Futja ilegale e vaksinave nga Serbia / Kosova nis hetimet

221
Sigal

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur grumbullimin e informatave rreth futjes së vaksinave kundër koronavirusit në komunat e me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla.

“Nëse ne kemi prova se vërtetë ato janë të kontrabanduar – sepse duhet të ketë një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave – dhe nëse ato janë të kundërligjshme, do të nisen procedurat penale kundër atyre personave që i kanë bërë këto punë”, ka thënë Syla për Radion Europa e Lirë.

“Hetimet penale do të nisin pas grumbullimit të hetimeve dhe varësisht prej të gjeturave, do të fillojnë hetimet penale kundër personave që i kanë kontrabanduar. Po supozoj që mund të ketë vepër penale të mjekimit të pandërgjegjshëm sepse nuk kanë autorizime që të mjekojnë në Kosovë. Ndoshta nuk kanë qenë as profesionalistë. Na nevojitet një punë pak më e gjatë, por shpresoj që do t’i dalim në fund”, shpjegoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se askush nuk mund të akuzohet për futjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë.

“Askujt as nuk duhet t’i shkojë në mendje ta akuzojë dikë që shpërndan ilaçe”, ka thënë Vuçiç.

Madje, ai ka thënë se është e gatshme të dërgojë vaksina edhe për popullsinë shqiptare në Kosovë.

Vuçiç ka thënë se Serbia do të vazhdojë të kujdeset “për popullin e saj në Kosovë”.

Çështjen e futjes së vaksinave nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale e ka ngritur edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në takimin online me komisionerin e Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Hoti ka thënë se Serbia futi vaksina në Kosovë “pa procedura të rregullta të importit apo dhurimit të produkteve medicinale, të cilave nuk u dihet as origjina”.

“Kjo sjellje e Republikës së Serbisë është e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, ka thënë Hoti.