet e para, kryeson Syriza me 30-34%

482
Në Greqi u mbajtën sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku në orën 18:00 (19:00 me orën greke) janë mbyllur kutitë e votimit, ndërsa menjëherë kanë dalë edhe Exit Poll-et e para, sipas të cilave Syriza kryeson me një avantazh të lehtë.
Nga këto të dhëna, Syriza ka marrë në zgjedhje nga 31-35% të votave, ndërsa partia e dytë është Demokracia e Re, e cila rezulton të ketë marrë nga 29-33% të votave; Agimi i Artë ka marrë 6.5-8% të votave; Pasok ka marrë 5.6-7.6%; Partia Komuniste 5.4-7.4%; Lumi 4-6%; Unioni i Qendrës 2.5- 3.5%; Uniteti Popullor 2.7-3.7%; Grekët e Pavarur 3- 4%
Qendrat e votimit u hapën që prej orës 6 të mëngjesit (7 me orën greke), teksa rreth 10 milionë grekë kishin të drejtë vote në këto zgjedhje.
“Jam optimist se nesër fillon një ditë e re, një ditë që mund ta fitojmë që sot. Vështirësitë do të kapërcehen me hapa të qëndrueshëm, të vetëdijshëm për rrugën që duhet të bëjmë përpara. Jam optimist, që ne mund të ecim përpara, duke hapur rrugë të reja, e kemi vërtetuar se mund të hapim rrugë të reja edhe aty ku nuk ekzistojnë. Kur populli ynë është në vijën e parë, brezi i ri gjithashtu, atëherë gjithçka është e mundur”, ka thënë ish-kryeministri Tsipras.
Zgjedhjet u vëzhguan me interes të madh nga jashtë Greqisë, sepse fituesi i tyre duhet të sigurojë ndërmarrjen e reformave të thella ekonomike, të domosdoshme për ndihmën prej 86 miliardë eurosh, që Tsipras u detyrua të nënshkruante në gusht me partnerët e Athinës nga Eurozona.
Qeveria e re do të duhet të kryejë edhe rikapitalizimin e bankave të vendit dhe të vijojë me kontrollin e kapitalit të vendosur gjatë qershorit, në mënyrë që të shmanget një kolaps i sistemit financiar të vendit. Si Syriza, edhe “Demokracia e Re” janë angazhuar se do t’i ndërmarrin këto hapa, por dallimi mes tyre është te përmasat e këtyre reformave, ku më kryesorja është ajo e punësimit.
Kjo votë e kësaj të diele shënon herën e tretë brenda këtij viti që grekët detyrohen të shkojnë në qendrat e votimit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të janarit, që sollën Tsiprasin në pushtet, si dhe referendumit të korrikut, për të pranuar ose jo marrëveshjen e re të shpëtimit dhe masat shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian.
Sigal