FMN mund ta lejojë Greqinë t’i paguajë bashkë këstet e qershorit

448
Greqia ka kërkuar që t’i shlyejë të katër këstet që i ka hua Fondit Monetar Ndërkombëtar për qershorin me një pagesë të vetme në fund të muajit, njoftonte sot gazeta Kathimerini.
FMN-ja pritet ta miratojë kërkesën, sipas gazetës. FMN-ja vetë tha se sipas një vendimi të miratuar në fund të viteve 1970, anëtarët e Fondit mund t’i bashkojnë në një këstet që duhet të paguajnë brenda një muaji.
Kjo do të thotë që Greqisë nuk i duhet të paguajë këstin e parë prej 300 milionë Euro të premten. Greqia i detyrohet 1.5 miliardë Eurosh FMN-së që duhej t’ia kthente me katër këste këtë muaj. Greqisë po i mbarojnë fondet dhe huadhënësit, përfshirë FMN-në dhe ata evropianë nuk kanë arritur ende një marrëveshje për një paketë financiare në këmbim të reformave.
Vetë Drejtorja Menaxhuese e FMN-së Christine Lagarde tha sot një ditë pas takimit të kryeministrit grek Alexis Tsipras me Bashkimin Evropian, se kishte besim që zyrtarët grekë do të bënin pagesën e borxhit. Ajo e quajti konstruktiv takimin dhe përshëndeti dialogun. “Sigurisht që krijon një hapësirë për të dëgjuar detajet e autoriteteve, përgjigjet e tyre, komentet, këndvështrimet e tyre për propozimin e përbashkët që iu paraqit të mërkurën”.
Partia e zotit Tsipras, Syriza reagoi sot ashpër sot ndaj kushteve të kreditorëve në një përpjekje të fundit për të shmangur falimentimin. Ministria greke e financave u kërkoi sot me anë të një deklarate huadhënësve që të marrin hapa të shpejtë për propozime më realiste sesa ato që iu ofruan kryeministrit të mërkurën.
Sigal