Dua Lipa mbështet fushatën për të dhunuarit gjatë luftës së Kosovës, fton për marshim në New York

151
Sigal

Prej disa ditësh, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka iniciuar fushatën e saj teksa kërkon për drejtësi për historinë e saj.

Ajo një ditë më parë iu shpërndau kolegëve të saj në parlament banderola me mbishkrimin “rallyforherjustice (së bashku për drejtësinë e saj).

Kësaj iniciative i është bashkuar edhe Dua Lipa, e cila ka postuar në profilin e saj në “Instagram” foto teksa fton të tjerët t`i bashkohen kësaj iniciative, iniciativë kjo e cila kërkon drejtësi për gratë dhe burrat që u dhunuan seksualisht gjatë luftës në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

Dua Lipa i është bashkuar thirrjeve për marsh para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në New York.

“Bashkojuni Vasfije Krasniqi-Goodman, në =RallyForHerJustice më 28 tetor në New York. Vasfije është një e mbijetuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut që e ka për mision mbrojtjen e të mbijetuarve në Kosovë dhe në botë duke kërkuar drejtësi për krimet e pandëshkuara gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar ajo.

Kësaj iniciative i janë bashkuar edhe të tjerë personazhe të njohur.

Mbi 73 milionë ndjekës të këngëtares janë informuar mbi kauzën e të mbijetuarave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë me ç’rast këngëtarja ka bërë thirrje edhe për pjesëmarrje në marshin që do organizohet në New York.

Ditë më parë deputetja Krasniqi-Goodman në cilësinë e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka bërë të ditura detajet e këtij tubimi.

“Bashkohuni me ne në tubimin e dytë =RrallyforHerJustice kundër krimeve të pandëshkuara të luftës të Serbisë për dhunë seksuale në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, më 28 tetor, para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në Qytetin e New Yorkut. Më shumë se 20 vjet më vonë 70.000 të dhunuar dhe ende pa drejtësi. Shpërndajeni dhe merrni pjesë! Ju lutem bëni fotografi me #RallyForHerJustice dhe i dërgoni tek unë. Faleminderit!”, shkroi Vasfije Krasniqi-Goodman në një postim në rrjete sociale.

Image